Ahmetaj për PPP: Janë 807 miliardë lekë, s’do ketë më oferta të pakërkuara, nga 1 korriku 2019

622
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj mbrojti këtë të martë Partneritetet Publike Private si pjesë e diskutimit të buxhetit në Komisionin parlamentar për Ekonominë, duke argumentuar, se vlera totale e kontratave të dhëna PPP është 807 miliardë lekë nga të cilat 391 miliardë lekë janë te hidrocentraleve. Sipas Ahmetajt 262 hidrocentrale vijojnë të jenë akoma në proces, ndërkohë që balanca e fryrë e PPP është pikërisht kjo që raportohet. Në fjalën e tij numri një i Financave theksoi se PPP-të janë një alternativë që shton asetet, por edhe mundëson shërbime për qytetarët duke sjellë në vëmendje disa vepra infrastrukturore por edhe partneritete tek shëndetësia. Duke iu përgjigjur akuzave të bëra nga opozita Ahmetaj solli në vëmendje rrugën Tiranë-Elbasan të cilën e cilësoi si një shembull të gabuar, sesi është vepruar me rrugët. Rruga Tiranë-Elbasan e kontraktuar ne 2011, deri në këtë moment ka kaluar vlerën me 100 mln dollarë. “U nis me një kosto 304 milionë dollarë por ka shkuar 405 milionë dollarë. Nëse verifikohen, pretendimet ekstra kapin vlerën 36 milionë dollarë, 41.6 % më shumë në raport me prokurimin publik. Aksi Qafë Thanë-Lin-Pogradec ka kërkuar sërish më shumë para tha Ahmetaj. Ai theksoi se, duke përjashtuar kontrata e PPP në shëndetësi, të tjerat do të hedhin 1.1 miliardë euro. Ai renditi disa prej partneriteteve publike private, por theksoi se disa prej tyre, edhe pse me kosto në buxhet janë trashëguar nga qeveria paraardhëse. Ministri i Financave u ndal edhe një herë në fjalën e tij në ligjin e ri të Partneriteteve Publike Private që pritet të ndryshojë mënyrën sesi veprohet sot me ofertat e pakërkuara. Ahmetaj nënvizoi se do të bëhet heqja e PPP të pakërkuara në një sërë sektorësh. “Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar, që nga 1 korriku 2019 transporti dhe infrastruktura nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP të pakërkuara ndërkohë që dhe ato që do të mbeten, pra, portet dhe aeroportet, do të hiqet bonusi” tha Ahmetaj./monitor