Ahmetaj-Bajrami: “Nxitje bashkëpunimit dypalësh në fushën e tregtisë”

344
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj ka pritur sot në një takim zyrtar në Tiranë, Ministren e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, znj. Hykmete Bajrami. Takimi vjen pas Mbledhjes së Përbashkët të dy qeverive, e cila u zhvillua në Tiranë më23 Mars 2015, gjatë së cilës të dy Ministrat firmosën edhe Protokollin “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë,” me qëllim heqjen e të gjitha barrierave jo-tarifore mes të dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, një nismë të cilën Ministri Ahmetaj e prezantoi për herë të parë gjatë vizitës së tij në Prishtinë me rastin e Panairit “Blej shqip”.
Takimi i sotëm, të cilin Ministri Ahmetaj e përkufizoi si një takim pune, i cili duhet të kthehet në një praktikë të zakonshme për të dy palët dhe jo një takim formal mes homologësh nga të dy vendet, kishte për qëllim diskutimin e çështjeve konkrete që lidhen me shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, problematikave, por edhe ofrimin e zgjidhjeve të shpejta në favor të mbrojtjes së interesave të kompanive shqiptare dhe kosovare, konkurrencës së lirë dhe tëndershme në treg, rritjes së volumit të shkëmbimeve dhe nxitjes së tregtisë, por edhe promovimit të produkteve Made in Albania në tregjet tona ku vërehet një prezencë e rëndësishme e produkteve nga vendet e rajonit.
Çështjet e diskutuara u fokusuan kryesisht në Marrëveshjen Kuadër të nënshkruar nëMars,unifikimi i praktikave doganore, njohja e certifikatës së origjinës së produkteve, vulavetë cilësisë, çmimevetë referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, si dhe njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë.
Në këtë kuadër znj. Bajrami kërkoi mbështetjen e palës shqiptare në bashkëpunimpër zgjidhjen sa më të shpejtë të këtyre çështjeve.
Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj theksoi se problemet me të cilat përballen sot kompanitë shqiptare dhe kosovare janë në fakt probleme tipologjike të cilat duhet të marrin zgjidhje një herë e mirë. “-Ne kemi një marrëveshje kuadër, kemi përshpejtuar një rrugë të domosdoshme për të kaluar të gjitha problematikat që ekzistojnë dhe që janë probleme tipologjike, sot i ka një kompani, nesër i ka një kompani tjetër, do të duhet t’i zgjidhim një herë e mirë. Besoj që afati i fundit, 15 korrik” – u shpreh Ministri.
Ai ftoi palën kosovare që të ngrihet një grup i përhershëm pune mes stafeve të dy Ministrive për të punuar në mënyrë konstante me të gjitha çështjet e lidhura me nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë dhe avancimin e projektit të përbashkët për eliminimin e barrierave tregtare jo-tarifore.
Palët diskutuan edhe për organizimin e një panairi të përbashkët të tregtisë dhe e vlerësuan më shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke kombinuar truizmin malor të Kosovës më atë bregdetar që ofron Shqipëria, për t’u dhënë një hov sektorit në Shqipëri dhe Kosovë.