Vladimir Grillo:Emocioni më i madh i jetës sime, kur transmetova golin e Sokol Kushtës, që i uli kokën jugosllavëve para vlonja

1039
Sigal

Vladimir  Grillo: Në vitin 1989, na mbajtën 24 orë në kufirin e Kakavijës sepse spiunët kishin raportuar që sportistët tanë kishin dollarë me vete

Vladimir Grillo ka studiuar për Gjuhë-Letërsi në vitin 1969. Në përgjithësi ka qenë një nxënës sistematik, i dëgjueshëm, me nënën mësuese që e vëzhgonte në mënyrë të  rregullt. Në shkollën tetëvjeçare ka një ngjarje që e kujton me një ndjenjë ankthi: “Përpara   shkollës,  na  hoqën  shaminë  e pionierit dhe na thyen notën në sjellje. Ashtu ishte atëherë. N.q.s bëje ndonjë gabim në shkollë, merrnin masa disiplinore përpara kolektivit të shkollës. Ngjarja ishte e thjeshtë.  Na  thanë se do  të  shkonim  në  ekskursion  në Dajt dhe do të flinim në kampin e pionierëve. Kemi qenë në klasë të shtatë. Në çastin e fundit ndryshoi drejtimi dhe ekskursionin  e  bëmë  në  Petrelë, me kthim brenda ditës në shtëpi. Një  grup shokësh menduan të flinim në Petrelë, në kala. Kështu u ndamë nga të tjerët. Mësuesi kujdestar, shumë i merakosur, përdori të gjitha mënyrat për të mos na lënë në kala natën. Ne e kishim vendosur. Megjithatë profesori arriti të na nxjerrë.  Për kokëfortësinë time për të mos dalë nga kalaja, mësuesi më futi një shpullë gati si grusht, (e para dhe e fundit në jetën time) dhe të nesërmen na hoqën shallin e pionierit  para  të gjithë  shokëve dhe nota e sjelljes na u bë katër”. Mban mend që i erdhi shumë keq për nënën, sepse duke  qenë mësuese në atë shkollë e kishte  shumë të vështirë. Përpara saj e pranoi fajin, por babai nuk e mori vesh asnjëherë.

Puna në TVSH

Filloi pikërisht më 3 Janar 1970. Ishte një ditë e veçantë për të. E thirri në zyrë ish -drejtori i RTSH-së, në atë kohë Thanas Nano. Ai kishte një prezencë të padiskutueshme në televizion. Ishte autoritar dhe kërkues. Nuk ishte vetëm ai atë ditë që mori emërimin. Ka qenë dhe Ylli  Pepo, Vullnet Musaraj, Agron Aranitasi e të tjerë. I ndanë nëpër sektorë. Fillimisht, për disa muaj punoi në sektorin e kulturës, ku televizioni  transmetonte 3 ditë në javë. Emisioni i parë dhe më i vështiri për momentin në të cilin filloi punë ka qenë një diskutim për krijimtarinë e shkrimtarit  Fatos  Arapi. Regjisor ka qenë  Mevlan  Shanaj. U kritikua bashkë me Mevlanin, për faktin se, në studio, në këtë emision morën studentë,  ku shumë vajza  erdhën me funde të shkurtra mbi gju. Të nesërmen u gjend në siklet. Nuk mund të pranoheshin të tilla veshje atëherë. Quheshin shfaqje të huaja. Sot këto dukuri…(qesh). Në ekran, për të drejtuar një emision të veçantë të përgatitur prej tij përkon me rubrikën për sportin. Ky kalim nga kultura tek sporti, nuk u prit mirë nga shtëpia. Përpara se të fillonte punë  kishte qenë në kontakt me shtypin, ku shkruante për kulturën, për  kinematografinë, e sigurisht,  dalja  në  ekran jashtë këtyre nuk u mirëprit. Por kjo ishte dhe dëshira e tij edhe e detyruar. Doli me  emocion, një gjë e panjohur. Një eksperiencë e re. E pati të vështirë, bëri gabime, por me  këshillat  e  miqve dhe të shokëve arriti të ketë suksese.

