36 korporata, në prag falimentimi

1203
Rreth 65% e totalit të portofolit të kredive me probleme zotërohej nga 35 kompani të mëdha, por numri i këtyre kreditorëve ka shkuar në 36. Në vitin 2016 në këtë listë është shtuar edhe firma “Kurum International”, e cila para disa muajve regjistroi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të shpallur falimentimin. Vetëm në bankat shqiptare ajo rezulton të ketë 30 milionë euro te Banka Raifeissen dhe 5 milionë të tjera te NBG Bank. Të njëjtat burime pohojnë se për 50% të kompanive pritet të fillojë procedura e falimentimit, ndërsa nga i gjithë ky numër, 8 ndërmarrje janë në proces ristrukturimi. Edhe pse riorganizimi i kompanive ka më shumë se 7 muaj që ka filluar, ato nuk kanë dalë ende nga lista e kreditorëve të këqij, për shkak se pagesat e kësteve në bankat e nivelit të dytë duhet të jenë të rregullta përgjatë një viti e gjysmë. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur optimist se kjo strategji do të zgjidhet edhe nga ndryshimet e paketave ligjore që janë depozituar në Kuvend. Në artikullin e katërt për rishikimin e marrëveshjes për vitin 2016, FMN shprehet: “Autoritetet janë duke zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse për të reduktuar kreditë me probleme. Plani integron edhe reforma në fushën e mbikëqyrjes, zbatimin rregullator, ristrukturimin e borxhit dhe falimentimit të shoqërive. Autoritetet kanë paraqitur ndryshime ligjore në Parlament për të mbrojtur kolateralin financiar dhe për të forcuar të drejtat e pronësisë mbi pasuri të patundshme. Janë ndryshuar rregullore për të lehtësuar marrjen e kredive të humbura dhe përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit. Është formuluar një plan veprimi për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive me probleme (të cilat përbëjnë rreth 50% të NPL-ve). Duke shkuar përpara, strategjia parashikon uljen e NPL-ve përmes qartësimit të ligjit të falimentimit, si dhe ndryshimin e disa pjesëve të tjera të legjislacionit, si Kodin e Procedurës Civile dhe ligjet e Përmbarimit, me qëllim rritjen e efikasitetit të procesit të zgjidhjes së kredive me probleme”.

BSH: Pse u përkeqësua portofoli i kredisë me probleme

Përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredive, i cili në Shqipëri u përshpejtua dhe filloi të marrë përmasa shqetësuese pas vitit 2009 është pasojë e rritjes së shpejtë të kreditimit, gjatë periudhës para krizës, sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kjo vjen për shkak se gjatë periudhës së zgjerimit të portofolit, kredia alokohej në ato segmente të huamarrësve (biznese apo individë) që në periudha normale konsiderohen si me rrezik të lartë. Sipas një studimi të FMN-së (2006), fillimisht gjatë rritjes së shpejtë të kreditimit, pesha e kredive me probleme ndaj totalit bie, e shkaktuar kjo edhe nga fakti se një portofol i ri kërkon kohë që të shfaqë probleme. Por ndërsa portofoli maturohet, raporti i kredive me probleme fillon të rritet, madje mbi nivelet e mëparshme. Ky është ai që në literaturë njihet si “efekti i plakjes”, sipas të cilit kreditë e pashlyera arrijnë kulmin 3-4 vjet pas dhënies së kredive (Borio et al., 2001). Gjithashtu, sipas një studimi të bërë nga Ceca dhe Shijaku (2011) mbi një model mbi rrezikun e kredisë për Shqipërinë, autorët kanë dalë në rezultatin se ekziston një efekt i rëndësishëm i ndryshimeve në kursin e këmbimit të euros dhe normës së interesit të euribor-it në raportin e kredive me probleme, ndërkohë që efekti i rritjes së PBB-së edhe pse i ulët, ka gjithashtu një rëndësi të veçantë. Forcimi i euros ka rritur aftësinë mospaguese, duke zgjeruar edhe raportin e kredive me probleme.
Sigal