Gazeta Telegraf/ Qeveria shet 300 të moshuar, jep me koncesion të përjetshëm 6 azilet e pleqve

656
Sigal

Të moshuarit e braktisur nga fëmijët dhe fati, që janë strehuar në qendrat
sociale, do të jenë “lëndë e parë” e një biznesi të ri

 

Përparim HALILI

 

Koncesionet e çdo sektori publik në Shqipëri nuk po ndalen as së sajuari,
as së realizuari. Kujtojmë që kupola e “Rilindjes”, një nga pikat e programit ekonomik
të hartuar e të shpallur me bujë “anti-korrupsion” gjatë fushatës elektorale të
zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kishte dhënien fund të koncesioneve. Por prej
3 vitesh qeverisje po bën të kundërtën e premtimit dhe përbetimit të saj, duke
vazhduar dhënien e koncesioneve të shumta e klienteliste në çdo sektor, madje
edhe për shërbime të sajuara, thjesht dhe vetëm për të “arkëtuar” miliona euro
në xhepat e disa familjarëve, shokëve, ortakëve, miqve e klientëve të tyre
brenda dhe jashtë kupolës politike! Edhe pse u deklarua se do të anulonte
koncesionet e dhëna deri më shtator 2013, vetëm 1 javë pas marrjes së drejtimit
të qeverisjes, u dhanë koncesionet e para për “familjen” në miliona euro me afate
mbi 10 vjet në shëndetësi, polici, ushtri, kulturë, dogana, tatime, ushqime,
energji, tregje, rrugë, arsim e kudo. Sot po publikojmë rastin e një koncesioni
tjetër…

 

Azilet e pleqve, do të jepen me koncesion të përjetshëm

 

Në vazhdim të koncesioneve të sajuara, këto ditë po flitet se po përgatitet
të miratohet një koncesion tjetër, me objekt të “çuditshëm”. Sipas burimit të
informacionit, thuhet se qeveria “Rilindja” ka hartuar dhe pritet të miratoj me
urgjencë një projekt-vendim, për të dhënë me koncesion edhe azilet e pleqve. Lajmi
ka depërtuar edhe brenda mjediseve të azileve, duke shkaktuar irritim dhe
reagim të ashpër tek të moshuarit që jetojnë në këto qendra sociale. Sipas
projektit, ky koncesion do t’i jepet një biznesi privat që ka lidhje të afërta
e të forta biznesi, familjare dhe klanore me rrethin e ngushtë të kupolës së
“Rilindjes”, emri i të cilit është bërë i ditur për gazetën “Telegraf”. Sipas
informacionit, koncesioni do të jetë i përhershëm, por i përcaktuar me afate
kohore 20-vjeçare, me të drejtë shtyrje kontrate edhe 10 vite të tjerë pa
konkurrim, për firmën që e ka marrë atë në fillim (pra 30 vjet). Tashmë
gjithçka është bërë gati dhe pritet të miratohet vetëm vendimi përkatës, i cili
nuk kalon për votim e miratim në parlament, por vetëm në qeveri. pas VKM-përkatëse,
do të bëhet tenderi e të do të shpallet fituesi i koncesionit. Ky lajm, ka
shkaktuar irritim tek të moshuarit që jetojnë në azile, të cilët kanë vendosur
të reagojnë me një “Letër të hapur”, drejtuar kryeministrit Edi Rama, prej të
cilit do të kërkojnë prerazi, që ky koncesion të mos miratohet. Të moshuarit e
grumbulluar nga shteti në qendrat sociale, kërkojnë që azilet ku ata jetojnë
bashkërisht si njerëz të braktisur, të vetmuar e në nevojë jetike, të mos jepen
me koncesion por të trajtohen nga shteti, që sipas tyre është dhe duhet të jetë
garanti për të siguruar shërbimin ndaj tyre. Po a do të dëgjohet zëri i këtyre
të moshuarve të mbyllur brenda rezidencave sociale? A do të anulohet ky
koncesion -biznes që si “lëndë të parë” të parë disa të moshuar, të cilëve u ka
mbetur vetëm “Fuqia e Zotit”? Zërat brenda kupolës së “Rilindjes”, na bëjnë me
dije se ky koncesion (biznes), do të miratohet, paçka se mund të ketë reagime
nga të moshuarit e azileve, nga OJF e nga kushdo tjetër. Koncesioni do të përlajë
çdo vit, miliona euro taksa shqiptarësh në formë financimesh nga shteti, do të
përlajë pensionet mujore të pleqve që jetojnë në azile, pagesat që familjarët e
tyre bëjnë për ta në azile, si dhe sipas kushteve të koncesionit do të përlajë
edhe pasuritë dhe llogaritë bankare private që kanë pleqtë e azileve, të cilat
do të mbeten peng i koncesionarit për çdo azil përkatës ku do të trajtohen të
moshuarit, kjo sipas modelit të azileve në vendet e BE. Të braktisur nga fati, nga
fëmijët dhe familjet e tyre, këta të moshuar në nevojë e fatkeq, duket se do të
braktisen edhe nga shteti, duke i çuar të kalojnë vitet e mbetura, si “lëndë e
parë” e koncesion-biznesit të përjetshëm privat.

 

Do jepen me koncesion 6 azile me 300 të moshuar

 

Këtë shërbim social e përfitojnë vetëm
të moshuarit të identifikuar si njerëz në nevojë, për arsye se të mbetur vetëm,
janë pa të ardhura dhe përkrahje. E drejta për t’u sistemuar dhe përfituar
statusin e rezidentit, bëhet mbi bazën e kërkesave normative të V.K.M. Nr. 425
datë 26,06.2012. Aktualisht janë 6 azile pleqsh që do të jepen me koncesion,
konkretisht Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan, por
gjithashtu edhe Qendra Ditore Polivalente në Kamzë, ku në total  trajtohen 300 të moshuar!

 

Ja vendimi që pranon të moshuarit në azile

 

VENDIM

Nr. 425, datë 27.6.2012

KRITERET, DOKUMENTACIONI DHE NISMA PËR PRANIMIN E
PERSONAVE TË MOSHUAR NË INSTITUCIONET REZIDENCIALE, PUBLIKE DHE JOPUBLIKE, TË
PËRKUJDESJES SHOQËRORE

1. Personat e moshuar, për t’u pranuar në
institucionet e përkujdesjes shoqërore, duhet të përmbushin këto kritere:

a) vijnë nga familje pa të ardhura ose me të
ardhura të pamjaftueshme;

b) vijnë nga familje në nevojë, të vlerësuara nga
administratori shoqëror;

c) janë të vetmuar, të braktisur dhe pa të
ardhura;

ç) kanë mbushur moshën për pension, sipas
legjislacionit në fuqi.