Administrata, nën presion për faturat e ujit e energjisë

894
Shtyhet afati edhe një muaj afati për familjarët. Ndërmarrjet e ujësjellësve duhet të nisin më 1 Shkurt një verifikim derë më derë në çdo subjekt biznesi
Të gjithë punonjësit e administratës janë vendosur nën presion për të dorëzuar pranë institucioneve ku punojnë faturat e konsumit të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. Dhjetëra mijëra punonjësve të administratës u janë kërkuar të paraqesin pranë zyrave të personelit librezat e konsumit të ujit dhe energjisë për të vërtetuar se ata kanë shlyer detyrimet. Ndonëse një hap i tillë nuk parashikohet në kontratën që individët kanë me ndërmarrjen e ujësjellësit apo të shpërndarjes së energjisë elektrike, institucionet nuk kanë munguar të kërcënojnë punonjësit se do të humbasin vendin e punës, nëse nuk dorëzojnë librezat përkatëse. Burime nga disa institucione bënë të ditur se punonjësit janë kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, nëse nuk do të dorëzonin librezat, së bashku me faturat e muajve të fundit, si për ujit, ashtu edhe për energjinë. Një masë e tillë u ndërmor edhe 3 vite më parë, kur qeveria nisi aksionin kundër informalitetit në sektorin e energjisë elektrike.

Reforma e ujit, shtyhet afati për familjarët 
Qeveria ka zgjatur edhe me një muaj afatin për konsumatorët familjarë për të legalizuar lidhjet e paligjshme të ujit, ndërsa ndërmarrjet e ujësjellësve duhet të nisin më datën 1 Shkurt verifikimin derë më derë në çdo subjekt biznesi. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se, “kemi vendosur që të zgjasin edhe një muaj afatin për konsumatorët familjarë për vetëdisiplinim për më shumë kohë për aktmarrëveshjet dhe formalizim”. “Vendimi është marrë vetëm për familjarët dhe jo për bizneset. Kjo pasi familjarët janë më të shumtë në numër në krahasim me bizneset që kanë administratë dhe mund t’i mbyllin më shpejt procedurat”, tha ministri. Kjo zgjatje e afatit deri më 28 Shkurt vlen në këtë rast vetëm për konsumatorët familjarë, tha Gjiknuri ndërsa theksoi se, ndërmarrjet e ujësjellësve duhet të nisin më 1 Shkurt një verifikim derë më derë në çdo subjekt biznesi. Është përgjegjësia e ujësjellësve që të bëjnë verifikimin në terren duke ndëshkuar çdo subjekt që në kundërshtim me ligjin abuzon me ujin e pijshëm. Ministri shprehu një falënderim të veçantë për qytetarët shqiptarë të cilët i janë përgjigjur çdo ditë e më shumë apelit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm. “Natyrisht, kjo sjellje nuk është diçka e papritur. Pak më shumë se tre vite më parë, shqiptarët dhanë një tjetër dëshmi të vullnetit të tyre për ndërtimin e shtetit ligjor dhe respektimin e ligjshmërisë duke mbështetur transformimin e sektorit të energjisë elektrike. Gjatë dy muajve e gjysmë të fushatës së ndërgjegjësimit rezulton se një numër i konsiderueshëm abonentësh që figuronin në kufijtë e informalitetit janë paraqitur pranë ndërmarrjeve të ujësjellësve për t’u legalizuar si konsumatorë”, tha Gjiknuri. Sipas tij, janë mbi 9 mijë kontrata të reja të lidhura dhe rreth 4 mijë të tjera në proces. 26 mijë matës uji të rinj të instaluar dhe mijëra kërkesa tjera në proces trajtimi. Gjithashtu, rezulton të jenë nënshkruar gjatë kësaj periudhe mbi 7500 aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxheve të mbartura. Afrimi i datës 1 Shkurt kur dhe skadon afati për vetëdisiplinimin pa penalizime ka bërë që sportelet e ndërmarrjeve të ujësjellësve të përballen me një fluks në rritje të qytetarëve. Në këtë situatë, qeveria gjen rastin t’u kërkojë bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësve që të zgjasin edhe me një muaj afatin e vetëdisiplinimit të konsumatorëve familjarë duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë. Ky proces, tha Gjiknuri, do të monitorohet ngushtësisht nga qeveria qendrore edhe përmes strukturave të Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve. 

Skema lehtësuese për borxhet
Ministri Gjiknuri i bëri thirrje Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësve që të miratojnë dhe bëjnë publike skemat lehtësuese për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara. Gjithashtu, të zgjasin oraret dhe shtojnë sportelet e shërbimit për tu ardhur në ndihmë qytetarëve duke shmangur radhët dhe shkurtuar kohën e shpenzuar. Ai informoi opinionin publik se në ditët e ardhshme do të nënshkruhen edhe kontratat e performancës mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Bashkive që administrojnë ndërmarrjet e ujësjellësve. “Këto kontrata do të jenë testi lakmues për mbështetjen që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore me fonde e investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve. Siç e kemi nënvizuar, do të mbështeten me fonde investimi në ujësjellës ato bashki që do të tregojnë se janë në gjendje të performojnë pozitivisht”, tha Gjiknuri. Shfrytëzoni afatin deri në 28 Shkurt për t’u vetëdeklaruar dhe legalizuar si konsumatorë të rregullt të ujit të pijshëm, pa penalitete, u shpreh ministri.
Sigal