Afrimi i fundit të lojës për Brexit

679
Sigal

Marrëveshja e Theresa May shkaktoi dorëheqje të shumta në kabinet. Arritja e një marrëveshjeje përmes Parlamentit duket e vështirë

Pas një kalvari të gjatë situatash të tensionuara dhe vonesash të pafundme, më në fund Kryeministrja britanike Theresa May paraqiti një draft-marrëveshje për Brexit, të miratuar nga negociatorët në Bruksel. Znj. May e prezantoi atë në një takim të gjatë me kabinetin e saj, shkruan “The Economist”. Megjithatë, po gjatë asaj dite, sekretari i saj i Brexit, Dominic Raab, dha dorëheqjen në shenjë proteste. Edhe disa të tjerë e ndoqën atë nga pas. Ndërsa deputetët konservatorë nuk ranë dakord me këtë marrëveshje, u shtuan edhe sfidat për një lidership të ri ndaj Kryeministres. Shumë rreziqe vazhdojnë të jenë të pranishme. Marrëveshja kërkon miratimin e 27 vendeve të BE-së. Parlamenti Evropian duhet ta miratojë atë. Vështirësia më e madhe qëndron në miratimin e saj nga Parlamenti Britanik. Me një numër të madh deputetësh që kanë dhënë dorëheqjen (nga parti të ndryshme) shumë përpara se kjo marrëveshje të bëhej publike, arritja e miratimit duket e vështirë. Marrëveshja përbëhet nga dy pjesë. E para është një draft-marrëveshje prej 585 faqesh, duke përfshirë edhe një protokoll për Irlandën e Veriut. E dyta është një deklaratë politike prej shtatë faqesh për marrëdhëniet e ardhshme midis Britanisë dhe BE-së. E para do të bëhet një traktat i detyrueshëm ligjor që do të mbulojë çështje si projektligjet e Britanisë pas Brexit dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së, si dhe çështjet e Irlandës së Veriut. Ajo gjithashtu do të krijojë një periudhë tranzicioni të pandërprerë pas ditës së Brexit, më 29 mars 2019, e cila do të zgjasë të paktën deri në dhjetor 2020. Ndërsa dokumenti i dytë më i shkurtër do të udhëheqë bisedimet e ardhshme. Ky fakt mund të shqetësojë cilindo që shpresonte se marrëveshja e Brexit e znj. May do të ishte fundi i këtij procesi të stërzgjatur. Negociatat pothuajse mbi çdo aspekt të marrëdhënieve të ardhshme, nga siguria e deri në tregti, do të fillojnë vetëm pasi Britania të largohet nga BE-ja në mars të vitit tjetër. Për më tepër, arritja e një marrëveshje midis dy dokumenteve është shumë e rëndësishme dhe një prej shkaqeve kryesore të vonesës ishte Irlanda e Veriut. Ideja e një plani të quajtur “regresiv” dhe që do të shmangte një kufi të ashpër me Irlandën në të gjitha rrethanat u pranua nga të dyja palët dhjetorin e kaluar. Por znj. May e refuzoi interpretimin e BE-së për marrëveshjen, që ishte mbajtja e Irlandës së Veriut në një bashkim doganor dhe në përputhje rregullatore me tregun e saj të vetëm. Ajo ishte pjesërisht e nxitur nga varësia e qeverisë së saj nga Partia e Bashkimit Demokratik të Irlandës së Veriut (DUP), por edhe nga largimi i saj nga nocioni i fundit për vendosjen e një kufiri doganor në Detin e Irlandës. Largimi nga ky nocion është bërë që të mund të mbahet e gjithë Mbretëria e Bashkuar në një bashkim doganor me BE-në derisa të gjendet një alternative më e mirë. Megjithatë, dy ndryshime politikisht të vështira ishin të nevojshme edhe në këtë drejtim. I pari ka të bëjë me pyetjen se sa kohë do të zgjasë e gjithë kjo. Brexiteers e urrejnë bashkimin doganor, sepse përjashton marrëveshjet e tregtisë me vendet e treta. Pra, ata donin që ajo të ishte e kufizuar në kohë ose të paktën që Britania të ketë të drejtën e njëanshme për t’u larguar prej saj. Kompromisi është një mekanizëm i arbitrazhit, që do të vendosë nëse tërheqja, sapo të vendoset, nuk do të jetë më e nevojshme. Ndërsa