Ahmetaj-Gabriel: Gjermani pro projekteve Shqiptare me rajonin

750
Sigal

Gjermania i ka ofruar edhe njëherë mbështetje Shqipërisë për koordinimin e procesit të Berlinit. Ministri Ahmetaj ka takuar sot në Gjermani, Zv/Kancelarin dhe Ministrin Federal për Ekonominë dhe Energjinë të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Në vizitën e tij dyditore Ahmetaj do të diskutojë për zhvillimin ekonomik, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, avancimin e procesit të Berlinit dhe përgatitjen e projekteve rajonale, proces në të cilin Shqipëria është duke luajtur një rol aktiv.

Gjatë takimit të mbajtur mes ministrit Ahmetaj dhe atij gjerman Gabriel diskutimi është theksuar në zhvillimin ekonomik si dhe përgatitjen e projekteve të rëndësishme rajonale në të cilat vendi ynë ka marrë një rol mjaft të rëndësishëm siç janë projektet rajonale që konsiderohen si ura lidhëse mes vendeve të Ballkanit.

Zv. Kancelari gjerman, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për rajonin e Ballkanit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përgëzoi rolin thelbësor që ka marrë Shqipëria në proces, për koordinimin me të gjithë vendet e rajonit, si nga ana teknike ashtu edhe në lidhje me projektet e përbashkëta që vendet do të prezantojnë në Konferencën e radhës që do të mbahet në muajin gusht në Vjenë. Gjithashtu në këtë takim u diskutua edhe mbi listën e projekteve që pritet të propozohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjermania mbështet ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane (Korridorin Blu)” – u shpreh zv. Kancelari Gabriel, – jo vetëm si një projekt i rëndësishëm lidhës për rajonin, por edhe si një urë lidhëse për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Qëndrore”. Sipas Zv. Kancelarit Gjerman, ky është një moment i rëndësishëm për rajonin dhe një mundësi të cilën të gjitha vendet duhet ta shfrytëzojnë duke prezantuar projekte me impakt rajonal. Gjithashtu ZV. Kancelari Gabriel theksoi se Gjermania do të ndihmojë për të siguruar mbështetje financiare për projektet e ndërlidhjes.

Ahmetaj e njohu zv. Kancelarin me reformat strukturore që Shqipëria po ndërmerr në sektorin energjetik, pensione, reforma administrativo-territoriale dhe ajo në drejtësi.
Ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë shtylla të rëndësishme të punës së Qeverisë – theksoi Ministri.

Modeli i ri ekonomik ka filluar të japë rezultatet e veta, ne jemi fokusuar tek mbështetja e industrive, rritja e eksporteve dhe tërheqja e investimeve të huaja si burime të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Edhe kjo vizitë në Gjermani i shërben përpjekjeve tona për të sjellë investime gjermane në tregun shqiptar.

Lidhur me procesin e Berlinit Ministri u shpreh se vëmendja e “Gjermanisë është një ndihmesë shumë e rëndësishme për rajonin. Inisiativa e Kancelares Merkel një vit më parë shënoi një pikë kthese në perspektivën e vendeve të rajonit dhe bashkëpunimin mes njëri-tjetrit.

Së bashku me qeverinë e Serbisë jemi duke punuar në nivel teknik për diskutimin e projekteve rajonale që Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të prezantojnë përpara Gjermanisë, Austrisë dhe Komisionit Evropian në Konferencën e radhës që do të mbahet në muajin gusht në Vjenë. Së shpejti edhe përfaqësues nga Kosova dhe
Mali i Zi do t’i bashkohen takimeve të nën-grupeve teknike,”-u shpreh Ministri.

Nga ana e tij Gabriel përgëzoi intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve, siç treguan edhe vizitat e njëpasnjëshme të Zv. Kryeministres së Serbisë, Ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi në Tiranë në harkun kohor të tre javëve.
Procesi i Berlinit ka në thelb konektivitetin mes vendeve të rajonit, kryesisht në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike.