AIDA fton kompanitë e huaja për të investuar në industrinë e bakrit dhe ish-objekteve industriale

475
Sigal

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve ka publikuar një njoftim ku i bën ftesë investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë në lidhje me industrinë e përpunimit të mineraleve. Kjo ofertë ishte bërë më parë publike nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por që deri më tani nuk ka marrë ndonjë interes të veçantë, ndaj i është kaluar AIDA-s si opsion për investitorët e huaj. Në njoftimin e bërë publik ditët e fundit nga AIDA jepen detaje pikërisht për mundësitë që ofrohen: “Ftesë për shprehje interesi prej investitorëve vendas dhe të huaj për të investuar në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit me synim shfrytëzimin kompleks dhe racional të lëndës parë minerare nëpërmjet përpunimit të plotë në vend deri në produkte finale tela e kabllo, me sinkronizim edhe riciklimin e mbetjeve metalike të bakrit e lidhjeve të tij, si një vlerë e shtuar për rritjen e të ardhurave, kontributit në GDP, eksport dhe punësim” thuhet në njoftimin e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve. Bashkëngjitur kësaj thirrje është publikuar edhe dokumenti që përfshin një “Ofertë tekniko-tregtare për ofrimin e objekteve te lira minerare për shfrytëzim, zhvillim dhe administrim afatgjate” si dhe ish objekte industriale për mundësi ofrimi për investitorë në fushën e industrisë. Sipas këtij dokumenti, format e aplikimit për të investuar në një prej këtyre zonave janë: përmes krijimit të një zone ekonomike, marrje me koncesion apo marrje me qira përmes çmimit simbolik 1 euro.

Hapësirat ku mund të investohet

Në rajonin e Elbasanit nënvizohet se ka objekte në ish-Kombinatin Metalurgjik si Uzina e Nikel-Kobaltit, Kombinati Energjetik dhe Ndërmarrja e prodhimit të Çeliqeve. Në rajonin e Fierit zona me potencial investimi është ajo e ish-Uzinës së Plehrave Azotike. Territori i gjithë Uzinës ka një sipërfaqe prej 22, 27 ha, në të cilën 0,52 ha është zënë me Landfillin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa 4,05 ha janë objekte të privatizuar.