Vitri Zyka:Prodhimet e huaja të mishit janë të stimuluara me hormone

700
Sigal

INTERVISTA/  Flet ish-zooveterineri Vitri Zyka

Mishi, peshku, veza ndër ushqimet më të kërkuara në treg. Në regjimin komunist këto prodhime ishin bio ndaj dhe në treg ishin me racion. Sot kemi një mbiprodhim të tyre, por sot këto ushqime janë me hormone, të rritura me ushqim koncentrat, ku shija e tyre as mund të krahasohet me ato të regjimit komunist. Por e çuditshmja është se këto prodhime në regjimin komunist shiteshin në treg nën kosto. E pabesueshme, për ekonominë e tregut, por e vërtetë në regjimin komunist.

 Ku ke punuar në fillimet e tua si zooveteriner?

Në ndërmarrjen shtetërore të rritjes së derrit në Orikum, në vitin 1964. Ishte një nga ndërmarrjet më të fuqishme në Vlorë, pasi furnizonte qytetin e Vlorës me mish derri. Pra ne merreshim kryesisht në masën më të madhe me derrin, por kishim dhe dhen, por edhe shpendë. Ne kishim 230 dosa që i bënim çdo muaj me dorëzim, ku arrinim të kishim 4 mijë derra çdo muaj. Pra 230 dosa ishin mjete themelore, ku derrat më pas i çonim për majmëri, ku më vonë thereshin për të furnizuar qytetin e Vlorës.

Por sot thuhet që në regjimin komunist mishi ishte me hollon?

Mish kishte, por jo aq sa të kishte çdo ditë në treg. Kërkesat ishin më të mëdha në raport me ato që afronim ne. Ne furnizonim rregullisht Vlorën me mish derri. 

Pse nuk kishit mundësi që të rritnit më shumë derra?

Por aq kishim mundësi si ndërmarrje, ku përveç nesh, Vlorën e furnizonte me mish edhe Llakatundi dhe Mifoli.

Kush ishte problemi kryesor i saj kohe për mishin e derrit?

Ishte kostoja e lartë. Pra mishi i derrit shitej me çmim nën kosto, pjesën tjetër të çmimit e subvenciononte shteti. Ishin  ushqimet që ne u jepnim me kosto të lartë. P.sh në Dukat, misri apo himet që merrnin ne nga Vlora kishin kosto shumë të lartë. Dua të theksoj se ne më vonë mbollëm në Dukat dhe panxharsheqerin për derrat, apo qumësht tërshëre për gicat. Pra të gjitha këto ushqime specifike për kohën kishin shumë kosto të lartë. D.m.th nga ana teknike ne vinim në dispozicion shumë ushqime të ndryshme. Kjo kosto ka bërë që në vitet 1972-‘73, kjo Ndërmarrje të përcaktohej si kanceri i Ndërmarrjes së Grumbullimit të Vlorës.

 Përse?

Sepse ishte me kosto të lartë. Pra shitej nën kosto, por shteti ishte i detyruar që të mbahej kjo ndërmarrje. Mishi i derrit duhej në treg si llojshmëri.

 Udhëheqja a e dinte dhe çfarë masash pati marrë?

Qëllimi kryesor i udhëheqjes ishte të siguronte popullin me mish dhe pse kishte kosto të lartë, pasi importimi atëherë ishte diçka e rrallë. Ne çdo gjë duhej ta bënim me forcat tona. Një kg mish derri atëherë shitej me 119 lekë, pjesa tjetër subvencionohej nga shteti. N.q.s kg i mishit të deles shitej me 127 lekë prodhohej me 110 lekë kg apo 111 lekë. Po kështu edhe shpendët, ku kostoja e vezës dilte më e lartë në raport me sa shitej. Pra shitej me çmim më të ulët dhe pse dilte me kosto më të lartë. Kjo ishte dhe në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora”, ku kalova më vonë. Në këtë ndërmarrje punova 19 vjet. P.sh aty një kokërr vezë ishte planifikuar me 0.6 lekë kostoja dilte me 0.7 dhe shitej 0.6 pra nën kosto.

 Po ndërmarrja “Vlora” çfarë kishte si bazë furnizimi?

Si bazë kishte furnizimin e Vlorës me qumësht. Ne prodhonim çdo ditë rreth 40 kuintal qumësht. Qumështi dilte në përgjithësi mirë, pra me fitim. Ne prodhimin e qumështit në masën më të madhe e merrnim nga lopët, ndërsa nga delet më pak. Kishim kullotat dimërore tek ullishtat ndërsa ato verore në Këndërvicë.

 Ndërmarrja “Vlora” a ishte më e madhe se ajo e Orikumit?

 Po, ishte ndërmarrje më e madhe, pasi kishte bazën e furnizimit të qytetit me shumë prodhime blegtorale dhe bujqësore. Ne në këtë ndërmarrje kishim  tre mijë e dyqind punëtorë. Kryesisht ne kultivonim ullirin, por njëkohësisht kryesore ishin lopët, shpend dhe dhen. 

 Sa lopë kishte ndërmarrja?

Lopë në mjelje ne kishim rreth  200 krerë, pastaj mbanim remont, mëshqerrat rreth 40, ndërsa dhen kishim 700 krerë. Ndërsa shpend kishim rreth 40 mijë krerë.

 Po atëherë pse nuk përballohej tregu me vezë?

