A ishte e gabuar ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në treg?

1095
Prof. Alqi NAQELLARI
Kam dy përgjigje, e para është po, është e gabuar dhe e dyta jo, është e drejtë dhe me vend por jo në kohë se duhej ndërhyrë më shpejt. E dyta është më e rëndësishme se e para, sepse është e lidhur me mbrojtjen e ekonomisë shqiptare dhe me realizimin e treguesve të tjerë makroekonomikë. Kjo situatë, e cila mund të përsëritet shpesh, sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi konsumi, vendos para Bankës Qendrore një sërë pikëpyetjesh për ndryshimin e objektivit të saj kryesor. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ishte e gabuar në lidhje me argumentin e realizimit të mbrojtjes së objektivit të saj kryesor i cili është “arritja dhe rruajtja e stabilitetit të çmimeve”. Meqenëse niveli i çmimeve nuk kishte asnjë luhatje në katër muajt e fundit nuk kishte asnjë arsye që Banka të ndërhynte në treg për të zhvlerësuar lekun. Theksoj për të zhvlerësuar lekun dhe jo për të vlerësuar euron siç thuhet shpesh. Banka e Shqipërisë vepron nëpërmjet instrumenteve politikë me synim realizimin e objektivit të saj kryesor. Euron e mbron Banka Qendrore Evropiane sepse ajo përcakton Normën Bazë të Interesit të saj, ajo aplikon politika ekspansioniste dhe rrudhëse në lidhje me të dhe jo Banka e Shqipërisë. INSTAT-i konfirmon se nuk ka asnjë problem me luhatjet e normës së inflacionit, pavarësisht faktorëve ndikues. Sipas INSTAT-it rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.1%. Ky është muaji i katërt radhazi që inflacioni qëndron midis nivelit 2% dhe 2.1%. Inflacioni qëndroi i pa lëvizshëm edhe në muajin maj. Së fundmi frenimi i inflacionit po kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga faktorë që nuk kanë lidhje me kërkesën. Një ndikim në rritje ka pasur mbiçmimi i lekut kundrejt euros që ka neutralizuar presionet e jashtme për rritjen e çmimeve. Normalisht leku përballet në dy tregje, në tregun e të mirave ku përcaktohet norma e inflacionit dhe në tregun e valutave ku përcaktohet edhe kursi i tij në lidhje me valutat e huaja. Objektivi i Bankës së Shqipërisë është i lidhur me tregun e parë me normën e inflacionit me rruajtjen dhe stabilitetin e çmimeve dhe nuk është i lidhur me tregun monetar për ruajtjen e kursit të këmbimit. Kështuqë ajo me veprimet e saj, deri në uljen e normës së REPO-ve dhe premtimit se do ndërhyjë në treg ishte në rregull sepse kursi këmbimit është fleksibël, nuk është fiks dhe nuk përcaktohet prej saj. Ka vende të tjera që kanë për objektiv mbrojtjen e monedhës vendase, (kursin e këmbimit) si Kroacia, Sllovenia, Hong-Kongu, Rusia, Kina, Mongolia etj. Përfundimisht në këtë situatë Banka e Shqipërisë nuk duhej të ndërhynte në treg. Por ajo bëri të kundërtën. Ajo ndërhyri me politika të dyanshme. Uli përsëri Normën Bazë të Interesit(e REPO-ve )në 1% nga 1.25% që ishte dhe premtoj se do ndërhynte në treg për të blerë euro. Për mendimin tim ulja e normës së REPO-ve ishte tërësisht e gabuar dhe e nxituar. Nuk ka më efekt kjo politikë që ushtron Banka e Shqipërisë në treg. Le ta uli sa të dojë këtë normë paratë nuk kanë më për të dalë ashtu sikundër nuk kanë dalë deri tani jashtë banke në çfarëdo zëri qoftë. Kjo sepse nuk kanë më efekte transmisioni politikat e saj. Kjo ulje do ndikojë në përkeqësimin e llogarive të vet Bankës Qendrore, e cila edhe deri tani ka ulur në mënyrë drastike fitimet që derdhte dikur në Buxhet. Ajo tani mezi mbahet në këmbë. Sa i përket ndërhyrjes në treg do mjaftonte deklarata që bëri, ta bënte që para një muaji pa bërë asnjë veprim dhe nuk do kishte oshilacione në treg. Unë jam 100% i sigurtë se ajo nuk ka blerë euro në treg. Të besh euro do lek shqiptar, do miliarda, do të emetosh monedhë të re. Nuk është kaq e thjeshtë. Pra ajo nuk ka blerë deri tani asnjë euro por tregu filloj stabilizimin. Kështu rënia ka qenë psikologjike që BQ-ja e dinte shumë mirë këtë, por pse nuk ka vepruar më parë këtë e sqarojnë vetë ata. Ata kanë ditur shumë faktorë të tjerë që tani po i thonë. Për mua nuk ka asnjë arsye që të theksojnë faktorë të tillë që të krijojnë dyshime për gjendjen e situatës financiare në bankat e nivelit të dytë.
