Ahmetaj në Serbi: Koordinim për një ekonomi të integruar rajonale

710
Sigal

Gjatë ditës së djeshme në Beograd u zhvillua Konferenca Rajonale e Ballkanit Perëndimor për “Qeverisjen e mirë dhe konektivitetin në rajon”, organizuar nën kujdesin e Komisionit Europian. Të pranishëm në këtë konferencë janë Ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë së Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati. Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve, Ministri Ahmetaj foli për axhendën e reformave të qeverisë shqiptare dhe nevojën për integrim ekonomik dhe europian të rajonit. Fjala e Ministrit Ahmetaj: “Ne të gjithë biem dakord që vendet tona të krahasuar me njëri-tjetrin nuk kanë rritjen e duhur ekonomike. Ne kemi vështirësi të ngjashme, ndaj është e nevojshme që të kemi axhenda të reformave ekonomike, po kështu të ngjashme. Ne në Shqipëri kemi nisur reformat tona ekonomike. Për shembull, reforma fiskale. Rajoni jonë nuk është i harmonizuar nga pikëpamja fiskale, prandaj duhet definitivisht të koordinojmë elementët fiskalë, nuk po them t’i harmonizojmë ato. Ne mund të bëhemi një treg i rëndësishëm, nëse koordinojmë reformat fiskale ashtu si edhe reformat e tjera si për shembull reformën e pensioneve. Në një mënyrë shumë të guximshme, ne në Shqipëri ndërmorëm reformën e pensioneve që garanton pension social, pension më të mirë, për njerëzit pas 30- 40 vjetësh. Mendoni pak për një reformë fiskalë të koordinuar, ky është treg i integruar. Unë besoj gjithashtu se, ne duhet ta lidhim këtë proces me procesin e Berlinit. Nuk mund të flasim më për projekte në përgjithësi, duhet të jemi të fokusuar tek projektet që garantojnë impakt dhe benefite të prekshme në nivel rajonal. Unë kërkova që Ministrat e rajonit të propozojnë projektet konkrete që ata konsiderojnë me rëndësi për t’u avancuar. Deri më tani, 4 vende janë përgjigjur, presim edhe 2 të tjerët për të ecur përpara më një plan konkret veprimi.