44.5 ton verë, raki, maja, uthull dhe ujë paraqitnin rrezik për helmimin e qytetarëve në Shkodër

650
Sigal

Një sasi e konsiderueshme pijesh dhe produktesh ushqimore është bllokuar pasi i prodhonte e tregtonte këto produkte në kundërshtim me sigurinë ushqimore. Bëhet fjalë për një subjekt në Shkodër që me aktivitetin e tij ishte kthyer në rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë bllokimin e aktivitetit të paligjshëm që prodhonin produkte ushqimore jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe ka gjobitur subjektin në vlerën e mbi 200 mijë lekëve. Në një njoftim për shtyp AKU bën të ditur se ka konstatuar se një subjekt me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” që i ishte mbyllur veprimtaria gjatë një kontrolli të mëparshëm, vazhdonte aktivitetin e tij në kundërshtim me ligjin. Në prani të strukturave përkatëse, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore, nga ku u konstatuan 44.5 tonë produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore. Për subjektin në fjalë u morën masat e gjobës në vlerën 100.000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese, gjobës në vlerën 200.000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobës në vlerën 200.000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si institucion që ka për detyrë të mbrojë sigurinë ushqimore të qytetarëve, nuk jep emrat e personave përgjegjës që ushtrojnë aktivitetet që rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve. AKU, gjithashtu nuk thotë asnjë fjalë për mishin me salmonelë që vjen nga jashtë shtetit dhe që u shërbehet familjeve shqiptare apo për kosin që përmban vaj palme, apo për një sërë produktesh tjera që prodhohen e tregtohen nga persona të papërgjegjshëm. AKU duhet të marrë përgjegjësitë dhe të bëjë publike emrat e subjekteve dhe personave që ushtrojnë aktivitete në kundërshtim me ligjin dhe që vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e jetën e qytetarëve.