Sigal

A kanë ndikuar faktorët tradicionalë në mbi çmimin e lekut? Këtë përgjigje e kemi dhënë në mënyrë të hollësishme në një shkrim të mëparshëm por do përmendim vetëm disa shifra. Deficiti tregtar është thelluar me 211 milionë euro, deficiti llogarisë kornete është përmirësuar vetëm me 9 milion euro. Në këtë tregues përfshihen edhe remitancat dhe hyrjet nga turizmi dhe burime të tjera të lidhura me transfertat dhe shërbimet. IHD-të janë rritur vetëm 22 milionë euro, por të mos harrojmë se këtu kemi të përfshira investimet për objekte në vazhdim si TAP etj. Kështuqë nuk mund të pretendohet që tregtia me jashtë ka dhënë një ndikim të vazhdueshëm në forcimin e lekut dhe zhvlerësimin e euros. Për gjykimin tim dhe të pjesës më të madhe të ekonomistëve janë faktorët informalë, është paraja nga burime informale që ka mbivlerësuar lekun. Krahas tyre sipas BQ-së është edhe një tregues i vetë veprimit të Bankave Tregtare që do ta përmendim më poshtë. Ky është pohuar nga vetë përfaqësuesit e BQ-së.

Çfarë qëndrimi mbajnë përfaqësuesit e BQ-së ndaj situatës dhe si e argumentojnë ata ndërhyrjen ose mosndërhyrjen në treg për nënçmimin e lekut? Do të japim thëniet e tyre duke bërë ndonjë koment midis rreshtave. Komentet më të zgjeruara le ti bëjnë vetë lexuesit sepse gjithçka është e qartë. Ata nuk kanë dashur të ndërhyjnë në treg. Pse kanë ndërhyrë dhe pse në dy rrugë e dinë ata. Dy vlerësime për situatën e mbiçmimit të lekut të Guvernatorit të Bankës Qendrore Brenda harkut të një muaji:
Vlerësimi i Parë. Guvernatori në datën 02.05.2018 ka folur edhe për shqetësimin e ekonomistëve e të biznesit shqiptar. Ndër të tjera ka thënë: “Një zhvillim i spikatur i tregjeve financiare ka qenë dhe trendi forcues i kursit të këmbimit”.“Në lidhje me këtë fenomen dhe në përputhje me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë konstaton se trendi afatmesëm i forcimit të kursit të këmbimit, i nisur prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, pasqyron veprimin e faktorëve fondamentalë. Këta faktorë janë materializuar në rritje të ofertës së valutës, si pasojë e përmirësimit të deficitit të llogarisë korrente, e niveleve të larta të investimeve të huaja direkt dhe e uljes së primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar”…. “Nga ana tjetër, forcimi relativisht i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë dy muajve të fundit ka pasqyruar veprimin e faktorëve specifikë të tregut valutor. Kjo ecuri nuk pasqyron efektet direkt dhe as objektivat e strategjisë sonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare. Si e tillë, ajo pritet dhe vlerësohet të jetë afatshkurtër”. (Koment; luhatjet e kursit do jenë afat shkurtra, arsyet për mbiçmimin e lekut shikohen në faktorë fondamentalë dhe jo në faktorë të tjerë. Në këtë mënyrë nuk ka arsye për të ndërhyrë në treg.)
