A është borxhi publik nën 70 për qind?

710
Sigal

 

Domosdoshmëria e
transparencës së financave publike

Koço Broka

 

 

A është borxhi
publik nën 70 %? Në disa media u njoftua: Borxhi bie nën 70 për qind të GDP,
duke vazhduar: Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria stoku i borxhit publik
shënoi në fund të tremujorit të tretë 69.77% të PBB. Disa kanë ngritur dyshime
lidhur me këtë tregues dhe tërheqin vëmendjen, se duhet pritur fundi i vitit.
Por si qëndron e vërteta?! Referuar të dhënave të qeverisë për borxhin publik
rezulton, se në fund të tremujorit të tretë, ai arriti nivelin e 1067 886 milionë
lekë nga 1043 212 milionë lekë në fund të vitit 2015, duke pësuar një shtesë
prej 24674 milionë lekë. Nuk mund të mos të tërheqë vëmendjen se kjo ka ndodhur
kur gjatë gjithë nëntë mujorit buxheti i konsoliduar ka qenë me suficit. Vetëm
në muajin Gusht dhe Shtator ky suficit nuk përballonte pagimin e principalit të
borxhit të jashtëm dhe për rrjedhojë duhej marrë borxh. Po sipas Ministrisë së
Financave me gjithë këtë shtesë të borxhit në terma relative ai rezulton
69.77%. Dhe kjo për faktin se ky niveli i borxhit është vënë në raport me
Produktin e Brendshëm Bruto, të parashikuar në fillim të vitit prej 1530480
milionë lekë. Në fakt mbështetur në treguesit fiskalë dhe të PBB të parashikuar
në Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit Produkti i Brendshëm Bruto rezulton
1510053 milionë lekë. Për rrjedhojë borxhi publik në fund të tremujorit të
tretë rezulton 70.71 %. Pra Borxhi Publik nuk ka rënë nën nivelin e 70 %.

Efikasiteti i
përdorimit të fondeve publike

Këtu nuk është
çështja thjesht “e lagu, s’e lagu” se Borxhi Publik është aktualisht 1 pikë
përqindje më tepër se sa është paraqitur nga qeveria. Të dhënat e fundit mbi
ankandet e bonove të thesarit tregojnë, se niveli i interesave të obligacioneve
dhe bonove të thesarit, mbasi arritën nivelin më të ulët historik, kanë pësuar
rritje. Pra pas uljes së dukshme të normës bazë të interesit dhe për rrjedhojë
të kostos së borxhit publik në 3-4 vitet e fundit, po i afrohemi një situate të
tillë ku interesat e borxhit publik të brendshëm po rriten. Kjo situatë
përjashton çdo iluzion, se borxhi publik është ulur nën 70%, por meriton
vëmendjen e gjithë politikë-bërësve që të mos shkojmë në situatën e Argjentinës
dhe Greqisë për mos-shlyerjen e borxhit publik. Tani që po afron koha e
përgatitjes së buxhetit për vitin 2017, duhet hequr dore nga praktika e 5-6
viteve të fundit që PBB të mbahet artificialisht i lartë nëpërmjet
“parashikimit” shumë të lartë të deflatorit. Qeveritë ndryshohen, por
populli që i duhet të paguajë borxhin nuk mund të largohet i gjithi nga
Shqipëria. Stoku i borxhit në fund të nëntëmujorit 2010 ishte 710.7 miliardë
lekë, në fund të Shtatorit 2013 kur u ndërruan qeveritë ishte 872.2 miliardë
lekë, në fund të Shtatorit 2016 ishte 1067.8 miliardë lekë. Pra shtesa e
borxhit publik për të dy qeveritë për një periudhe tre vjeçare ka qenë
respektivisht 161.5 miliardë lekë, ndërsa gjatë tre viteve të qeverisjes
aktuale 195.6 miliard lekë. Nëse zbresim nga kjo e fundit borxhin e marrë për
të shlyer borxhin e prapambetur të shlyer gjatë dy vjetëve 2014-2015 prej 51.4
miliardë lekë, borxhi shtesë gjatë tre viteve të fundit ka qenë 144.2 miliardë
lekë. Gjatë kësaj periudhe, në vitet 2014-2015 u krye ndërkohë një rritje e tatim
taksave me një efekt prej mbi 36.3 miliardë lekë. Ndërsa rritja e pagave dhe
pensioneve u stopua. Natyrisht shuma 144.2 miliardë është më e vogël se 161.5
miliardë lekë, por shtesa e të ardhurave buxhetore gjatë viteve 2015-2016 nuk
lë vend për ngazëllim.

