Ahmetaj: Tolerancë “zero” për shkelësit në tregun e hidrokarbureve

745
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, tha sot për mediat se aksioni për tregun e hidrokarbureve do të vijojë me “zero” tolerancë, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme, kontrollet do të shtrihen në tregun e shumicës. 
“Hidrokarburet do kontrollohen nga dalja e tokës, tek konsumatori. Që nga nisja e aksionit, numri i kuponave tatimore në pikat e shitjes me pakicë është rritur 10%, ose 100 mijë kupona plus. Qytetari do të marrë sasinë dhe cilësinë për të cilat paguan. Ky është model i ri që do të vendosim në tregun e hidrokarbureve. Konkurrenca e ndershme, mbrojtja e konsumatorit nga abuzimet dhe rregulla të barabarta në treg për të gjithë, janë moto e aksionit, që do të vijojë”, tha ministri Ahmetaj. 
Inspektimet dhe kontrollet u zhvilluan në zona të ndryshme, si në qarqet Tiranë, Berat, Lushnjë, Rrëshen, Durrës, Elbasan, etj. Për 10 ditë, nga datat 4-14 maj u kryen 122 kontrolle ne pikat e tregtimit me pakice, u gjobitën 4 subjekte me nga 750 mijë lekë nga Metrologjia për shkak të mungesave teknike. 
Organet tatimore për shkak të shkeljeve administrative u ka mbyllur aktivitetin 19 pikave, ka penalizuar 9 raste, ka vendosur sekuestro në një pikë tregtimi. Në bashkëpunim me krimin ekonomik, nga 122 kontrolle, janë 40 raste të kapura me shkelje për fshehje të ardhurash, ruajtje mallrash për kontrabanë në magazina, 2 raste për shkeljen me cilësinë e karburanteve. Organet e luftës kundër krimit ekonomik kanë mbyllur 6 pika tregtimi.
Sigal