Vlerësimi i dytë. Në njoftimin për shtyp datë 06/06/2018 Guvernatori ndër të tjera ka thënë: “Gjykimi ynë mbi situatën dhe perspektivat ekonomike dhe financiare të vendit nuk ka ndryshuar. Trendi i zhvillimit pritet të jetë pozitiv, i karakterizuar nga rritja e mëtejshme ekonomike, nga lëvizja graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit si dhe forcimi progresiv i presioneve të brendshme inflacioniste.… (Koment: ekonomia është gjithnjë në ekuilibër. Është çmimi ai që e mban ekonominë në ekuilibër. Nëse ju e dini ekuilibrin aty ku shpenzimet agregate janë të barabarta me ofertën agregate atëherë ju them se e keni gabim. Ato barazohen vetëm atëherë kur norma e inflacionit është zero. Nëse juve kërkoni këtë lloj ekuilibri atëherë luftoni që norma e inflacionit të jetë zero dhe jo 3% siç keni edhe objektivin)… Gjithashtu, edhe pse në mungesë të ndryshimit të faktorëve fondamentalë, pritjet e njëanshme afatshkurtra mbi kahun forcues të kursit të këmbimit rrezikojnë të shndërrohen në pritje të qëndrueshme dhe afatgjata. (Koment; faktorët fonadamentalë dhe trendi ekonomisë nuk kanë ndryshuar, por pritjet afat shkurtra rrezikohen të bëhen afatgjata prandaj duhet ndërhyrë sepse do ndikojnë në inflacion. Ky është një argument jo serioz për të ndërhyrë në treg). Konsolidimi i këtyre pritjeve dhe krijimi i dimensionit vetë-përmbushës të tyre, mund të krijojnë një rreth vicioz me ndikim të dëmshëm në inflacion dhe në treguesit e tjerë ekonomikë”. Më tej: “Këto pritje janë shkaktuar nga informacioni për rritje të ofertës valutore, kryesisht në përgjigje të konvertimit të pritur të kapitalit nga disa banka të sistemit, të disbursimit të një kredie në valutë në favor të një kompanie publike, si dhe të pritjeve për një sezon të mirë turistik. Si rrjedhojë, pritjet kanë sjellë njëkohësisht rritje të ofertës dhe reduktim të kërkesës për valutë”. (Koment: ky informacion nuk ka pse të dali në shesh sepse pas tij dalin një sërë pyetjesh, se cilat banka do të konvertojnë kapitalet e tyre? Pse do ti konvertojnë? A kanë dalë me humbje këto banka? A kanë falimentuar këto banka? Sa banka të tilla janë? Këto pyetje nga kjo thënie e Guvernatorit pa transparencë të plotë përhapin panik te depozituesit. Dhe po u përhap paniku te depozituesit bankat marrin fund sepse bankat më së shumti janë institucione besimi. Bankat nuk kanë para në kasat e tyre ato i kanë alokuar në produkte të ndryshme. Kështuqë shqetësimi i publikut dhe humbja e besimit të tij ndaj bankave ka pasoja negative për vetë atë, për sistemin dhe për ekonominë shqiptare në përgjithësi.)
Cili është synimi i Bankës së Shqipërisë? “Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të”.(Koment: Nga kjo thënie dalin shumë pyetje dhe pikëpyetje. A ka tepricë valute në treg? Nëse ka sa është kjo tepricë? Këtë tepricë e solli vetëm konvertimi i kapitaleve të disa bankave, kredia e KESH-it, KESH-i do konvertojë eurot në lekë për të paguar punonjësit?)

Vlerësim i Zv/ Guvernatores Elisabeta Gjoni në Intervistën e datës 21.05.018 dhënë Revistës Monitor ka theksuar: “Në vlerësimin tonë, mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut reflekton zhvillime të qëndrueshme ekonomike që lidhen me: -përmirësime strukturore në ekonominë shqiptare, ku dallojnë zgjerimin e bazës së eksporteve dhe përmirësimet në sektorin e turizmit, të cilat kanë sjellë ngushtim të deficitit të llogarisë korrente përgjatë kohës. Gjithashtu, mënyra e financimit të këtij deficiti, me flukse të qëndrueshme kryesisht nga Investimet e Huaja Direkt, përforcon vlerësimin tonë për këto zhvillime pozitive; -rënien e preferencës së mbajtjes së aktiveve në valutë, për shkak të normave shumë të ulëta të kthimit të tyre për një kohë të gjatë. Është fakt, që prej gati 3 vjetësh, investimet në euro ofrojnë një normë kthimi/interesi negative ose (në rastin më të mirë) pranë zeros, duke rritur ndjeshëm kostot e administrimit të këtij portofoli nga subjektet ekonomike, duke përfshirë edhe bankat. Kjo ka të ngjarë të ketë ndikuar në uljen e preferencës së këtyre subjekteve për të vepruar në valutë”.
“Pritjet për sezonin turistik janë shumë të mira. Kjo do të thotë që pritshmëritë për të ardhurat nga ky sektor të jenë më të larta, dhe potencialisht kjo mund të ketë sjellë më përpara në kohë, veprime të caktuara me valutat”.(Koment: Kjo intervistë është bërë pas asaj që ka dhënë Guvernatori dhe jep po të njëjtat argumente pse është mbiçmuar leku shqiptar. Zv/Guvernatorja nuk ka asnjë shqetësim, për kursin e këmbimit, ashtu si edhe Guvernatori sepse faktorët janë me ndikim normal dhe të pritshëm.)