i dyti ka të bëjë me përcaktimin nga ana e vendeve të tjera të BE-së për t’i bashkëngjitur kushte të caktuara një bashkimi doganor të zgjeruar të Mbretërisë së Bashkuar. Këto njihen si kërkesa të nevojshme për të luajtur lojën dhe ato përfshijnë angazhime për të respektuar jo vetëm rregullat e tregut të vetëm, por edhe të gjitha standardet mjedisore dhe të punës së BE-së dhe shumë standarde të tjera. Frika e 27 vendeve të BE-së është ajo e një Britanie që përfiton nga tregtia në bashkimin doganor, por është në gjendje t’i nënçmojë konkurrentët kontinentalë nëpërmjet një rregullimi më të lehtë. BE-ja dëshiron që t’ia bëjë sa më të qartë Britanisë faktin se pas Brexit, ajo do të jetë thjesht një zbatuese rregullash të vendosura dhe jo krijuese rregullash të reja. Duke vendosur më shumë rregulla të tregut të vetëm në Irlandën e Veriut, BE parashikon edhe vendosjen e kontrolleve më të shumta rregullatore (por jo dogana) në Detin e Irlandës. Është e lehtë që në situatën e krijuar në Parlamentin britanik të harrohet se edhe vendet e tjera të BE-së kanë gjithashtu politikat e tyre. Në të vërtetë, miratimi i tyre për marrëveshjen e Brexit nuk mund të merret si i mirëqenë. Ashtu siç shprehet edhe Mujtaba Rahman nga Eurasia Group, udhëheqësit e BE-së mund të bëjnë ndryshime të mëtejshme për kushtet në të cilat do të luhet loja në vazhdim ose të shtojnë kërkesa të reja lidhur me aksesin në peshkimin britanik. Çdo ndryshim do ta bënte marrëveshjen gjithnjë e më pak të pëlqyer në Westminster. Dhe vendosmëria e BE-së për të treguar se Britania do të jetë më keq, pas Brexit, me shumë mundësi do të mbështetet nga analiza e ndikimit ekonomik që qeveria ka premtuar t’u japë deputetëve. Reagimi i tyre tashmë i ashpër mbi marrëveshjen e largimit do të bëhet edhe më i ashpër në vazhdimësi. Dhe në të vërtetë, 27 vendet anëtare të BE-së do të kenë kontrollin, ndërsa Britanisë do t’i mbeten vetëm disa letra për të luajtur. Procesi nuk do të jetë vetëm i ashpër, por edhe nuk do të mbarojë ndonjëherë. Marrëveshja kanadeze e tregtisë së lirë zgjati nëntë vjet ndërsa dy paketat e marrëveshjeve dypalëshe zvicerane, zgjatën 13. Procesi i ratifikimit të çdo marrëveshjeje tregtare me Britaninë nga të gjitha parlamentet kombëtare dhe disa rajonale nuk do të jetë aspak i lehtë. Pikërisht si pasojë e këtyre zërave, znj. May nuk ka arritur të ketë miratimin dhe mbështetjen e shumicës së deputetëve për marrëveshjen, për të cilën ata ndihen të zhgënjyer. Gjuha e përdorur nga disa ishte vërtet helmuese. Jacob Rees-Mogg, kryetar i Grupit Europian të Kërkimeve (ERG) të deputetëve konservatorë euroskeptikë, u shpreh se marrëveshja në fjalë do ta shndërronte Britaninë në një “shtet skllav”. Të njëjtin mendim ka edhe Boris Johnson, i cili dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Jashtëm. Nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, votimi parlamentar mbi marrëveshjen e Brexit do të mbahet në mes të dhjetorit të këtij viti. Edhe në qoftë se ai kalon, probleme të tjera mund të shfaqen gjatë rrugës, sepse Parlamenti duhet të kalojë një sërë legjislacionesh, duke filluar me një ligj për t’i dhënë marrëveshjes efekt ligjor si dhe për të vendosur një strukturë ligjesh për tranzicionin. Janë të shumtë ata që dyshojnë nëse marrëveshja do të arrihet të miratohet. Konservatorët shpresojnë se presioni nga ministrat, bizneset dhe madje edhe frika e vetë BE-së për alternativat që mund të arrihen mund të çojë në një Brexit pa arritjen e asnjë marrëveshjeje. Megjithatë, aritmetika parlamentare duket se është kundër tyre.

