100 kompanitë me fitimet më të larta

772
Sigal

Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2017. Mbizotërojnë koncesionet, bankat dhe kompanitë e lojërave të fatit. Ndërsa për bankat, fitimet e larta lidhen më së shumti me rimarrjen e provigjoneve, për lojërat e fatit ky është viti i katërt radhazi që ky biznes njeh rritje dyshifrore dhe norma kthimi në rreth 50%. Sa janë normat e fitimit sipas sektorëve kryesorë dhe cilat janë 10 subjektet me përfitueshmërinë më të lartë, që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit?

 Nga Ornela Liperi

Panorama është sa zhgënjyese, aq edhe ironike, për një investitor që do të donte të derdhte kapital në Shqipëri, në kërkim të një norme kthimi sa më të lartë. Sipërmarrjet që kanë normë më të lartë përfitueshmërie në vend janë lojërat e fatit, me kthim deri në 70%, apo dhe koncesionet. Për të dyja, nuhatja në biznes, aftësitë organizative dhe studimet e tregut nuk hyjnë shumë në punë. Lojërat e fatit kanë shënuar rritje dyshifrore të të ardhurave, paradoksalisht që pas aksionit të qeverisë “Fundi i Marrëzisë” në gjysmën e dytë të 2013-s, teksa normat e fitimit mbeten më të lartat në ekonomi, duke i kaluar edhe 50%. Koncesionet kanë qenë historikisht biznese “të dhuruara”, me treg të sigurt, mungesë konkurrence e fitime të larta. Edhe për këto biznese mungon një analizë e qartë kosto-përfitime, llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim, përkundrazi në disa raste, termat e koncesionit janë ndryshuar në favor të koncesionarit. Edhe bankat kryesojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta në vlerë absolute, kryesisht si rrjedhojë e rimarrjes së provigjoneve pas uljes së kredive të këqija, teksa të ardhurat prej disa vitesh nuk po rriten, në një mjedis me norma të ulëta interesi dhe me një total kredie ndaj biznesit që nuk po njeh zgjerim në vitin e fundit. Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po shkon drejt këtij sektori, duke krijuar me shumë gjasa një tepri në ofertë. Qiradhënia, sidomos ajo e praktikuar në qendra tregtare të pozicionuara mirë dhe me infrastrukturën e nevojshme për të përballuar flukse të mëdha njerëzish, po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, por, jo për të gjithë. Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, me një rritje prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në 2016-n. Kjo shumë përbën 33% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2017-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2017-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 210 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 4.8% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

 10 SIPËRMARRJET ME FITIMIN MË TË LARTË NË VLERË ABSOLUTE

  1. BKT

Banka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend, rezultoi në vitin 2017 si subjekti me fitimet më të larta të vlerë absolute, me fitime prej 8.4 miliardë lekësh, pothuajse e pandryshuar me një vit më parë. Të ardhurat nga interesi dhe komisioni u rritën, por në kahun e kundërt u shtuan dhe shpenzimet e personelit dhe ato administrative. Pozitivisht ndikoi ulja e provigjonimeve për huatë. Norma e fitimit ishte 44%, pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar.

  1. Raiffeisen

Raiffeisen, banka e dytë më e madhe në vend nga aktivet dhe të ardhurat, kishte një vit mjaft pozitiv në drejtim të fitimeve. Nga humbjet prej 4.4 miliardë lekësh në 2016-n, banka rezultoi me një fitim para taksave prej 4.5 miliardë lekësh në 2017-n, duke u renditur e dyta në vend për nga niveli i fitimeve në vlerë absolute. Ndonëse të ardhurat nga interesat ranë me gati 10%, banka u ndihmua nga ulja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjone (rimarrja nga zhvlerësimi i huave i kryer në vitet e fundit).

  1. OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka zbritur nga vendi i parë, ku ishte vitin e kaluar. Fitimi ra me 84%, në 3.4 miliardë lekë. Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ka pohuar për “Monitor” se 2017-a ishte testi më i fortë që OSHEE ka kaluar prej vitit 2014, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. “Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi gjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj”, tha Çela.