Rubrika Sportive

Në Rubrikën Sportive ka kaluar në vitin 1971. Ndërkohë, bashkë me operatorin Astrit Omeri përgatisnin dhe bënin edhe emisionin Sport-Kalitje-Shëndet, që trajtonte problemet  e sportit dhe transmetohej ditën e mërkurë. Rubrika Sportive erdhi duke u rritur nga  ana  cilësore dhe arriti  kulmin  kur në vendin tonë morën një zhvillim të madh sportet e lojërave me dorë për meshkuj dhe femra. U propozua që Rubrika Sportive të transmetohej direkt në studion nr.1 dhe me përmasa më  të mëdha dhe të merrte karakterin e një shfaqjeje shou dhe me auditor. Duke  pasur lidhje shumë të rregullta me grupin e Estradës së Vlorës  që na ndihmoi shumë, suksesi u arrit. Ky ka qenë një kulm i  Rubrikës që filloi të shoqërohej dhe me humor. Kjo vazhdoi për  disa  kohë, por  një  ditë  ju komunikua që nuk do ta drejtonte  më  Rubrikën  Sportive. Ditën dhe vitin nuk e mban mend. Nuk i thanë arsyen e vërtetë. Por diçka të tillë sikur ishte disi i ftohtë në  komunikim. Ndjeu  një  zhgënjim,  sepse gjithë ajo  punë e bërë në bashkëpunim me regjisorët  Albert  Minga dhe Osman Mula për vite me radhë, u hodh poshtë pa të keq.

Rast i veçantë

Veçon njërin. Ishte me regjisorin Albert Minga dhe shkuan një  herë në klinikën e  udhëheqjes  për  të  parë një mikun  e tyre. Ishte dashamirës i sportit dhe sekretar i parë në Korçë për sportin Enver Halili. Ishte njeri që e përkrahte shumë sportin  dhe  kulturën. U befasuan se aty gjetën  edhe drejtorin e tyre,  edhe drejtuesin e zyrës së shtypit të Komitetit Qendror, Miti Tona. Enver Halili u shpreh se, Rubrika Sportive po ndiqej  shumë  dhe po  konkurronte  “Dinastinë”. Dinastia ishte një film serial që atëherë ndiqej shumë. Këtë e përçoi edhe Miti Tona. Pra, nga njëra anë një Rubrikë tejet e ndjekur, nga ana tjetër një zhgënjim i madh kur ju  komunikua pushimi. Ndenji disa vjet pa dalë fare në ekran, rreth 4 vjet. Më vonë, drejtori i Përgjithshëm, Marash Hajati,  i tha se do të vazhdosh përsëri drejtimin e këtij emisioni.

Në Greqi me peshëngritjen 1989

Jo vetëm suksese. Jo vetëm lavdërime. I janë bërë  edhe  vërejtje që i ka kaluar me shumë  qetësi, pasi një pjesë e këtyre vërejtjeve ishin  që të përmirësonte punën. Kishte  një  kënaqësi të madhe që në ekran të dilte sa më shumë sport. Duke ditur dëshirën e  shqiptarëve për  sportin dëshironte që sa më shumë aktivitete ndërkombëtare të futeshin në ekran. Kjo përpjekje e mirë u shoqërua edhe me urime. I pëlqente t’u jepte shumë dashamirësve të  sportit, ishte  diçka që ata e kërkonin. Ishin të etur. Se atëherë nuk ishte e lehtë. Që të transmetohej një ndeshje  ndërkombëtare duhej të merrje pëlqimin nga Zyra  e Shtypit në  Komitetin  Qëndror. Kurse për evenimente veçon vajtjen e parë jashtë në një kampionat ballkanik në Turqi, ku xhiroi vetë me kamera. Nuk harron Kampionatin e Peshëngritjes në Athinë, ku  në vitin 1989 ishte edhe europiani edhe botërori. Delegacioni  shqiptar u nis shumë i  përgatitur  për në  botëror  dhe kanë ndenjur  afro 24 orë në Kakavijë  sepse u dha sinjali që sportistët kishin  dollarë me vete për ndonjë blerje të vogël. Një  peshëngritës  hodhi pa dashje  në lulishte një  kaçavidë, ky veprim  u  pa  nga  roja dhe u bë një rishikim i autobusit  dhe u gjetën rreth 2 mijë dollarë. Nuk lejohej që valuta të nxirrej jashtë. Për të gjithë  delegacionin ishin gati të ktheheshin, vetëm  një  ndërhyrje e  fundit  e Adil  Çarçanit (atëherë Kryeministër) bëri që rruga të hapej. Lekët u morën dhe nuk ua kthyen më sportistëve. Por  Kampionati  Botëror u buzëqeshi, megjithëse, nuk ishin mirë nga ana shpirtërore. Ekipi ynë mori tre medalje. Kthimi pastaj ka qenë  skandaloz, pjesë-pjesë. Të fundit ishin pesë vetë që u kthyem  me  autobus nga Athina  në Janinë. Ishin Pirro Dhima, Koço  Mikerezi, Niko Buneci dhe një peshëngritës nga Shkodra. Nga  Janina  në Kakavijë  erdhën me  taksi. Pastaj autobusi  i “Luftëtarit”,  i  çoi nga  Kakavija në Gjirokastër. Kryetari i Komitetit të Gjirokastrës u dha një “Zuk”  të  Ndërmarrjes së Ndërtimit me të cilin erdhën në Tiranë. Kjo  ka qenë në vitin 1989.

