26 milionë Dollarë dëme nga mashtrimi me TVSH-në e tregtisë së skrapit

698
Sigal

  Drejtoria e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kryen së bashku një operacion në fushën e mashtrimit me tatimet, e cila u finalizua duke miratuar vendimet e arrestit me burg në Gjykatë për disa shtetas, administrator të disa subjekteve, të cilët kanë arritur të përfitojnë një vlerë prej 26 milionë dollarësh në dëm të shtetit. Nga hetimet ka rezultuar se këto subjekte tregtare kanë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyrë fiktive persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar me qëllim tërheqjen e blloqeve me faturat e TVSH-së, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH në vlerën e sipërpërmendur. Në këtë skemë mashtrimi me TVSH janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo blerje. Ky hetim është filluar nga strukturat e inteligjencës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe më pas veprimet proceduriale dhe hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie që shtrihet në Qarqet Tiranë, Elbasan, Lezhë, etj.Të arrestuarit, kanë konsumuar plotësisht elemente të veprave penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 i Kodit Penal, falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve në bashkëpunim parashikuar nga neni 190/2 dhe 25 i Kodit Penal. Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë deri në këtë fazë të hetimit është marrë masa e sigurisë arrest në burg në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për këta shtetas:

1. AVNI BEQIR HOXHA,

2. HAVA REFAT MUCOLLARI, ( Arrest shtëpie)

3. GJERGJ GEZIM LAMI,

4. ILIR MAKSUT ALLMETA,

5. JOSIF GURGO KADRIA,

6. JUXHIN PERPARIM ZEQAJ,

7. PËRPARIM ÇIZO ZEQAJ,

8. RAMIZ ZAGOLL VEIZAJ,

9. KADRI IBRAHIM RAMA,

10. ROBERT BEQIR HOXHA,.

Puna për ekzekutimin e urdhrave të tjerë të arrestit për këtë çështje vazhdon. Për ekzekutimin e këtyre urdhrave të arrestit u bashkëpunua me Policinë e Shtetit, në Qarqet Tiranë, Elbasan dhe Lezhë. Hetimet për këtë çështje janë në vazhdim për të dërguar para drejtësisë çdo subjekt dhe person të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Me këtë rast ju bëjmë thirrje subjekteve dhe kompanive private që në veprimtarinë e tyre ekonomike dhe financiare të shmangin bashkëpunimin me subjekte fiktive dhe persona me aktivitete të dyshimtë që nuk plotësojnë kapacitetet minimale të ushtrimit të aktivitetit.