Ahmetaj dhe Gjiknuri ftesë investitorëve italianë për investime

722
Sot është mbajtur në Tiranë takimi i dytë “Italia ed Albania-building together”, në të cilin janë mbledhur mbi 120 kompani italiane anëtare të Shoqatës së Ndërtuesve Italiane, nga 15 rajone të profilit të ndërtimit. Ata u njohën me potencialet në infrastrukturë, turizëm, energji, miniera, etj, që afron Shqipëria për investimet e huaja nga ministrat e MZHETS, Arben Ahmetaj dhe i MEI-t, Damian Gjiknuri. Ministri Ahmetaj u shpreh se në dy vitet që vijnë, synohet që investimet e huaja të arrijnë në 1,5 miliardë euro, nga 1 miliardë euro që u arrit në 2014-tën, duke u shtrirë në sektorët si turizmi, manifaktura, energjitika, nafta, etj. Ai afroi për investitorët italianë mundësitë e investimeve në Shqipëri në zonën e parë industriale. Duke cituar si fusha me mundësi të mëdha për investimet italiane të ndërtimit, sektorët e turizmit, projektet për infrastrukturën, ministri veçoi në këtë kontekst, projektin e qeverisë për rilindjen e qyteteve, ku ndërtimi si pjesë përbërëse, mirëpret investimet e huaja. 
“Ne po rishikojmë ligjin për turizmin, ku synojmë tërheqjen e investimeve të huaj, duke ofruar terene me 1 euro për 99 vjet, që do të jepen me gara të hapura, me synim, zhvillimin e turizmit. Ne synojmë një turizëm gjithvjetor në Shqipëri ndaj do të nxisim të gjitha potencialet ekonomike”, u shpreh mes të tjerave ministri Ahmetaj. Ai paraqiti para ndërtuesve italianë projektin madhor rajonal të nxitur nga takimi i Berlinit, autostradën “Unaza e Adriatikut”, që nis nga Sllovenia, në Kroaci, Mali i Zi, Shqipëri deri në Greqi, si një mundësi e mirë për investimet italiane në infrastrukturë. Gjithashtu, ministri Arben Ahmetaj shpjegoi ndryshimet që synojnë lehtësimin e IHD-ve në vendin tonë në ligjet për investimet strategjike, turizmin, zonat e lira, etj. 
Nga ana e tij Ministri i Energjisë dhe Turizmit, Damian Gjiknuri, paraqiti projektet për zhvillimin e sektorit të energjisë në hidrocentralet, minierat, energjitë e rinovueshme, etj. Duke u ndalur tek sektori energjetik, Gjiknuri u shpreh se projekti TAP sjell mundësi të mëdha për ndërtuesit, pasi qeveria po harton Masterplanin për gazifikimin e Shqipërisë, duke ftuar investitorët italianë. Duke u ndalur tek potencialet e mëdha hidrologjike që ka Shqipëria, bashkë me mundësitë për ndërtimin e hidrocentraleve, ministri Gjiknuri u shpreh se “ne synojmë që në vitin 2020 të jetë instaluar një kapacitet i energjisë prej 2000 Gë” dhe ftoi investitorët italianë të vijnë për të investuar në një sektor që po përmirësohet shpejt, falë reformës së nisur me arkëtimet, uljen e humbjeve, rritjen e investimeve. 
Takimi dyditor “Italia ed Albania-building together” është organizuar nga Agjencia ICE, në bashkëpunim me ANCE (Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve) me mbështetjen e Ambasadës Italiane në Tiranë. Në të marrin pjesë mbi 120 kompani italiane të specializuara në sektorin e ndërtimit nga 15 rajone të Italisë. ANCE ka një anëtarësi prej mbi 20 mijë ndërtues sipërmarrës, që punojnë me teknologji tepër të lartë dhe prania e një pjese prej tyre, synon bashkëpunim për të sjellë konkurueshmëri në çmime, menaxhim të kohës së përdorur për ndërtime.
Sigal