Akciza 0 e kafes së papjekur, ka sjellë favorizime klienteliste nga qeveria

1530
Sigal

Open Data Albania/Akciza mbi Kafenë në Vend; Rajon dhe BE, 2014

Akciza për kafen, cigaren dhe duhanin përbëjnë të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Por studimi i Open Data Albania na sjell një historik interesant mbi nivelet e akcizës së kafes në vend, por dhe një panoramë aktuale në rajon e vendet e BE-së. Ky historik tregon se akciza e kafes ka ardhur në ulje, derisa akciza e kafes së papjekur është bërë 0, ndërsa e kafes së pjekur është ulur në 60 lekë/kg, këto që nga viti 2012. Sigurisht që duke llogaritur shpenzimet që duhet të paguajnë për akcizë, tregtarëve u intereson të sjellin kafe të papjekur, pasi dhe krahu i punës këtu është shumë i lirë dhe sërish pjekja në vend do të kushtojë më lirë se importimi i kafes së pjekur me akcizë. Penetrimi në tregun shqiptar i kompanive të kafes, së fundmi, duket se është ndihmuar nga politikat ekonomike të qeverisë shqiptare për të favorizuarit e saj. Referuar legjislacionit shqiptar, akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Akciza e kafes në vendin tonë ka ndryshuar përgjatë viteve:

• Në vitin 1996 akciza e kafes ishte 30% e vlerës së importit të saj;

• Në vitin 2001 akciza u aplikua si shumë fikse për ton, ku 33 000 lekë/ton ishte akciza për kafen e papjekur dhe 78 000 lekë/ton për kafen e pjekur.

• Në vitin 2003 produktet e kafes ishin të kategorizuar në katër grupe kryesore, si Kafe e papjekur; Kafe e pjekur; Lëkura (lëvoret), zëvendësuesit e kafesë; ekstrakte, esenca, koncentrate kafeje dhe përgatitje prej tyre (neskafe etj.), ku për grupin e parë akciza ishte 40 lekë/kg, për grupin e dytë 80 lekë/kg, për grupin e tretë 40 lekë/kg dhe për grupin e fundit 250 lekë/kg kafe. Akciza për grupin e fundit të kafes nuk ka ndryshuar deri në vitin aktual.

• Në vitin 2006 akcizat u rritën për të tre grupet, ku akciza për grupin e parë u bë 50 lekë/kg, për grupin e dytë 100 lekë/kg dhe për grupin e tretë 50 lekë/lekë. Që nga ky vit akciza për grupin e tretë ka mbetur e pandryshuar.

• Në vitin 2009 akcizat pësuan në rritje të ndjeshme, ku akciza për kafen e papjekur u bë 70 lekë/kg dhe akciza për kafen e pjekur u bë 140 lekë/lekë, pra u rrit me 40%.

• Në vitin 2010 akciza për kafen e papjekur u ul në 30 lekë/kg dhe në vitin 2012 kjo akcizë u bë zero. Pra, që nga viti 2012 nuk paguhet më akcizë për kafen e papjekur. Ndërsa akciza e kafes së pjekur u ul në 60 lekë/kg në vitin 2012 dhe vazhdon të mbetet e tillë dhe në vitin aktual.

Shqipëria, Rajoni dhe BE

Në vendet e Rajonit të marra në shqyrtim zbatohet akciza mbi kafen. Kjo akcizë shprehet në disa vende, përfshirë dhe vendin tonë, si shumë fikse për kilogram, ndërsa në disa vende si përqindje të vlerës së importit, duke përfshirë shumat për detyrimet doganore dhe taksat e tjera të importit. Në vendet e BE-së, sipas të dhënave të Federatës Europiane të Kafes dhe të Bashkimit Europian, vetëm Belgjika, Gjermania, Kroacia, Letonia dhe Rumania aplikojnë akcizë mbi kafen. Të gjithë vendet e tjera të BE nuk kanë akcizë mbi kafen, madje vende si Irlanda, Malta, Mbretëria e Bashkuar nuk aplikojnë as tatim mbi vlerën e shtuar për këtë produkt (Dhjetor 2013). Ndërsa, në vendet e rajonit vetëm Kosova nuk aplikon akcizë mbi kafen (LIGJI Nr. 03/L-220, Viti 2010). Ndër vendet e rajonit, Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia aplikojnë akcizë mbi kafen si një tarifë fikse për kilogram, ashtu si dhe vendi ynë.

