Abuzimi, KLSH denoncon ish kreu dhe vartësit e ALUIZNI-t Elbasan

856
Sigal

Dëmi ekonomik mbi 4 milionë dollarë

Ish- drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan, Lorenc Hostopalli dhe 9 vartës të tij janë dërguar në Prokurori për akuzën se kanë abuzuar me detyrën duke dhënë legalizime në kundërshtim me ligjin. Padia penale u dorëzua pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi auditim në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve  Informale (ALUIZNI), Elbasan 1, për periudhën Janar 2011-Shtator 2013.

Sipas KLSH në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 4 milionë dollarë. Disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit, apo në zonë të gjelbër  me status juridik, pronë e Bashkisë Elbasan. “Në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në Buxhetin e Shtetin për Fondin e Kompensimit të Ish-Pronarëve, në vlerë 412,442,529  lekë(ose mbi 4 milionë dollarë), veprim ky në kundërshtim me nenet 17, 19 dhe 20 të ligjit nr. 9482 mbi Legalizimin e Zonave Informale”- thuhet në njoftimin për shtyp të KLSH-së.

 PËR KË U BË KALLËZIM PENAL

Bazuar në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, neni 281, me shkresën nr. 804/12, datë 19.02.2014, për shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për 10 ish-drejtues të ALUIZNI Elbasan konkretisht: për Lorenc Hostopalli, ish-Drejtor ALUIZNI Elbasan, Adela Ziu, ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit dhe Legalizimit, Belantina Velaj, ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizim-Urbanizimit, Vojsava Hysa, ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimit, Mustafa Xhindoli, ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, Ibrahim  Dule, ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, Haki Polisi, ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit Fillestar, Fatmira Lola, ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, Edison Tabaku, ish-Përgjegjës i Sektorit të GIS dhe Armand Xhafa, ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë.

 DOSJET ME SHKELJE

– Disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi.

 – Në disa dosje, legalizimet janë dhënë brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit.

 – Në disa raste te tjera, legalizimet janë dhënë në zonë të gjelbër, me status juridik, pronë e Bashkisë Elbasan.

 – Në disa dosje të tjera, janë legalizuar objekte informale të pavetëdeklaruara nga poseduesi i tyre, veprime në kundërshtim me pika 2 e nenit 2, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, pika 11 germa “a”, të VKM-së nr. 437, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e procedurave për mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për ngritjen e bazës së të dhënave”, etj.

 KLSH: TË SHFUQIZOHEN LEJET E LEGALIZUARA!

KLSH rekomandon që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedura e shfuqizimit të lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si  dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me nenin 2, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006, të ndryshuar. Po ashtu, KLSH kërkon dhe një zgjidhje për rimbursimin e shumës. KLSH ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 412,633,988 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.