Debati i gjerë
për buxhetin e shtetit

Nëse ka një
qëndrim të ndryshëm nga politikëbërja, lidhur me qëndrim ndaj deficitit
buxhetor dhe borxhit publik, për të qenë të kujdesshëm ndaj tyre nuk ka vend
për eufori për shkëputjen nga modeli i rritjes vetëm me borxhe apo kryesisht me
borxhe. Këtu nuk shtrohet çështja për mosmarrjen e borxheve dhe kredive, por
kryesorja është rritja e eficencës së përdorimit të tyre dhe kjo të jetë jo
vetëm një çështje e qeverisë por dhe e biznesit, universiteteve, etj. Nëse mazhoranca
aktuale kur ishte në opozitë ngrinte problemin se “Edhe 2012-ta në thelb është
e njëjta gjë, 2012 është dështim i një modeli rritje pa zhvillim, modeli rritje
vetëm me borxhe. Madje dhe pa e vrarë mendjen fare për efektivitetin e borxheve
të marra”.  Në fakt ky model u përsërit
dukshëm gjatë vitit 2015 dhe sidomos gjatë diskutimit të miratimit të buxhetit
faktik 2015 para disa javësh. Në fund të vitit 2016, të ardhurat buxhetore me ecurinë
e tyre sidomos në tremujorin e tretë të 2016 kur vihet re një rënie e madhe e
ritmit të rritjes të të ardhurave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të
kaluar, do të jenë përsëri disa miliardë më të ulta se sa ishin parashikuar ato
fillimisht për vitin 2015 prej 414.5 miliard lekë.

Megjithëse
trajta e raportit midis rritjes të borxhit nga njëra anë dhe rritjes të të
ardhurave buxhetore nga ana tjetër, gjatë tre viteve 2014-2015-2016 nuk është e
njëjtë, edhe për vitin e 2016, mund të konfirmohet një rënie e lehtë e borxhit
publik në terma relative duke u rritur në terma absolute. Sipas të dhënave të
ditëve të fundit rezulton se “në 2017 ulim borxhin publik me pothuaj 3%, në
69.1%”. Kjo do të thotë se niveli i borxhit publik për vitin 2016, pritet të
jetë 72.1%, kur për vitin 2015 ky nivel ishte sipas publikimit të Ministrisë së
Financave 72.21 %.

Pra shqetësimi
për rritjen sa relative dhe absolute të borxhit publik mbetet evident. Ndërsa
ulja e borxhit publik në terma relative mbetet një sfidë tepër e madhe për
ekonominë e vendit tonë, jo lehtësisht e realizueshme. Ja pse transparenca e
plotë për borxhin publik është më se e nevojshme dhe e domosdoshme. Le të
shpresojmë se kjo transparencë do të kryhet e plotë gjatë hartimit dhe
diskutimit të buxhetit për vitin 2017. Ajo merr një rëndësi të posaçme për
faktin se viti 2017 është vit elektoral dhe që tani është zgjidhur laku i qeses
së borxhit duke filluar me premtime, dikush duke premtuar për rritje
subvencionesh dikush për rritje pagash…Pra jemi larg ndryshimit të qasjes “pa
e vrarë mendjen fare për efektivitetin e borxheve të marra”, zëvendësimit të konkurrimit
të premtimeve me konkurrimin e alternativave ekonomike.

Propozimi i
Ministrit Panariti

Ndërkoha koha
tregon se kjo është një çështje që ka të bëjë me premtimet e vetëm disa partive
politike, por të gjithë politikëbërësve dhe vendimmarrësve, jo vetëm të
qeverisë por dhe biznesit, fermerëve dhe pse jo 
universiteteve dhe opinion formuesve. Për këtë dëshmon dhe lajmi tjetër
se Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti propozon amnisti për debitorët ndaj
AZHBR. Përderisa mendohet se duhet të ketë amnisti për kreditë e marra, kjo
dëshmon se ka shtrirje të gjerë praktika “pa e vrarë mendjen fare për
efektivitetin e borxheve të marra”. Është çështje tjetër amnistia është çështje
strukturimi i detyrimeve që mund të kenë dhe kanë mjaft fermerë që kanë
përftuar nga kreditë e buta dhe subvencionet me dhjetëra fermerë. Duke
mbështetur ristrukturimin e tyre mendoj se ka ardhur koha për një mendësi të
qartë lidhur me kredimarrjen, borxhin dhe efektivitetin e tyre. Praktika
dëshmon se pa hequr dorë nga subvencionet kjo nuk do të thotë që kredimarrja me
interesa të ulta të zëvendësohet nga subvencionet. Ndërsa këto të fundit nuk
janë dhe nuk mund të jenë dhuratë që i jep kjo apo ajo parti që vjen në pushtet,
në çdo rast ato janë transferta që i merren dikujt dhe i jepen dikujt tjetër si
për t’u shkëputur nga varfëria, por dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit. Është
koha që si politikëbërsit deri tek fermerët të mendojnë realisht për
efikasitetin dhe eficencën e subvencioneve dhe kredive të marra.