390 mijë shqiptarë kanë marrë një pasaportë të vendeve të BE në 15 vitet e fundit, rekord në Ballkan

627
Sigal

Dikur ata ishin thjesht emigrantë. Tashmë shumë prej të ikurve në fillim të viteve ’90, apo dhe më pas, janë bërë qytetarë me të drejta të plota në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Monitor ka përpunuar të dhënat e Eurostat, lidhur me dhënien e shtetësive nga anëtarët e saj për Shqipërinë, duke filluar që nga viti 2002, kur figuron dhe dhënia e pasaportave të para.

Në total, nga viti 2002 deri në 2017-n janë dhënë gjithsej 391 mijë shtetësi për shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së. Nga rreth 1.2 milionë emigrantë që vlerësohet të kenë ikur deri në 2015-n (përpara se të fillonte cikli i ri i emigracionit), rezulton se rreth 305 e tyre e kanë marrë tashmë një pasaportë (këtu përfshihen në fakt dhe fëmijët që kanë lindur në një nga shtetet e BE-së)
Nga viti 2008, gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë arritur të marrin pasaportë, për të kulmuar në 2016-n, me 67.6 mijë dhe në 2017-n, me 58.9 mijë të tilla.

Italia dhe Greqia janë dy shtetet fqinjë, që jo vetëm hapën dyert për emigrantët në fillim të viteve ’90, por tashmë gjithnjë e më shumë po u japin të drejta të plota atyre.
Greqia ka dhënë në periudhën 2002-2017 rreth 180 mijë pasaporta ose 46% të totalit të dhënë nga gjithë BE në 15 vitet e fundit. Numri më i lartë i tyre është dhënë në 2016-2017, përkatësisht me 28.5 dhe 29.5 mijë. Në vend të dytë, me 175.6 mijë pasaporta, ose 45% të totalit renditët Italia. Vetëm këto dy shtete kanë dhënë 91% të totalit të pasaportave për periudhën 2002-2015.

Italia ka dhënë më shumë pasaporta në vitet 2015-2016 (përkatësisht 35 dhe 37 mijë), ndërsa në 2017-n, numri i tyre ra ndjeshëm në 27 mijë, duke reflektuar një shtrëngim të dhënies së nënshtetësisë nga ky shtet. Pas Greqisë dhe Italisë, shteti i tretë ku shqiptarët kanë arritur të marrin më shumë pasaporta është Mbretëria e Bashkuar, me 11.5 mijë, ose 2.9% të totalit. Ku shtet ka dhënë më shumë shtetësi në periudhën 2009-2012 (me rreth 1,200) dhe më pak numri i tyre ka rënë ndjeshëm, në rreth 315 në 2017-n. Në vend të katërt është Gjermania, me rreth 6100 pasaporta, me rreth 350-350 pasaporta në vit. Interesat është fakti që Gjermania është vendi që akordoi më shumë shtetësi për shqiptarët në 2002, kur figurojnë dhe pasaportat e para, me 704 të tilla, e dyta pas Maqedonisë, që dha 904 pasaporta për shqiptarët në vitin 2002. Belgjika renditet në vend të pestë me rreth 5600 pasaporta, me nivelin më të lartë që u arrin në 2017-n, me 571 të tilla. Franca, e gjashta, dha më shumë pasaporta në 2016-n (356) dhe i uli me 21% vitin në vijim. Në total ka dhënë rreth 3,700 të tilla.

Nga shtetet jo anëtare të BE-së, më shumë pasaporta për shqiptarët ka dhënë Maqedonia e Veriut, me rreth 1300 të tilla, për periudhën 2002 deri në 2007-n, më pas numri i tyre është zero.

Rekord në Ballkan

Shqipëria rezulton të ketë pasur tranzicionin më të vështirë të pas viteve ’90 në Ballkan sa i përket emigracionit. Për shkak të numrit të lartë të të ikurve në vendet e BE-së dhe pasaportat që ata kanë arritur të marrin janë shumë më të larta se fqinjët, ndonëse disa prej tyre kanë popullsi më të lartë se tonën.
Për shtetasit e Maqedonisë, nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga Zvicra janë dhënë gjithsej 113 mijë pasaporta për periudhën 2002-2015, ky kryesojnë Zvicra dhe Italia.
Në Serbi, janë dhënë 177 mijë pasaporta, ku rekordin e mbajnë Gjermania dhe Franca.
Edhe për shtetasit e Bosnjës, e cila ka vuajtur një konflikt të përgjakshëm pas viteve ’90 janë dhënë gjithsej 217 mijë pasaporta në 15 vitet e fundit, kryesisht nga Austria, Zvicra, Maqedonia e Veriut.