Akciza, doganat e “Crown Agents” fushatë kontrolli e sensibilizimi

703
Sigal

TIRANE– Operatorët ekonomikë që tregtojnë me pakicë mallra të cilat janë subjekt i ligjit për Akcizën, si cigaret (duhani), alkooli, pijet energjike, etj, do të jenë në qendër të kontrolleve të doganave. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, mësohet se fushata e ndërgjegjësimit dhe e kontrollit të subjekteve tregtare për zbatimin e ligjit për akcizën ka hyrë tashmë në muajin e saj të dytë, fushatë kjo që po kryhet në bashkëpunim me  Crown Agents.
Sipas këtij institucioni, gjatë muajit të parë të fushatës ndërgjegjësuese, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe “Crown Agents” punuan për të rritur ndërgjegjësimin tek prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve të tyre në bazë të ligjit për Akcizën. Njëkohësisht, grupet operative ushtruan kontrolle tek ato subjekte tregtare të cilat kishin probleme të dukshme të përputhshmërisë ligjore.  “Muaji i parë i kësaj fushate shërbeu për të identifikuar problemet apo kundërvajtjet e bizneseve për sa i përket pagesës së taksës së Akcizës. Gjithashtu, këto javë shërbyen për të krijuar bazën e një analize më të detajuar e risku. Kontrollet që do të ushtrohen gjatë këtij muaji do të bazohen tek analiza e riskut dhe tek mbledhja e informacionit. Synimi i qartë i këtyre kontrolleve do të jetë identifikimi i atyre subjekteve tregtare që shmangin detyrimet e tyre ndaj shtetit”, thuhet në njoftim.  Sipas Drejtorisë së Përgjithshme  të Doganave dhe “Crown Agents”, parashikohet që gjatë këtij muaji të ushtrohen një numër i konsiderueshëm kontrollesh tek ata operatorë ekonomik që prodhojnë, importojnë, shpërndajnë e shesin me pakicë mallra të cilat janë subjekt i ligjit për Akcizën, të tilla si cigaret (duhani), alkooli, pijet energjike, etj.  “Duke e konsideruar tashmë të mbyllur fazën e ndërgjegjësimit të bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë e palëkundur në zbatimin e ligjit, mbledhjen e të ardhurave nga Akciza dhe në gjobitjen e atyre subjekteve të cilët vazhdojnë të shkelin ligjin”, vijon njoftimi.  Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje subjekteve të autorizuara që të rregullojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.    –