4 dhe 8. SPIECAPAG

SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016, që kryejnë punimet inxhinierike për gazsjellësin TAP kanë kulmuar aktivitetin e tyre në 2017-n, duke u renditur mes të mëdhave jo vetëm sipas qarkullimit vjetor, por edhe fitimeve. SPIECAPAG – Shqipëria pothuajse dyfishoi fitimet në 3 miliardë lekë, duke u renditur në vend të katërt, ndërsa SPIECAPAG Transadriatica, deklaroi fitime para taksave prej 1.8 miliardë lekësh, duke u renditur në vend të tetë (hyrje e re në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve).

SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së SPIECAPAG.

  1. Tirana International Airport

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2017-n, duke u renditur e pesta në total. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2017 arriti në 2.8 miliardë lekë, me një rritje prej 22% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.

Norma e fitimit arriti në 47%. Në mars 2016, TIA e zgjati dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Por, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes, Kukësi ende nuk ka aeroport funksional. Qeveria është në negociata edhe për ngritjen e një aeroporti në Vlorë.

Një konsorcium i kompanive Cengiz Construction-Kalyon Construction-Kolin Construction për të ndërtuar aeroportin në Jug të vendit që flitet të ketë një kosto 100 milionë euro, ndonëse nuk ka pasur shumë transparencë në lidhje me projektin apo me studimin e fizibilitetit të kryer për të. Dr. Rolf Castro-Vasquez, drejtor ekzekutiv (CEO) i Tirana International Airport ka pohuar se në rast se Vlora do të hapet, TIA pret që një pjesë e trafikut, midis 22-32% t’i kalojë këtij aeroporti, sidomos për operatorët që transportojnë turistë. Kjo do të sillte një rënie të fitimeve për TIA, duke e bërë koncesionarin të rishikonte planet për zgjerimin e aeroportit të Rinasit.

  1. Albchrome

Në vitin 2013, grupi Balfin hyri në tregun e mineraleve në Shqipëri përmes blerjes së koncesionit të Albchrome (miniera e kromit e Bulqizës). Në shkurt 2013, ortakët e “ACR Holding” S.r.l. i kanë shitur shoqërisë “Balfin” sh.p.k. 100% të kuotave të “ACR Holding” s.r.l, sipas njoftimit të atëhershëm nga Ministria e Ekonomisë (më herët koncesioni zotërohej nga italianët e Darfo).

Albchrome ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Kompania, duke shfrytëzuar koniunkturën e favorshme, ka arritur të rrisë të ardhurat vitet e fundit, duke rezultuar në të njëjtën kohë një sipërmarrje fitimprurëse. Fitimet e saj u dyfishuan në 2017-n, duke arritur në 2.1 miliardë lekë, me një normë përfitueshmërie prej 21.5%.

  1. Intesa SanPaolo Bank

Intesa SanPaolo Bank ka zbritur në vend të shtatë (një vit më parë ishte e treta), me fitime prej 1.9 miliardë lekësh, me rënie prej 30% me bazë vjetore. Rënia e të ardhurave, si pasojë e uljes së interesave, ulja e rimarrjes së provizioneve në raport me vitin e kaluar por edhe rritja e shpenzimeve, ka ndikuar në tkurrjen e fitimeve të ISP gjatë 2017. Norma e përfitueshmërisë gjithsesi mbeti në nivele të larta, duke shënuar 34%.

  1. APEX – AL

Operatori i lojërave të fatit, APEX-Al është për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, duke përforcuar një trend të konstatuar vitet e fundit, atë të rritjes së aktivitetit dhe përfitueshmërisë së këtij segmenti. Ky biznes nuk po ndien krizë dhe po shënon rritje vit pas viti. “Përpjekjet” e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj “marrëzie”, duket se kanë ndikuar në drejtimin e kundërt. Fitimet e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, me një rritje prej 36% me bazë vjetore. Norma e përfitueshmërisë është ndër më të lartat në vend, prej 70%.

  1. GSA

Operatori i tregtimit të energjisë, GSA, është një tjetër hyrje e re në dhjetëshe. Thatësira e tejzgjatur e vitit të kaluar, nxiti nevojën për importe të energjisë, duke i dhënë hov aktivitetit të tregtuesve të energjisë elektrike. Sipas bilancit, fitimi para taksave i GSA u trefishua në 1.4 miliardë lekë, ndërsa norma e përfitueshmërisë ishte 12%.

