Ahmetaj:Do të ulet TVSH e turizmit. Negociata për heqjen e ekskluzivitetit për Rinasin

677
TIRANE – Tatimi mbi vlerën e shtuar për turizmin që është aktualisht 20% do të pësojë ulje. Kjo është lajmëruar nga ministri I zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe turizmit Arben Ahmetaj në komisionin e veprimtarisë prodhuese. Për dy javë kjo masë dhe disa të tjera do të jenë gati të kalojnë në qeveri si pjesë e një pakete të veçantë për të mbështetur turizmin. 
“Eshtë shumë e vërtetë që të gjithë vendet që ne konkurojmë dhe që kane industri turizmi të konsoliduar e kanë jo më shumë se 10%. TVSH. Madje madje ka një direktim referuese për turizmin që TVSH për turizmin nuk mund të jetë në BE më shumë se 15% sepse fillon edhe e kthen efektin në të kundërtën e vet,” – tha Ahmetaj.
Ligji I ri për turizmin që u prezantua nga ministri Ahmetaj parashikon dhënien me qira të tokave shtetërore për 99 vjet me 1 euro. Por për deputetin demokrat Helidon Bushati qeveria po jep prona publike pa konkurrim. Kjo është bërë shkak edhe për debate mes Bushatit dhe ministrit i cili i kërkoi deputetit që të mos keqinformonte publikun. 
Ahmetaj ka lajmëruar po ashtu se brenda dy muajve do të hiqet ekskluziviteti i fluturimeve që ka Aeroporti i Rinasit , duke i hapur kështu rrugë ngritjes se tre aeroporteve të tjera. 
“Jemi në negociatë të avancuar për të hequr ekskluzivitetin dhe për ti dhënë mundësi Shqipërisë të ketë 3 aeroporte të tjera, 2 në jug 1 në veri,” – u shpreh ministri.
Duke qenë se jemi në prag të sezonit turistik dhe kur pritet që numri i turistëve të jetë 25% më i lartë, Ahmetaj ka lajmëruar se qeveria ka vendosur të pastrojë bregdetin përmes Agjencisë së bregdetit, AKT dhe me ndihmën e mjeteve të ushtrisë.
“Eshtë bërë bregdeti zhul. Kemi marrë një iniciativë që e kalojmë në qeveri që ti japim mundësi agjencisë së bregdetit që të marri punonjës për 4 muaj, të pastrojë bregdetin. Në atë vendim kemi parashikuar që të përdorim dhe mjetet e ushtrisë jo ushtrinë vetë për të hequr inertet,” – u shpreh ministri.
Një tjetër e dhënë e raportuar nga ministri është se bregdeti shqiptar rezulton nëe hartat navale të agjencive të sigurimeve si bregdet me mina e për këtë jahtet nuk ndalojnë në Shqipëri.
“Kemi marrë një iniciativë tani për ti sqaruar në mënyrë që hartat navale mos dalin sërish me bomba detare dhe shoqëritë e sigurimeve të keni mundësi të ofrojnë sigurime për jahtet dhe për kroçerat,” – tha Ahmetaj.
I pyetur nga deputete se pse ky lig i le kompetenca më shumë ministrisë se pushtetit vendor, Ahmetaj tha se kjo vjen për shkak se deri me tani pushteti vendor ka dështuar me projektet duke mos bërë asgjë për turizmin.
Sigal