Dita më e vështirë në transmetim nga Beogradi

Minutat me gjendje emocionale më të fuqishme, i ka përjetuar në transmetimin në Beograd. Sa e bukur, po aq dhe me përgjegjësi. Në një ndeshje ndërkombëtare  në  vitin 1987, kur ka  luajtur  Flamurtari në futboll me ekipin e “Partizanit”, të Beogradit. U vendos  që Televizioni Shqiptar   të  transmetonte ndeshjen. Masat u  morën në mënyrë perfekte dhe  delegacioni  shqiptar  u  prit  mjaft  mirë. Kur filloi transmetimi njoftohen se zëri nuk shkonte në  studio. Po të shikojmë në arkiv, 15 minutat  e para janë transmetuar  nga studioja në Tiranë. Pastaj çdo gjë u zgjidh si me magji. Nuk  e kuptoi se si u  rregullua kjo, por dinë që një ushtarak i klubit  “Partizani” doli  nga tribuna, bërtiti dhe mbas 2-3 minutash  transmetimi u bë normal. Para ndeshjes pati një incident të vogël me sulmuesin Sokol Kushta. Ai doli me të dhe një shokun e tij në Beograd për të blerë diçka. E kishin mendjen tek ndeshja ndërsa Kushta, tek të blerët. I foli për këtë. Atij i ngeli hatri. Kur  mbaroi  ndeshja, dhe Ladi  ishte  duke  shkuar në  Konferencën  e Shtypit  dhe Sokoli duke dalë nga  dushi i tha: Golin e kam bërë për  ty! Në  çastin  e golit Ladi lotoi. Ishin lot emocioni, gëzimi. Kjo u dallua edhe në dridhjen  e zërit që pësoi zëri i tij. Ishte një ndeshje e madhe e një vendi të vogël. Ishte një çast magjik i papërsëritshëm. Nuk e dinë ende se si i përjetoi ato çaste. I dukej sikur ishte në ajër. Sikur fluturonte. Për një çast shtangu. Nuk foli. U mek. Pështyma j’u tha në gojë. Rrahjet e zemrës j’u shpeshtuan. Pastaj shpërtheu…Goooool… ! Lotët i zbrisnin nëpër fytyrë dhe i njomën buzët. Ndeshja përfundoi 2-1, për jugosllavët, por ne u kualifikuam pasi kishim fituar në Shqipëri 2-0. Partizani Beogradit ishte një ekip i madh në atë kohë. Ky ishte  gol kualifikues. Pak më vonë ndjeu një emocion  të dytë kur i ka thënë një gazetar nga Kosova që transmetonte për  Prishtinën në Radio se komentatori  jugosllav  ishte shprehur që, Kushta e dërgoi topin atje  ku  bën merimanga folenë (në mënyrë figurative) ?!. Ladi e takoi atë dhe e falënderoi. Ai e mirëpriti me dashamirësi komplimentin. Sporti i bashkon njerëzit. Dhe kuptohet ajo darkë ka qenë  e paharrueshme. Ishin në delir.

Kthimi në Shqipëri nga Beogradi

-Çasti i  kthimit ka qenë ndryshe. Në  fermën e Shtoit dhe në Shkodër ishin shtruar dy dreka të mëdha, por në Doganën e Hotit u bë një  reprezalje. Një  vit përpara  me  barazimin  0-0, në Barcelonë, Flamurtari u eliminua, pasi Barcelona  bëri  gol në  portën vlonjate. Në aeroport nuk u bë asnjë  kontroll. Krejt ndryshe me Hanin e Hotit. Flamurtari u kualifikua. Në doganë u bë një kontroll i imtësishëm, me orë të tëra dhe kjo krijoi gjendje jo të mirë tek lojtarët, deri në tension.  Pra u zbeh magjia e fitores.

Australia

Në  Lojërat  Olimpike  në  vitin  2000 në Australi ishte befasia. Ka  qenë  një  tjetër  eksperiencë e një lloji tjetër po me TVSH-në. Aplikoi nga  Komiteti Olimpik ndërkombëtar dhe j’u akordua  një  bursë  që u  jepej gazetarëve të vendeve të vogla,  si gazetar pasi kamera nuk lejohej. Mban mend se  pati edhe gazetarë nga vende të tjerë që u  lejohej  vetëm  të  shkruanin ose të jepnin informacion nëpërmjet  radios ose internetit, por pa xhirime. Ishte  një  ëndërr  për çdo gazetar që të merrte  pjesë  në Lojërat Olimpike  që organizohen një herë në katër vjet, sepse të jepej mundësia të takojë më të mirët, të hyjë në mjediset sportive, në konferencat e  shtypit. Këtë  punë pastaj e relatoi  dhe e transmetoi nëpër gazeta, radio, natyrisht edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.