134 milionë euro jashtë bankave në dhjetor të 2014-n

993
Sigal

Ulja e interesave dhe taksimi i depozitave, shqiptarët nxjerrin paratë jashtë bankave

134 milionë euro janë tërhequr prej bankave të nivelit të dytë nga qytetarët shqiptarë në dhjetorin e viti 2014, kjo sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Ulja e ndjeshme e interesit të depozitave ka detyruar shqiptarët që të tërheqin paratë e tyre nga bankat, duke sjellë në këtë mënyrë një rritje të fenomenit të parave jashtë kanaleve bankare. Por edhe taksimi mbi këto depozita, vetëm sa ka thelluar më tej këtë realitet.

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka shënuar një rritje të lartë në dhjetor 2014, duke u zgjeruar me 5.3% në raport me nëntorin 2014, për të arritur në 217.7 miliardë lekë, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ndonëse kjo është një tendencë sezonale, e konstatuar gjithnjë në dhjetor, të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rritja më e madhe që nga viti 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një hemoragji të depozitave për shkak të panikut nga kriza financiare ndërkombëtare. Në dhjetor 2014, paraja jashtë bankave u rrit në vlerë absolute me rreth 11 miliardë lekë (rreth 78 milionë euro). Në të njëjtin muaj të një viti më parë, dalja mujore ishte vetëm 3.1 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë e ka pranuar që gjatë 2014-s ka pasur një rritje të fortë të parasë jashtë bankave, jashtë tendencave sezonale.

Me bazë vjetore, paraja jashtë bankave në 2014-n është rritur me 9.4%, duke u shtuar në vlerë absolute me 18.7 miliardë lekë, apo 134 milionë euro, rrjedhja më e madhe që nga 2008-a. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.2%, apo rreth 6 miliardë lekë, pra tre herë më i ulët.

Ulja e ndjeshme e normave të interesit të depozitave vlerësohet si një nga arsyet kryesore që ka shkaktuar këtë tendencë. Norma mesatare e interesit të depozitave 12 mujore është aktualisht rreth 1.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar politikën lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, për ta zbutur aktualisht në 2%. Kjo dalje e fortë e parasë jashtë bankave ka nxitur dhe rritjen e kreditimit informal.

Kreditimi informal

Rritja e parave që qarkullojnë jashtë bankave, krijon hapësira për një zhvillim të ndjeshëm të tregut informal, duke hapur në këtë mënyrë rrugët për fajde. Nxjerrja e fitimeve jashtë dhe qarkullimi informal i parasë, janë vënë në dukje që vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë. Qarkullimi i parave jashtë kanaleve bankare ka sjellë zhvillimin e kredisë informale e me interesa më të larta. Që në shtator të viti të kaluar, Banka e Shqipërisë ka njoftuar për një rritje jonormale dhe josezonale të parasë jashtë bankave, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për kreditë jashtë sistemit bankar me interesa të larta, që u ngjasojnë firmave piramidale.