50 mijë familje janë fshirë nga ndihma ekonomike në 5 vitet e fundit

580
Sigal

INSTAT: 54 mijë familje marrin ndihmë financiare, niveli më i ulët në 20 vjet. Vetëm vjet u përjashtuan nga skema 27 mijë

54 mijë familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Kjo është shifra e fundit e publikuar nga Instituti i Statistikave që i referohet Shërbimit Social Shtetëror. Në fakt, kjo përbën shifrën më të ulët të familjeve që marrin ndihmë financiare në 20 vjetët e fundit. Sipas INSTAT, gjatë vitit 1999 ishin plot 149 mijë familje që merrnin trajtim financiar nga shteti.

Duke u krahasuar me vitin 2017, janë 27 mijë familje që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike vitin e kaluar, me një rënie prej 33%. Ndërkohë po të marrim 5 vitet e fundit, pra që prej 2013-s kur erdhi në pushtet qeveria e majtë, numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike është reduktuar vit pas viti, duke rënë me rreth 50 mijë në 5 vitet e fundit. Sipas strukturës së familjes, 35% e atyre që marrin ndihmë ishin me 4 anëtarë dhe 25% me 5 anëtarë, sipas të dhënave për 2018-n. Rënien më të madhe në raport me vitin e mëparshëm e shënuan familjet me 1 dhe 2 pjesëtarë, numri i të cilave u reduktua me 64% dhe 67% përkatësisht. Për familjet me nga 4 deri 6 pjesëtarë, rënia ishte nga 23-30%. Krahas rënies së numrit të familjeve me një të tretën, është reduktuar dhe fondi i ndihmës ekonomike, që në 2018-n ra me 18% në krahasim me 2017-n.

Sistemi i ri i ndihmës ekonomike

Në shkurt të 2018-s, aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxori nga skema disa mijëra familje duke ulur me më shumë se një të tretën numrin e familjeve që përfitonin. Në atë kohë shumë prej familjeve shprehën ankesën se ishin përjashtuar me pa të drejtë dhe se kriteret e përdorura nuk ishin tregues realë të situatës. Kjo bëri që bashkitë të mbyteshin me ankimime, të cilat i transferoheshin më pas Ministrisë së Mbrojtjes Sociale, e cila është edhe përgjegjësja për projektin. Por nga ajo kohë duket se edhe vetë institucionet kanë konstatuar se numri i familjeve të varfra është më i madh se sa ajo që sistemi ka “mbajtur” falë plotësimit të kritereve. Ndërsa një raport i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konkluduar, se skema e ndihmës ekonomike nuk është efektive për zbutjen e varfërisë. Sipas KLSH, shuma e përcaktuar nga skema e Ndihmës Ekonomike nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri.