Gazeta Telegraf/ Qeveria shet 300 të moshuar, jep me koncesion të përjetshëm 6 azilet e pleqve

26 Sep 2016

Të moshuarit e braktisur nga fëmijët dhe fati, që janë strehuar në qendrat sociale, do të jenë “lëndë e parë” e një biznesi të ri

 

Përparim HALILI

 

Koncesionet e çdo sektori publik në Shqipëri nuk po ndalen as së sajuari, as së realizuari. Kujtojmë që kupola e “Rilindjes”, një nga pikat e programit ekonomik të hartuar e të shpallur me bujë “anti-korrupsion” gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kishte dhënien fund të koncesioneve. Por prej 3 vitesh qeverisje po bën të kundërtën e premtimit dhe përbetimit të saj, duke vazhduar dhënien e koncesioneve të shumta e klienteliste në çdo sektor, madje edhe për shërbime të sajuara, thjesht dhe vetëm për të “arkëtuar” miliona euro në xhepat e disa familjarëve, shokëve, ortakëve, miqve e klientëve të tyre brenda dhe jashtë kupolës politike! Edhe pse u deklarua se do të anulonte koncesionet e dhëna deri më shtator 2013, vetëm 1 javë pas marrjes së drejtimit të qeverisjes, u dhanë koncesionet e para për “familjen” në miliona euro me afate mbi 10 vjet në shëndetësi, polici, ushtri, kulturë, dogana, tatime, ushqime, energji, tregje, rrugë, arsim e kudo. Sot po publikojmë rastin e një koncesioni tjetër...

 

Azilet e pleqve, do të jepen me koncesion të përjetshëm

 

Në vazhdim të koncesioneve të sajuara, këto ditë po flitet se po përgatitet të miratohet një koncesion tjetër, me objekt të “çuditshëm”. Sipas burimit të informacionit, thuhet se qeveria “Rilindja” ka hartuar dhe pritet të miratoj me urgjencë një projekt-vendim, për të dhënë me koncesion edhe azilet e pleqve. Lajmi ka depërtuar edhe brenda mjediseve të azileve, duke shkaktuar irritim dhe reagim të ashpër tek të moshuarit që jetojnë në këto qendra sociale. Sipas projektit, ky koncesion do t’i jepet një biznesi privat që ka lidhje të afërta e të forta biznesi, familjare dhe klanore me rrethin e ngushtë të kupolës së “Rilindjes”, emri i të cilit është bërë i ditur për gazetën “Telegraf”. Sipas informacionit, koncesioni do të jetë i përhershëm, por i përcaktuar me afate kohore 20-vjeçare, me të drejtë shtyrje kontrate edhe 10 vite të tjerë pa konkurrim, për firmën që e ka marrë atë në fillim (pra 30 vjet). Tashmë gjithçka është bërë gati dhe pritet të miratohet vetëm vendimi përkatës, i cili nuk kalon për votim e miratim në parlament, por vetëm në qeveri. pas VKM-përkatëse, do të bëhet tenderi e të do të shpallet fituesi i koncesionit. Ky lajm, ka shkaktuar irritim tek të moshuarit që jetojnë në azile, të cilët kanë vendosur të reagojnë me një “Letër të hapur”, drejtuar kryeministrit Edi Rama, prej të cilit do të kërkojnë prerazi, që ky koncesion të mos miratohet. Të moshuarit e grumbulluar nga shteti në qendrat sociale, kërkojnë që azilet ku ata jetojnë bashkërisht si njerëz të braktisur, të vetmuar e në nevojë jetike, të mos jepen me koncesion por të trajtohen nga shteti, që sipas tyre është dhe duhet të jetë garanti për të siguruar shërbimin ndaj tyre. Po a do të dëgjohet zëri i këtyre të moshuarve të mbyllur brenda rezidencave sociale? A do të anulohet ky koncesion -biznes që si “lëndë të parë” të parë disa të moshuar, të cilëve u ka mbetur vetëm “Fuqia e Zotit”? Zërat brenda kupolës së “Rilindjes”, na bëjnë me dije se ky koncesion (biznes), do të miratohet, paçka se mund të ketë reagime nga të moshuarit e azileve, nga OJF e nga kushdo tjetër. Koncesioni do të përlajë çdo vit, miliona euro taksa shqiptarësh në formë financimesh nga shteti, do të përlajë pensionet mujore të pleqve që jetojnë në azile, pagesat që familjarët e tyre bëjnë për ta në azile, si dhe sipas kushteve të koncesionit do të përlajë edhe pasuritë dhe llogaritë bankare private që kanë pleqtë e azileve, të cilat do të mbeten peng i koncesionarit për çdo azil përkatës ku do të trajtohen të moshuarit, kjo sipas modelit të azileve në vendet e BE. Të braktisur nga fati, nga fëmijët dhe familjet e tyre, këta të moshuar në nevojë e fatkeq, duket se do të braktisen edhe nga shteti, duke i çuar të kalojnë vitet e mbetura, si “lëndë e parë” e koncesion-biznesit të përjetshëm privat.

 

Do jepen me koncesion 6 azile me 300 të moshuar

 

Këtë shërbim social e përfitojnë vetëm të moshuarit të identifikuar si njerëz në nevojë, për arsye se të mbetur vetëm, janë pa të ardhura dhe përkrahje. E drejta për t’u sistemuar dhe përfituar statusin e rezidentit, bëhet mbi bazën e kërkesave normative të V.K.M. Nr. 425 datë 26,06.2012. Aktualisht janë 6 azile pleqsh që do të jepen me koncesion, konkretisht Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan, por gjithashtu edhe Qendra Ditore Polivalente në Kamzë, ku në total  trajtohen 300 të moshuar!

 

Ja vendimi që pranon të moshuarit në azile

 

VENDIM

Nr. 425, datë 27.6.2012

KRITERET, DOKUMENTACIONI DHE NISMA PËR PRANIMIN E PERSONAVE TË MOSHUAR NË INSTITUCIONET REZIDENCIALE, PUBLIKE DHE JOPUBLIKE, TË PËRKUJDESJES SHOQËRORE

1. Personat e moshuar, për t'u pranuar në institucionet e përkujdesjes shoqërore, duhet të përmbushin këto kritere:

a) vijnë nga familje pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;

b) vijnë nga familje në nevojë, të vlerësuara nga administratori shoqëror;

c) janë të vetmuar, të braktisur dhe pa të ardhura;

ç) kanë mbushur moshën për pension, sipas legjislacionit në fuqi.