Tjetër ndryshim i qeverisë për importin e makinave, Euro 4 do lejohet nga viti 2005

513
Sigal

Qeveria ka bërë një tjetër ndryshim të vendimit të saj që ndalonte importin e mjeteve të përdorura dhe të regjistruara më herët në një vend të BE-së me vjetërsi mbi 10 vjet. Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, importi do të lejohet për standardin Euro 4, por tashmë do të lejohen të importohen vetëm makinat nga viti 2005 e në vijim. Detajet i ka bërë të ditura ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që zhvilloi një inspektim në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Berat ku u njoh me kushtet dhe cilësinë e shërbimeve që kjo drejtori ju ofron qytetarëve. Në këtë drejtori paraqiten 25 deri në 40 automjete në ditë për të marrë shërbimet, kryesisht ndërrim pronësie të mjetit ose regjistrimin për herë të parë të tij. Ministrja Balluku theksoi se me vendimin e miratuar së fundmi në Këshillin e Ministrave nuk do të ketë më mjete të targuara të viti 2004, pasi standardi që do të ndiqet do të jetë ai i emetimit Euro 4, i cili përfshin automjetet nga viti 2005 e në vijim. “Me VKM-në e re nuk do të ketë më mjete të 2004 të targuara apo të 2003, pasi standardi që këtu e tutje do të jetë standardi i emetimit Euro 4, i cili përfshin nga viti 2005 e tutje. Sigurisht ky është një ndryshim i fundit që erdhi në VKM-në 633 për shkak edhe të kërkesës së qytetarëve. Është rishikuar, por ndërkohë është zbatuar standardi evropian i 2004, duke respektuar edhe ambientin pasi edhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”- deklaroi Balluku. Ministrja kërkoi nga punonjësit e DRSHTRR që të informojnë qytetarët të cilët paraqiten pranë zyrave të tyre se tashmë është shtyrë deri në 31 dhjetor afati i hyrjes në fuqi në VKM-së. “Ajo çfarë ju duhet ti shpjegoni të gjithë qytetarëve që vijnë këtu është që është shtyrë edhe afati i hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je, pra deri në 31 dhjetor, duke qenë se ka qenë një shqetësim shumë i madh i të gjithë qytetarëve afati shkurtër, sigurisht edhe i tregtarëve, por ajo që ne na intereson më tepër dhe vëmendja sigurisht është tek çfarë qytetarët kërkojnë”, tha Ministrja.