Abuzimet me koncesionet, Milo: Ministritë e linjës të rishikojnë kushtet e kontratave

713
Sigal

Flet prof.dr. Lindita Milo, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës për koncesionet dhe abuzimin me pozitën dominuese, si dhe për tregjet e rregulluara

Ligji i Konkurrencës detyron entet rregullatore, por edhe Qeverinë që përpara se të marrin vendime që prekin tregjet,  t’i drejtohen Autoritetit për mendim. Por, prof.dr. Lindita Milo, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës pohon në një intervistë për “Telegraf” se  ligji është shkelur, sidomos në transferimin e shërbimeve publike nga shteti si koncesione monopol tek privatët. “Ky detyrim pothuajse nuk është realizuar, pothuajse asnjëherë. Kjo përbën momentin e parë të ndërhyrjes së Autoritetit të Konkurrencës. Momenti i dytë i ndërhyrjes së Autoritetit është kur ka ankesa nga përdoruesit e shërbimit që është dhënë me koncesion, raste të cilat trajtohen si abuzim me pozitën dominuese të firmës që zotëron marrëveshjen koncensionare”, shprehet prof. Milo. Por sipas saj, fillimisht duhet të operojnë Ministritë që e kanë për detyrim ligjor mbikqyrjen e koncensioneve, sepse janë palë nënshkruese e atyre marrëveshjeve. Skanimi i kontenierëve, markimi i karburanteve, kolaudimi i mjeteve, pullat fiskale, koncesioni i Porto Romanos si dhe aeroporti civil kanë qenë në fokus të intervistës me prof. Milo, e cila ka shprehur edhe verifikimet apo sugjerimet përkatëse të Autoritetit në rastet kur koncensionari  ka abuzuar me pozitën dominuese në treg. Gjithashtu edhe në tregjet e rregulluara, autoriteti ka shprehur sugjerimet e veta. Kështu, pas një studimi të kryer në tregun energjetik, Autoriteti i Konkurrencvës ka sygjeruar që nëpërmjet ndarjes nga faza e prodhimit të KESH, të ndahet prodhuesi i energjisë elektrike nga furnizuesi me shumicë, ndërsa në pjesën e shpërndarjes së tregut, të ndahet furnizuesi me pakicë i publikut nga CEZ-i. Ndërsa përsa i përket çmimit të energjisë, prof. Milo shprehet se Enti Rregullator i Energjisë nuk mund t’u thotë ‘po’ tarifave të aplikuara nga operatorët, nëse këta të fundit nuk tregojnë se po operojnë në eficencë.

 Znj. Milo, në raportin tuaj në Komisionin e Ekonomisë, një nga shqetësimet që ju ngritët është se institucionet shtetërore, sidomos entet rregullatore, përpara se të marrin vendime që prekin tregun, nuk i drejtohen Autoritetit të Konkurrencës per mendim. Kur entet shtetërore duhet të marrin mendim te AK?

Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ka në filozofinë  e tij, jo vetëm mbrojtjen e lojës midis lojtarëve të tregut nga praktikat antikonkurruese, por edhe promovimin dhe nxitjen e konkurrencës nëpërmjet instrumentit të avokacisë. Pra, ligji kërkon që të gjitha institucionet e qeverisë qendrore dhe vendore, por edhe entet rregullatore të tregjeve ku ka monopole natyrore, për të gjitha aktet normative ligjore apo nënligjore duhet të marrin opinionin e Autoritetit të Konkurrencës përpara se të miratohet nga Këshilli i Ministrave, apo para se ligjet të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Eksperienca 10-vjeçare e Autoritetit të Konkurrencës ka treguar se në shumicën e rasteve është marrë mendimi i Autoritetit, të cilat janë dhënë në formën e rekomandimeve dhe shpesh këto të fundit janë marrë në konsideratë. Por ka patur edhe raste të mosplotësimit të këtij detyrimi ligjor dhe kjo kryesisht për procedurat e dhënies së koncensioneve.

 Shqetësimi tjetër i juaji është transferimi i aseteve publike si koncesion monopol te privati. Çfarë po bën autoriteti, lidhur me këto raste, ndërkohë që është konsumatori që vuan pasojat në marrjen e këtyre shërbimeve të ofruara?