Kauza e rebelëve

Le ta nisim me konservatorët. Steve Baker, i cili ndihmon në menaxhimin e Grupit Evropian të Kërkimeve (ERG), thotë se mbi 50 linja të ashpra Brexiteers do të votojnë kundër marrëveshjes. Z. Baker thotë se nuk dëshiron një Brexit pa marrëveshje, por me gëzim shprehet se refuzimi parlamentar i marrëveshjes do të prodhonte “kaos”. Jo Johnson dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Transportit më 9 nëntor, për të luftuar kundër një referendumi të dytë. Së bashku me Dominic Grieve, një ish-prokuror i përgjithshëm dhe disa të tjerë, ai mund të jetë pjesë e grupit pro-evropian që do të votojnë kundër znj. May. 13 deputetët konservatorë skocezë mund të shndërrohen në një tjetër problem sidomos nëse ata zbulojnë ndonjë mashtrim në sektorin e peshkimit. Opozita e konservatorëve do të thotë se znj. May duhet të marrë në konsideratë edhe opinionet e partive të tjera, në rast se do të arrijë marrëveshjen e saj. Partia e Bashkimit Demokratik (DUP) është gjithashtu një opozitë shumë e fortë. Pavarësisht mbështetjes zyrtare të qeverisë së saj, ajo thotë se nuk mund të pranojë asnjë nga barrierat rregullatore në Detin e Irlandës të caktuara nga marrëveshja. Nacionalistët dhe Liberal Demokratët skocezë janë të sigurt se do të votojnë kundër arritjes së një marrëveshje. Prandaj e vetmja parti që mbetet nga e cila ekziston mundësia për të peshkuar disa vota është Partia Laburiste. Pozicioni i Laburistëve mbi Brexit ka qenë i qëndrueshëm. Jeremy Corbyn, udhëheqësi i partisë, është një euroskeptik i përjetshëm. Në teori, politika e partisë së tij u vendos nga Konferenca e Fundit e Partisë Laburiste, sipas së cilës duhet kundërshtuar çdo marrëveshje që nuk përmbush plotësimin e gjashtë testeve. Nëse marrëveshja nuk arrihet, atëherë kjo parti kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe nëse edhe kjo nuk është e arritshme, atëherë Partia Laburiste do të zgjedhë opsione të tjera, siç është edhe ai i një votimi publik për të mos u larguar nga BE-ja. Pavarësisht kësaj, z. Corbyn ka deklaruar kohët e fundit se Brexit nuk mund të ndalej më. Mashtrimi i mposhtjes së qeverisë dhe ndoshta vetëm përshpejtimi i zgjedhjeve, me siguri do të ndikojnë për ta shtyrë shumicën e deputetëve laburistë që të votojnë kundër marrëveshjes. Znj. May tani nuk mund të mbështetet as tek ata që dikur e kanë mbështetur atë. Por konservatorët besojnë se ata mund të fitojnë sepse do të kenë me vete edhe mbështetjen e disa deputetëve laburistë, të cilët e kundërshtojnë udhëheqjen e liderit të partisë së tyre, z. Corbyn dhe janë njëkohësisht të shqetësuar mbi rrezikun e një Brexit pa asnjë marrëveshje të mundshme. Znj. May dhe ata që e mbështesin atë do të zhvillojnë një fushatë të fortë për të arritur një marrëveshje, që sipas saj është në të mirë të interesit kombëtar. Mbështetësve të Brexit të vijës së ashpër do t’i thuhet se humbja rrezikon një kthim pas. Deputetëve të vijës së butë do t’u thuhet se humbja mund të çojë në një Brexit pa marrëveshje. Të tjerë do të frikësohen nga perspektiva e zgjedhjes së një Kryeministri të ri. Ndërsa të tjerë do të kenë frikë edhe nga mundësia e largët e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të sjellin në pushtet z. Corbyn. Megjithatë, sipas Nicky Morgan, një ish-ministër i konservatorëve dhe kryetar i komitetit të zgjedhur të Thesarit, mundësitë për të arritur një marrëveshje janë 50 me 50. Sipas tij, mundësitë mund të kishin qenë edhe më të mëdha dhe sigurisht që ky është vetëm një gabim i znj. May. Nëse ajo do të kishte pranuar që të operojë në tregun e përbashkët duke u bazuar dhe duke vepruar sipas rregullave të vendosura prej BE-së, ajo do të kishte arritur më shumë.