“…nga informacionet në shtyp, publiku është njohur me vendimet e disa bankave për të konvertuar pjesë të kapitalit të tyre nga valuta në lek”.(Koment: Për mua bën të njëjtin gabim që ka bërë edhe guvernatori sepse çdo kush do pyesë; Cili publik e di që disa banka do konvertojnë kapitalet e tyre në lek sepse edhe unë publik jam por këtë nuk e di? E mora vesh vetëm nga ju. Sa janë bankat që do konvertojnë kapitalet e tyre në lekë? Pse do ti konvertojnë? Kanë dalë në shitje? Kanë dalë me humbje? Apo ka arsye të tjera si këto. Këto pyetje pa transparencën përkatëse krijojnë panik te depozituesit dhe pasojat do jenë të rënda për sistemin bankar dhe ekonominë në përgjithësi, pa përmendur vetë depozituesit).
“Kursi i këmbimit luan një rol të rëndësishëm në ekonomitë e vogla dhe të hapura, si Shqipëria. Ndikimi i tij është disa dimensional; ai ndikon konkurrueshmërinë e eksporteve, fuqinë blerëse të kredimarrësve në monedhë të huaj të pambrojtur ndaj kursit të këmbimit, dhe, gjithashtu ndikon inflacionin nëpërmjet shportës së mallrave të importuara, si dhe indirekt nëpërmjet ndikimit në rritjen ekonomike. Nëse forcimi i kursit të këmbimit është shprehje e përmirësimit të ekonomisë dhe e prospekteve të saj, ai shoqëron natyrshëm ekonominë”.(Koment. Zv/Guvernatorja nuk ka asnjë shqetësim por e shikon si një fenomen normal që shoqëron natyrshëm ekonominë).
“Sa i takon ndikimit të tij të mundshëm negativ mbi eksportet apo konkurrueshmërinë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare, të dhënat e disponueshme sugjerojnë se ky mbiçmim duhet parë më tepër si reflektim i rritjes së konkurrueshmërisë dhe eksporteve tona, sesa si pengesë e mundshme për to”. (Koment: Zv/Guvernatorja është dakort me situatën dhe e sheh kursin si reflektim të konkurrencës së mallrave shqiptare me mallrat e huaja. Kjo do të thotë sesa më shumë të rriten eksportet aq më shumë do të mbiçmohet leku shqiptar. Kjo nuk është e vërtetë sepse importet janë 3 herë më të mëdha sesa eksportet dhe deficit tregtar është thelluar në 2017 në krahasim me 2016 me 221 milionë euro. Kjo logjikë stimulon idenë e mosrritjes së eksporteve. Kjo gjë duhet thënë personalisht dhe jo si përfaqësuse e BQ-së).
“Kursi i këmbimit, ashtu si dhe çmimet e tjera të përcaktuara në tregjet financiare është shumë i vështirë për t’u parashikuar”. (Koment: Është gjëja më e lehtë për t’u parashikuar në një ekonomi normale ku nuk ka ekonomi informale. Të vështirë e bën informaliteti, i cili në Shqipëri është i dukshëm por që juve, me çfarë shihet, nuk ju vjen mirë ta pohoni).
“Mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikon stabilitetin e çmimeve drejtpërsëdrejti, nëpërmjet çmimeve të ulëta të importit, dhe tërthorazi, nëpërmjet efektit në kërkesën agregate dhe hendekun e prodhimit. Për këtë arsye, në formulimin e qëndrimit tonë të politikës monetare, ne marrim në konsideratë ndikimin e pritur të kursit të këmbimit, në atë nivel dhe për aq kohë sa ai ndikon përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit”.(Koment: Pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë që BQ-ja nuk ndërhyn në treg. Ajo shikon vetëm objektivin e saj, si qëllim në vetvete, i cili për fat të keq nuk kërkon asnjë lloj politike prej tyre sepse inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar).
“Banka e Shqipërisë nuk influencon, apo përpiqet të influencojë, ecurinë e kursit të këmbimit kur kjo lëvizje është në përputhje me fondamentet. Dhe, ashtu sikurse e përmenda më lart, volatiliteti afatshkurtër është diçka normale për tregjet valutore, për sa kohë mbetet i tillë”.(Koment: kjo situatë shikohet si një situatë e zakonshme që nuk meriton ndonjë vëmendje derisa nuk prek inflacionin).