Transferimi i aseteve publike tek privatët nuk është një fenomen i ndaluar, por kur transferohen shërbimet publike nga shteti tek privatët, atëherë duhet të tregohet shumë kujdes. Kjo do të thotë që, në zbatim të ligjit, por edhe të së drejtës europiane dhe shqiptare të konkurrencës,  autoritetet kontraktuese (pra, ministritë përkatëse) përpara se të nënshkruajnë kontratën koncensionare duhet të kenë një raport vlerësimi ekonomiko-teknik, ku të argumentojnë domosdoshmërinë e dhënies me koncension të këtij shërbimi publik, si dhe asetet specifike që duhet të zotërojë sipërmarrësi privat, të cilën nuk e garanton dot shteti. Gjithashtu, një pjesë shumë e rëndësishme e këtij raporti është edhe argumentimi i kostos dhe analiza e të ardhurave që duhet t’i mundësohen sipërmarrësit privat, të cilat duhet të jenë të tilla sa të mbulojnë kostot e operimit dhe të sigurojnë vetëm një fitim të arsyeshëm ekonomik, si dhe përcaktimin e institucionit që realizon monitorimin e zbatimit të kushteve të dhënies me koncension.

Ky raport duhet të vijë për të marrë mendimin dhe opinionin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili është garanti publik që me këtë kontratë nuk kemi mundësi abuzimi në të ardhmen nga sipërmarrësi privat, që merr këtë të drejtë ekskluzive apo special. Ky proces është një detyrim ligjor për të gjithë institucionet që japin të drejta ekskluzive apo koncensione. Ky detyrim pothuajse nuk është realizuar, pothuajse asnjëherë. Kjo përbën vlerësimin ex-ante, si dhe momentin e ndërhyrjes së Autoritetit të Konkurrencës. Momenti i dytë i ndërhyrjes së Autoritetit është kur ka ankesa nga përdoruesit e shërbimit që është dhënë me koncesion, raste të cilat trajtohen si abuzim me pozitën dominuese të firmës që zotëron marrëveshjen koncensionare. Dhe ky vlerësim quhet vlerësim ex-post i Autoritetit.

Pra, që Autoriteti të luajë rolin e tij duhet së pari që të gjitha institucionet përgjegjëse për marrëveshjet koncensionare të zbatojnë ligjin dhe detyrimin ligjor për të marrë mendimin e Autoritetit të Konkurrencës para firmosjes, si dhe të gjithë përdoruesit e shërbimit të adresojnë pranë autoritetit të gjitha ankesat që kanë për të mundësuar hapjen e hetimeve për të vërtetuar abuzimin me pozitën dominuese.

 Një nga këto koncesione është dhe skanimi i kontenierëve, me kosto që në 1 prill. A ka ndonjë procedurë të hapur për këtë koncesion nga autoriteti?

Aktualisht nuk kemi procedurë vlerësimi të kësaj kontrate koncensionare, por Autoriteti, në zbatim të ligjit, do të shprehet në momentin kur të ketë vlerësime ex- post (pasi vlerësimi ex-ante, pra përpara nënshkrimit të kësaj kontrate nuk i është mundësuar dhe i bërë me dije).

 Ndërkohë që mund të radhisim dhe koncesione të tjera që prekin drejtpërsëdrejti qytetarin si; markimi i karburanteve, kolaudimi i mjeteve, pullat fiskale, koncesioni i Porto Romanos etj. Çfarë ka bërë për to AK, a ka vepruar konform ligjit duke marrë masat përkatëse?

Bazuar në ankesat që kemi patur, Autoriteti ka ndërhyrë dy herë ndaj operatorit që ka koncensionin e pontilit të ngarkim-shkarkimit të GLN-në në Porto Romano. Kështu në vitin 2012 është vendosur gjobë, pasi u vërtetua se koncensionari  kishte abuzuar me pozitën dominuese, si dhe i është dhënë rekomandim Organit Shtetëror të Autorizuar si mbikëqyrësi i marrëveshjes koncensionare. Për marrëveshjet e tjera nuk kemi patur ankesa të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës.

 Të flasim pak për energjinë. Me vendimin e heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kvv, automatikisht rritet energjia për 75% të popullsisë, ndërsa në kuadrin e marrëveshjes me FMN-në pritet ndoshta një tjetër masë për rritjen e energjisë. A keni ndërhyrë ju, përsa i përket rritjes së energjisë, ku padyshim pjesa që e vuan është ajo që e paguan, ndërkohë që e dimë se CEZ nuk e mbledh dot pagesën e energjisë për 60 % të popullsisë. Mos ndoshta më mirë do të ishte një politikë për të mbledhur pagesat 100% e mos të penalizohen ata që paguajnë, apo ndoshta një liberalizim i sistemit të shpërndarjes do të ishte gjëja e duhur?