• Bosnje-Hercegovina aplikon tarifën më të lartë prej 107.2 Lekë/Kg për kafen e papjekur, ndërsa Kroacia aplikon tarifën më të lartë për kafen e pjekur, prej 110.2 Lek/Kg.

• Vendi ynë ofron tarifën më të ulët për kafen e pjekur, e cila është 60 Lek/Kg dhe nuk aplikon akcizë për kafen e papjekur.

• Vendet e tjera, siç janë Mali i Zi, Maqedonia, Serbia aplikojnë akcizën mbi kafen si një përqindje mbi vlerën e importit duke përfshirë shumat për detyrimet doganore dhe taksat e tjera të importit.

• Serbia aplikon tarifën prej 30% si për kafen e pjekur dhe atë të papjekur, Mali i Zi aplikon tarifën prej 20% për të dyja llojet e kafeve.

• Maqedonia aplikon tarifën prej 5% për kafen e papjekur dhe tarifën prej 15% për kafen e pjekur.

• Vendet e BE-së, aplikuese të akcizës mbi kafen, e aplikojnë këtë akcizë si një tarifë fikse për kilogram. Akcizën më të lartë për kafen e pjekur e aplikon Gjermania me 306 Lek/Kg, pas saj vjen Danimarka me 133.8 Lek/Kg dhe më pas renditet vendi ynë me 60 Lek/Kg, duke lënë pas Belgjikën dhe Rumaninë me përkatësisht 34.67 Lek/Kg dhe 31.47 Lek/Kg.

• Për kafen e papjekur, ashtu si vendi ynë as Gjermania nuk aplikon akcizë. Danimarka aplikon tarifën më të lartë prej 111.5 Lek/Kg, pasuar nga Belgjika, Rumania.

 ****

Open Data Albania: Femrat të diskriminuara edhe te pensionet

 Studimi i Open Data Albania mbi numrin e pensioneve sipas kategorisë dhe sipas grupit gjinor ka treguar se në Shqipëri meshkujt janë më të shumtë në numër si përfitues të pensioneve të pleqërisë të invaliditetit, por edhe familjare në vitin 2013. Të dhënat janë grupuar me tre artikuj, ku konkretisht kategorizohen:

1. Pensione Familjare në Skenën e Sigurimeve Shoqërore 2013

2. Pensione Invaliditeti 2013

3. Pensione Familjare 2013

 Konkretisht disa nga treguesit më të spikatur janë:

• Në vitin 2013 pensione pleqërie kanë përfituar 160 980 meshkuj dhe 150 402 femra. Pra gjithsej 311 382 përfitues.

• Në periudhën 1998 – 2013 numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë ka ardhur në rritje graduale, përveç viteve 2005 – 2006 ku ka pësuar një rënie prej 7869 personash. Gjithsej në këto pesëmbëdhjetë vite numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë është rritur me 21% ose thënë ndryshe me 53 607 persona.

• Gjatë viteve 1998 – 2014 janë meshkujt më të shumtë në numër si pensionist pleqërie. Diferenca më e madhe në numër në favor të meshkujve është shënuar në vitin 2012.

• Sa u takon pensioneve të invaliditeti në vitin 2013 numri i përfituesve është 59 241 persona. Ku 36 307 janë meshkuj dhe 22 934 janë femra.

• Gjatë viteve 1998 – 2004 numri i pensioneve të invaliditetit ka qenë konstant me një interval prej 25 – 28 mijë individ. Ndërsa në vitet 2004 – 2013 është shënuar rritje e çdo vitshme duke 2.3 fishuar numrin e përfituesve në vitin 2013 kundrejt 1998.

• Në harkun kohorë prej 15 vitesh janë meshkujt ata që janë më të shumtë në numër sa i takon përfitimeve të pensionit të invaliditetit në Republikën e Shqipërisë. Në vitet 2001 – 2013 për shkak të zvogëlimit të numrit të femrave që kanë përfituar këtë lloj pensioni numri i meshkujve përfitues ka shënuar 2 deri 3 herë më shumë se numri i femrave.

• Pensione Familjare janë pensionet që përfitojnë personat që humbasin bashkëshortët dhe kanë fëmijë në ngarkim, fëmijët jetim etj. Gjatë vitit 2013 kanë përfituar pensione familjare 28 393 meshkuj dhe 19 383 femra. Edhe tek ky lloj pensioni duket se raporti gjinor është në favor të meshkujve me një diferencë përfituesish prej 20%. Gjithsej përfitues të skenës së sigurimeve shoqërore për pensionet familjare kanë qenë 47 776 persona.