AK: Shqetësuese privatizimet e sektorëve strategjikë ekonomikë

852
Sigal

Aleanca Kuqezi në një deklaratë për shtyp nëpërmjet sekretarit të saj për ekonominë, Dashamir Uruçi, shprehet se po ndjek me shqetësim të veçantë privatizimet e njëpasnjëshme të sektorëve nevralgjike e strategjike të ekonomisë shqiptare. Kanë dalë në shitje pasuritë nëntokësore e mbitokësore, burimet hidroenergjetike, nafta e gazi si dhe çdo gjë që ka një vlerë dhe që mund t’i sigurojë qeverisë aktuale para për të mbajtur në këmbë pushtetin agresiv e totalitar. Privatizimi i shpejtë i këtyre pasurive nëpërmjet një konkurrimi problematik i ka hapur rrugën dyshimeve të shumta si dhe ka rritur shqetësimin në opinionin publik të vendit. Gjithnjë e më shumë po krijohet bindja se paratë e ofruara në këto tendera si dhe vlerat e kompanive nuk janë rrjedhojë e konkurrimit por rrjedhojë e bashkëpunimit dhe marrëveshjeve paraprake midis konkurrenteve dhe segmenteve të caktuara pranë kreut të qeverisë. Pjesëmarrja në këtë tender e kompanive pa asnjë eksperiencë dhe mungesa e kompanive me famë botërore si Shell, Eni, British Petroleum etj., flet hapur për mungesë transparence dhe interesa klienteliste. Tenderi i shitjes së katër Heceve të remontuara në vitet e fundit flet qartë për pazare të kësaj qeverie të shitur. Shfrytëzimi barbar i naftës në fushat naftëmbajtëse në Marinëz, Roskovec, Zharrës, Sheqishte dhe Patos po shoqërohet me lëkundje të herëpashershme të tokës të cilat kanë dëmtuar rëndë banesat e popullsisë në ato zona. Ata njerëz jetojnë mbi arin e zi dhe me zor sigurojnë kushtet minimale të jetesës. Shitja e qindra mijërave hektarëve toke me çmime qesharake biznesmenëve të huaj, shitja e burimeve të naftës dhe e Hidrocentraleve po e kthen Shqipërinë në një “republikë bananesh” ku brezat që vijnë do të jenë të zhveshur nga pasuria dhe do të jenë argatë në vendin ku kanë lindur. Aleanca Kuqezi denoncon me forcë politikat ekonomike të qeverisë aktuale të cilat po shesin çdo gjë që prodhon para dhe të mira materiale. Qëllimi është mbyllja sa më parë e deficitit buxhetor si dhe financimi i fushatës elektorale për të fituar me çdo kusht në zgjedhjet e vitit 2013. Aleanca  Kuqezi shprehet kundër shitjes së pasurive strategjike kundër shitjes së burimeve të naftës, pasurive të tjera nëntokësore dhe burimeve hydro e termoenergjitike. Ajo do të jetë në krye të aksioneve politike, protestave e demonstratave për të ndalur me çdo kusht shitjen e pasurive kombëtare të shqiptarëve. Qeveritarët e sotëm duhet ta dinë mirë se një ditë shqiptarët do të kërkojnë llogari, do të zgjohen e do t’i akuzojnë për tradhti kombëtare.