Administrata nuk ka shpërblime në fund të vitit

733
Administrata dhe punonjësit e tjerë buxhetorë nuk do të marrin shpërblim në fund të vitit. Shkurtimet në buxhet kanë prekur edhe zërin “shpenzime personali”, ku janë shkurtuar 690 milionë lekë, të cilat ishin parashikuar si shpërblime për fundvitin. Ministria e Financave shpjegon se në zëri “shpenzime personeli”, fondi i veçantë i pagave ulet me 960 milionë lekë. Burime nga dikasteri i Financave bëjnë të ditur se nuk do të ketë shpërblime për të gjithë buxhetorët, por do të ketë një fond, i cili do të shpërndahet në bazë të performancës. Ministria e Financave bën të ditur se janë shkurtuar kursimet reale, që janë në pjesën e shpenzimeve ose janë evidentuar dhe shkurtuar ato shpenzime, të cilat deri në fund të vitit janë të pamundura për t’u realizuar. Shkurtimet kanë prekur si pjesën shpenzimeve korrente, ashtu edhe në pjesën e shpenzimeve për investime. Gjithashtu, qeveria ka shkurtuar shpenzimet për fondet speciale, që ulen me 400 milionë lekë, nga të cilat 800 milionë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe 200 milionë lekë në skemën e sigurimeve shëndetësore, kryesisht nga kursimet që rezultojnë në këto zëra për periudhën 6-mujore.

Ndryshimet
Shpenzimet e përgjithshme buxhetore deri në fund të vitit 2015 parashikohet të jenë 456.4 miliardë lekë, pra 3.92 % më pak se plani fillestar i parashikuar në ligjin e 2015-ës. Shkurtimi i shpenzimeve nuk do të prekë buxhetin real të institucioneve, por shkurtimet janë bërë në ato zëra, ku janë evidentuar kursime, ose ku shpenzimet, ashtu siç janë parashikuar, do të rezultonin me mosrealizime në fund të vitit. Ministria e Financave bën të ditur se si pasojë e parashikimit të mosrealizimit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore për 1 miliard lekë, po me këtë shumë ulen edhe shpenzimet e pushtetit vendor. Në zërin “shpenzime të tjera” ulen 200 milionë lekë nga pagesa e papunësisë dhe i shtohen 200 milionë lekë ndihmës ekonomike dhe paaftësisë. Ndërsa huadhënia për energjinë reduktohet me 2 miliardë lekë, si rezultat i disbursimit më të ngadaltë se parashikimi i kredisë për këtë sektor. Fondet rezervë të kontingjencës ulen me rreth 548 milionë lekë.

Pagesat e borxhit
Shpenzimet për pagesën e interesave të borxhit publik (të brendshëm dhe të huaj) propozohet të ulen me rreth 8.3 miliardë lekë. Kjo, kryesisht si rrjedhojë e ecurisë së favorshme gjatë periudhës janar-qershor 2015 të ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë, gjithashtu edhe si rrjedhojë e stabilitetit të kursit të këmbimit për të njëjtën periudhë. E kushtëzuar nga mosrealizimi i të ardhurave, qeveria ka ulur shpenzimet, ka reduktuar fondin rezervë dhe kontingjencës si dhe ka ulur huadhënie për energjinë. Kështu, shpenzimet e buxhetit qendror shkojnë në 347.2 miliardë lekë, ndërsa fondi rezervë dhe kontingjenca ulen në 4.9 miliardë lekë. Sipas aktit normativ, është përgjysmuar huadhënia për energjinë, e cila shkon në 1 miliardë lekë. Fondi rezervë i buxhetit prej 1.5 miliardë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i kontingjencës prej 3.4 miliardë lekësh përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave: Deri në masën 2 miliardë lekë për të përballuar nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese dhe 1.4 miliardë lekë për ekzekutimin e pagesave për detyrime ndërkombëtare.
Sigal