“Në përputhje me mandatin tonë ligjor, Banka e Shqipërisë fokusohet ekskluzivisht mbi arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndërkohë që regjimi i kursit të këmbimit ka qenë dhe mbetet një regjim i lirë. Kjo do të thotë se Banka e Shqipërisë nuk shënjestron një nivel të caktuar të kursit të këmbimit apo të luhatshmërisë së tij. Ajo nuk e përdor kursin e këmbimit si instrument të saj”.
Konkluzioni është i thjeshtë. Banka e Shqipërisë nuk duhet të ndërhyjë në situatën e krijuar. Arsyeja e ndërhyrjes është një justifikim i thjeshtë dhe i pa motivuar. Ndërhyrja është presion i Organizmave përkatëse ligjvënëse për të mbrojtur biznesin shqiptar. Banka e Shqipërisë e shikon “objektivin e saj si qëllim në vetvete” të pa lidhur me realizimin e objektivave të tjera makroekonomikë, të pa lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare në të kundërt nuk duhej të përqendrohej thjesht në realizimin e këtij objektivi i cili është i realizuar edhe pa ndërhyrjet e Bankës Qendrore.
Vlerësimi i Zv/Guvernatores Natasha Ahmetaj

Gazetarja pyet -A kishte parashikuar Banka e Shqipërisë në një nivel të tillë të euros?
Ahmetaj: Natyrisht që nuk e kishim parashikuar dhe as nuk mund ta parashikonim sepse këto luhatje të kursit të këmbimit nuk mbështeten në zhvillimet e ekonomisë reale”(Koment: Nëse nuk mbështeten në ecurinë e ekonomisë reale ku mbështeten)…. “Këtu mund të përfshijë disa faktorët; informacioni se të paktën dy banka në sistem do të realizonin transferimin e kapitalit nga euro në lekë dhe kjo përbënte një shtim në tregun e këmbimit valutor të ofertës për euro. Kishte informacione se një operator i fuqishëm i sektorit publik do të merrte një kredi të madhe në euro, rasti i KESH-t me BERZH”. (Koment: Zv/Guvernatorja thekson se dy banka do transferojnë kapitalin nga euro në lekë. Shtrohen edhe këtu këto pyetje. Pse janë dy dhe jo më shumë? Dy përfaqësuesit e parë theksuan disa banka, dhe disa banka nuk janë dy por janë më shumë se dy. Këtu vihet në dyshim transparenca e Bankës së Shqipërisë, vihet në dyshim aftësia e saj për të reaguar ndaj situatave të tilla. Vihen në dyshim pritjet e saj sepse ato theksojnë se situata të tilla nuk mund të parashikohen, etj, etj. Çfarë lidhje ka kredia e KESH-it me zhvlerësimin e euros. Do paguhen punëtorët në euro apo do blihen nga jashtë makineri e pajisje? Euroja do përdoret për pagesa Brenda vendit? Kudo mungon transparenca).
Përgjigja e dytë ishte jo. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë nuk ishte e gabuar, përkundrazi ishte efektive dhe duhej bërë para dy-tre muajve. Po pse nuk u bë kjo. Përgjigjen e dhamë më lartë. Banka e Shqipërisë i referohet vetëm objektivit të saj dhe instrumenteve indirektë të saj që përdor për arritjen e këtij objektivi. Ajo ndërhyrjen në treg nuk e shikon si instrument të saj sepse nuk ka objektiv mbajtjen në kuota të caktuara të kursit të këmbimit. Kursi këmbimit është i lirë. Ndërhyrjet në treg bëhen vetëm atëherë kur norma e inflacionit kalon kufijtë e përcaktuar prej saj.
Banka e Shqipërisë duhet të ndryshojë objektivin e saj dhe duhet të vendosi një objektiv që ti shërbejë ekonomisë shqiptare. Me këtë objektiv që ka nuk i ka shërbyer ndonjëherë dhe nuk do ti shërbejë. Këtë objektiv ajo e ka të realizuar pa bërë asnjë lloj veprimi sepse ekonomia shqiptare është përgjithësisht një ekonomi konsumatore ku inflacioni përcaktohet nga inflacioni i importuar dhe nuk është inflacion monetar që të përcaktohet nga faktorë të brendshëm. Ndërhyrja e saj në treg mbrojti eksportuesit shqiptar, biznesin shqiptar, ekonominë shqiptare, pavarësisht se ishte jashtë realizimit të objektivit të saj.