Sepse pak ndërmarrje kishte për prodhimin e vezëve. P.sh ndërmarrja  jonë  prodhonte vezë dhe më tej pak Llakatundi dhe ndërmarrja bujqësore e parë, pasi dhe në atë kohë kostoja e vezës siç e thashë ishte më e lartë. Pra shitej nën kosto.

Po sot pse del nën kosto dhe me fitim veza?

Pasi në atë kohë ne nuk kishim ushqime të tilla koncentrat.

Në atë kohë ne kishim si koncentrat një ushqim që quhej “Premiks”, përdornim miellin e peshkut që prodhonte Vlora, por merrnim dhe nga jashtë, pasi ai ushqim stimulonte prodhimtarinë e vezëve.  E dyta, ne harxhonim shumë energji elektrike në gjitha pularitë, pasi për shpendët rekomandohej  një llambë 100 vatëshe për 5 metër katror. Ky ndriçim stimulonte dhe ngrohte më mirë pulat. Pastaj që në atë kohë filloi të përdorej dhe muzika në pulari etj., sepse edhe muzika stimulonte bërjen e vezëve.

 Kush vinte më shumë nga udhëheqja e kohës për kontroll?

Shpesh herë vinte Manush Myftiu, Rita Marko, madje në një analizë ka qenë dhe Simon Stefani në krye të një ekipi të Komitetit Qendror, pasi problemet ishin të shumta në blegtori dhe në bujqësi. Detyra jonë ishte të prodhonim sa më shumë mish dhe vezë për qyteti, pra që tregu të mos ishte bosh megjithë vështirësitë e kohës. Në fakt nevojat për këto prodhime ishin shumë të mëdha dhe ne nuk mund t’i përballonim.

 Manysh Myftiu vinte rregullisht?

Po, një ose dy herë në vit. Interesohej direkt për prodhimin e vezëve dhe të mishit, ishin prioritet e tij këto furnizime. Nuk dua ta mohoj punën që bëhej dhe interesimin, pavarësisht se prodhimet kurrë nuk u arritën në atë masë sa kërkonte tregu. Në prodhimet e lopës ne nxirrnim qumështin, por detyroheshim të nxirrnim dhe kremin, sepse nga kremi dilte gjalpi. Problemet kryesore të bagëtive dhe të pulave ishin ushqimi, ku kryesisht këto të fundit kishin apo përdornin koncentrat por për lopët mbillnim dhe foragjere. Ne prodhonim jo vetëm tërfil apo jonxhë,  lakër foragjere, që konsumonte çdo ditë sektori i lopëve. Mund të them se çdo ditë ky sektor konsumonte 150 kv foragjere.

 Përse nuk hapeshin shumë qendra të rritjes së shpendëve në atë sistem si sot, për të përballuar kërkesat e tregut?

 Pasi në atë kohë detyrë themelore ishte sigurimi i bukës në vend, ku pjesa më e madhe e tokës mbillej me grurë, misër dhe tërshërë. Ky ishte objekti ose qëllimi kryesor i partisë, sigurimi me çdo kusht i bukës  në vend, për të çarë bllokadën. Pra, ndaj nuk hapeshin shumë qendra pularie dhe stalla për lopët. Për të siguruar shumë ushqime për pulat, pra koncentrat, apo dhe për lopët ne ishim të detyruar që të shisnim jashtë ta eksportonim peshkun tonë të egër të një cilësie shumë të lartë që sot zor se e gjen. Ai sistem fuqizoi më shumë shtetin, por dobësoi individin. Individi s’kishte asgjë në dollap.

 Kush ka bërë më shumë kritika?

Ah, Simon Stefani ka qenë tepër i ashpër, madje do të thoja e kishim frikë. Kryesisht ai ndalej tek kjo pyetje që më bëre ti, tek kostoja e prodhimit. Kritika ishte e fortë nga lart poshtë.

Kur nuk realizonit planin çfarë ndëshkimi kishit?

Ah, mos ma kujto. Për çdo mosrealizim ne na mbahej 10 për qind e pagës. Kjo s’ishte e pakët. Unë jam gjykuar njëherë në  fermën e Dukatit për një sërë gicash të ngordhur, ku unë isha dhe anëtar partie. Pra gjykimi ishte me gjobë. Gicat kishin ngordhur për arsye të një helmimi, pasi derri është shumë delikat. Kishin ngrënë misër me myk. Por aty kishte kushte jo të mira, kishte lagështi, pa rregull. Ne derrat i thernim 150 kg dhe lart, pasi ishin majmur. Përgjegjësi i ndërmarrjes u dënua me 4 vjet burg, brigadieri me 5 vjet heqje lirie. Unë aty kisha shkuar si specialist.

 Po pse sot ka mbiprodhim në mish, peshk, vezë?

P.sh ne jemi në Radhimë, kur në regjimin komunist kishte 120 mijë kokë dhen e dhi. Por sot prodhimet që kemi janë të importuara. Pra ne nuk kemi prodhime vendi, por të gjitha prodhimet e huaja të mishit që janë të stimuluara me hormone. Edhe viçi, edhe gici edhe peshku kështu është. Janë të stimuluara dhe rriten në rezervate, ku kostoja del më e lirë dhe cilësia nuk mund të krahasohet. Sepse sot ka shumë qendra  të rritjes së shpendëve ndërsa një pjesë e mirë e ushqimit koncentrat vjen edhe nga jashtë. Por, megjithatë, duhet të themi se kostoja e një veze sot është 15 lekë, atëherë 0.6 pra disa herë më shumë. Baza ushqimore atëherë ishte e vendit pa importime. Plus që çdo gjë ishte bio, pa stimulime hormonale.