 DALJET NGA LISTA

Korporata Elektro energjetike Shqiptare (KESH) ka dalë nga lista, pas uljes së fitimeve nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n në 506 milionë lekë, si rezultat i thatësirës që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave. Një tjetër arsye, sipas deklarimeve të mëparshme të drejtorit të KESH, Agron Hetoja, lidhet me disa rregullime ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lëna në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë. RFZ Building, me aktivitete në ndërtim, që ishte pjesë e grupit Balfin, nuk është më në renditje (ishte e shtata vitin e kaluar, me fitime 1.4 miliardë lekë), pasi është përthithur në dhjetor 2016 nga zinxhiri i supermarketeve Spar Albania, po pjesë e Balfin, si një mënyrë për t’i dhënë sinergji dhe për optimizim fiskal të sipërmarrjeve të grupit, teksa RFZ Building rezultonte me fitime të larta. Sipas burimeve zyrtare nga grupi Balfin, fitimi i Spar Albania në 2017-n, para taksave ishte 535 milionë lekë. Operatori më i madh i tregtimit të karburanteve me shumicë, Kastrati SHA (e teta në 2016-n) është një tjetër dalje, pas rënies me 8.3% të fitimeve, në 1.2 miliardë lekë. Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimit, pjesë e grupit Balfin, është një tjetër dalje, teksa aktiviteti i kompanisë është në varësi të ecurisë së projekteve të ndërtimit.

 BANKERS ME FITIM PËR 2017, POR ENDE NUK PAGUAN TATIM

Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, atë të Patos Marinzës, e cila u rendit e katërta në vend sipas qarkullimit vjetor, ka deklaruar në bilanc një fitim kontabël përpara taksave prej 896 milionë lekësh, nga humbjet e mëdha prej 10.8 miliardë lekësh të një viti më parë. Por, burime nga kompania thanë se ky quhet fitim i izoluar dhe është hera e dytë kur Bankers deklaron fitim të tillë (rasti tjetër ishte në vitin 2014, kur çmimet e naftës kaluan mbi 100 dollarë për fuçi), por ajo nuk paguan tatim fitimi, pasi sipas deklarimeve të vetë kompanisë, nuk janë rikuperuar ende shpenzimet kapitale. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%.Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.

 FITIMET E MUNDIMSHME TË NAFTËS

Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. 18 operatorë të tregtimit të karburanteve, që përfshihen në renditjen e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave, qarkulluan 164 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot. Por kjo “lodhje” e madhe sjell pak shpërblim. Në tabelën tjetër, atë të renditjes sipas fitimeve, sipërmarrjet e tregtimit të naftës janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-2%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4-6%. Luigj Aliaj, drejtues në Kastrati, thotë se norma e vogël e fitimit është një dukuri e tregtuesve të karburanteve në gjithë botën. “Janë prodhuesit e naftës ata që fitojnë më shumë, pasi si shpenzim kanë vetëm koston e nxjerrjes, në një kohë që diktojnë çmimin. Ndërsa tregtuesit me shumicë nuk kanë forma për të diktuar çmimet, teksa karburantet tregtohen në bursë dhe çmimet luhaten disa herë në ditë. Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Luhatjet në këtë sektor janë shumë të larta, me kompani që hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në renditjen e fitimeve janë vetëm dy, Kastrati (shumicë dhe pakicë) dhe Bolv Oil. Kastrati sh.a., operatori më i madh i tregut të shumicës, ka një normë fitimi prej 2.8%, në rënie të lehtë nga 2.9% që ishte vitin e mëparshëm. Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku Kastrati sh.p.k raporton një normë prej 5.9%, nga 6.3% vitin e mëparshëm. Operatori tjetër i shumicës, Bolv Oil, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 3.8%, në rënie të ndjeshme nga vitet e kaluara, kur ky tregues luhatej mes 7-8%. Europetrol Durrës Albania dhe Genklaudis, që renditen ndër 10 më të mëdhenjtë në vend për nga të ardhurat, nuk përfshihen në listën e fitimeve, teksa rezultati financiar para taksave ishte përkatësisht me 124 dhe 134 milionë lekë, me normë kthimi minimale prej 0.5-0.6%. Eroil, që trefishoi të ardhurat në 1.8 miliardë lekë në 2017-n, duke u renditur i katërti ndër tregtuesit me shumicë, raportoi fitime minimale prej 1.2 milionë lekësh. monitor

Vijon nesër…