 Tregu i energjisë elektrike është një treg i rregulluar, pra është Enti Rregullator i Energjisë (ERE), i cili në zbatim të ligjit specifik dhe të modelit të tregut mbikëqyr dhe rregullon funksionimin e këtij tregu. Autoriteti i konkurrencës në zbatim të ligjit të tij, më konkretisht të Nenit 69 dhe 70 të Ligjit të Konkurrencës, bashkëpunon me ERE-n për të mundësuar mirëfunksionimin e këtij tregu. Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë një studim të përgjithshëm të tregut në vitin 2007-2008 dhe ka nxjerrë disa rekomandime shumë të rëndësishme në lidhje me ndarjen e nën-segmenteve të tregut, si për shembull; prodhuesi i energjisë nga furnizuesi me shumicë i publikut dhe i shpërndarjes nga furnizuesi me pakicë i publikut. Kjo mund të jetë një ndarje funksionale dhe administrative, por edhe vetëm financiare. Ky rekomandim është konsideruar i rëndësishëm për të krijuar transparencën për formimin e tarifave të energjisë elektrike. Gjithashtu, në mënyrë sistematike gjatë tryezave të rrumbullakëta, kur është diskutuar aplikimi i tarifave nga operatorët e prodhimit të energjisë, të transmetimit (OST) dhe shpërndarja (CEZ Shpërndarje), Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga ERE që gjatë procesit të përcaktimit të tarifave të marri në konsideratë që firmat që operojnë në kushtet e monopolistit natyror duhet të tregojnë se përdorin me eficiencë burimet që disponojnë. Por gjithmonë duhet patur në konsideratë se është enti rregullator përkatës që e thotë fjalën e fundit dhe AK mund të adresojë vetëm rekomandime. Ky është instrumenti ligjor që mund të përdoret, prandaj në përgjigje të pyetjes suaj, Autoriteti i konkurrencës nuk mund të adresojë aspekte të ngushta teknike, pasi kjo është detyrim ligjor dhe objekt i punës së ERE-së.

 Një tjetër koncesion  të cilën ju jeni duke e monitoruar është dhe aeroporti civil. Çfarë keni zbuluar deri tani dhe si do operohet me këtë koncesion?

Autoriteti, nisur nga disa shqetësime në tregun e transportit ajror të pasagjerëve, ka realizuar një monitorim dhe ka konkluduar se ka plotësisht vend dhe bazë ligjore për rishikimin e tarifave të ofrimit të shërbimeve nga TIA. Vetë marrëveshja koncensionare parashikon që tarifat duhet të rishikohen çdo tre vjet dhe kushtet tekniko-ekonomike kanë ndryshuar. Prandaj i është rekomanduar Ministrisë së Transportit rishikimi i tyre si dhe ndërtimi i një metodologjie për vlerësimin e tarifave areo-portuale.

 Telefonia fikse si shërbim i Albtelekom është një tjetër shërbim me pozita dominuese në treg. Ndërkohë që shumë abonentë të saj kanë rezervat dhe ankesat e veta për shumëçka. A keni ushtruar kontroll ju në këtë kompani dhe si ka rezultuar?

Albtelecom, ka qenë objekt i disa monitorimeve, por nuk është vërtetuar abuzimi me pozitën dominuese. Por mbi të gjitha tregu i telekomunikimeve është treg i liberalizuar ndjeshëm, pra pozita dominuese që Albtelecom ka patur me interkoneksionin dhe telefoninë fikse është liberalizuar, pasi janë rritur shërbimet zëvendësuese.

 Një tjetër problematikë është ajo e bankave të nivelit të dytë. Shumë herë ato dalin në treg në kundërshtim me urdhrat apo vendimet e Bankës Qendrore, duke mbajtur interesa shumë të larta kreditimi dhe këto me vendime në bllok. Mos kemi ndonjë marrëveshje kartel ndërmjet këtyre bankave? A mos ndoshta do të ishte mirë krijimi i një banke shtetërore të nivelit të dytë që t’i konkurronte?

Autoriteti ka realizuar disa monitorime në këtë treg dhe nuk janë gjetur shenja që të mundësojnë ngritjen e rasteve për praktikat antikonkurruese në këtë treg.

 Një tjetër shqetësim që ju keni shprehur në raport, është dhe zvarritja në procese gjyqësore të vendimeve tuaja. Si mund të zgjidhet kjo?

Eksperienca e deritanishme me Gjykatën Administrative është mjaft pozitive, përsa i përket shkurtimit shumë ndjeshëm të afateve të proceseve gjyqësore.