Teatri “Migjeni” quhet me të drejtë tempull i kulturës shkodrane

1953
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish Drejtori i teatrit “Migjeni”, Shkodër, Isa ALIBALI: “Puna në teatër ishte e bukur dhe e vështirë”

Për 15 vjet ka qenë Drejtor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër gjë që përbën një rast të veçantë për vetë moshën e re 27 vjeçare. Jeta e tij kaloi vetëm në urat e artit duke kaluar situata nga më të ndryshme sa të bukura po aq dhe të vështira. Drejtor teatri, drejtor shkolle dhe së fundi shkrimtar, por ai për asnjë moment si harron ditët e kaluara si drejtor i Teatrit “Migjeni”, i cili sipas tij mund të quhet me të drejtë tempull i kulturës shkodrane.

-Z. Isa, ju gjithë jetën jeni marrë me artin dhe kulturën shkodrane. Jeni, si të thuash, punonjësi më i vjetër i artit dhe i kulturës së qytetit me tradita. A mund të na bëni një përmbledhje të punës suaj në këtë drejtim?

Po, është e vërtetë. Rasti dhe fati, më dhanë mundësinë që pothuajse gjatë gjithë kohës që isha në punë, të merresha me drejtimin e artit e të kulturës në Shkodër, në qytetin ku ky sektor historikisht ka njohur majat më të larta. Kam mbaruar fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960. Pas punës në arsim në Mirditë, punova si inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 jam emëruar kryeinspektor i kulturës në këtë seksion. Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, isha drejtor i teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje tre-vjeçare kur punova drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të krijimtarisë popullore (1969-72). Pastaj kam qenë drejtor i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vjetët e fundit, deri në daljen në pension më 1991, kam punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Pra që i ri, ju keni qenë drejtues në këtë sektor. Çfarë kujtimesh keni nga puna juaj e gjatë në teatrin “Migjeni”?

Teatri “Migjeni” mund të quhet me të drejtë si tempulli i kulturës shkodrane. Traditat e Shkodrës në fushën e teatrit janë të hershme. Deri në krijimin e këtij institucioni, më 1949, lëvizja teatrore në Shkodër ka qenë shumë e zhvilluar. Janë të njohura shumë figura të shquara të kësaj lëvizjeje, që me pasion, vullnet e përkushtim, i dhënë Shkodrës rolin e pararojës në këtë fushë. Kështu që, ishte krejt e natyrshme që në qytetin tonë të krijohej teatri i parë në vend, mbas atij të kryeqytetit. Kur unë u emërova në teatrin “Migjeni”, gjeta një traditë të konsoliduar të këtij institucioni, që në atë vitin (1967) kishte vetëm 18 vjet të krijimit. Detyra ime ishte të ruaja këto vlera, sepse kishte në këtë institucion figura të shquara të teatrit, si Prenk Lëkunda, Adem Kastrati, Paulin Laca, Tinka Kurti, Vitore Nino, Antoneta Fishta, Serafin Fanko, Rikard Ljarja, Lec Bushati, Pistol Soja, Violeta Sekuj, etj., etj., si dhe në estradë Tano Banushi, Hasan Smaja, Paulin Preka, Mark Kaftalli, Abdulla Salobegu, Bik Ndoja, Zyliha Miloti, Zef Deda, etj., më vonë erdhën edhe shumë të tjerë, që bënë emër si artistë. Tradita e krijuar nga regjisorët Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Paulin Sekuj, shërbeu si bazë edhe për regjisorët e mëvonshëm, si Serafin Fanko, Edmond Mëhilli, etj. Prandaj kuptohet përgjegjësia që kisha unë, si i ri që isha si drejtor. Me atë kolektiv që gjeta dhe me ecurinë e mëvonshme të punës së teatrit dhe estradës, mund të them se vazhduan mirë vlerat e trashëguara të teatrit “Migjeni”.

-Çfarë mund të kujtoni më hollësisht nga kjo periudhë?

Në shtator të vitit 1967 bëmë një turne të gjatë në Tiranë me dramën e Fadil Krajës “Fisheku në pajë”. Njerëzit, për dhjetë ditë me radhë, ngriheshin që në orën tre pasmesnate e viheshin në radhë për bileta. Besoj se kjo është një tregues me vlerë. Pastaj erdhën me radhë premiera që e çuan më tej emrin e mirë të teatrit dhe estradës. Mund të them se në vitin 1973, siç dihet, pati një frenim të dukshëm të veprimtarisë së institucioneve tona, si pasojë e vendimeve të partisë gjoja në luftën kundër liberalizimit në fushën e artit. Puna u bë e vështirë, u ndaluan krejt pjesët e huaja dhe u morën masa të tjera që frenuan përparimin e artit. Ne rinovuam në vitin 1974 dramën “Zekthi” të shkrimtares polake Etel Vojniç, por u kritikuam rëndë nga udhëheqja më e lartë. Megjithatë, teatri “Migjeni” i kapërceu shumë nga këto vështirësi, në radhë të parë në sajë të krijimtarisë shumë të dendur të dramaturgut tonë të shquar Fadil Kraja, me dramat “Shpartallimi”, “Djem të mbarë”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit” etj., si dhe me komedinë e Bik Pepës “Çifti i lumtur”, me dramën e Andrea Skanjetit “Nora e Kelmendit”, etj. Me vështirësi të mëdha arritëm të vinim në skenë një dramë të huaj, “Vizita e inspektorit” të Xhon Pristlit, me regji të Elez Kadrisë, që pati shumë sukses. Edhe estrada vazhdoi traditën e saj të mirë, por dua të theksoj përpjekjet për të kaluar edhe në gjini të tjera, siç qe vënia në skenë e komedisë muzikore “Çështje familjare”, me muzikë të Mark Kaftallit, me libret të Fadil Krajës, që u shfaq me shumë sukses mbi 40 herë. Puna në teatër ishte e bukur dhe e vështirë, por ndjej kënaqësi kur kujtoj se si mbushej salla e teatrit nga premierat e ndryshme dhe kjo, në ato kushte të mungesës së argëtimeve të tjera, ishte entuziaste.

-Po nga Shtëpia e Kulturës dhe Shkolla artistike “Prenkë Jakova”, çfarë mbani në mend?

Shtëpia e Kulturës (sot quhet Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”), ka qenë një institucion me shumë rëndësi në jetën kulturore e artistike të qytetit tonë, edhe ajo me një traditë të shkëlqyeshme, e njohur gjithashtu në gjithë vendin. Shtëpia e Kulturës, kishte një veprimtari shumë të dendur në shumë drejtime, kishte objektiva shumë të gjëra. Në vitin 1958 ky institucion kishte vënë në skenë operën e parë shqiptare “MRIKA” të Prenkë Jakovës, që ishte një sukses i paparë. Edhe pse unë shkova në këtë punë një javë mbas ndarjes nga jeta të këtij kolosi të muzikës shqiptare, Prenkë Jakova, “Nderi i Kombit”, vlerat që ai kishte lënë në këtë institucion ishin të konsoliduara dhe puna vazhdoi me po ato ritme dhe nivele. Në Shtëpinë e Kulturës aktivizoheshin me qindra amatorë të talentuar, bëheshin koncerte, festivale, olimpiada teatrale, konkurse artistike, ekspozita të arteve figurative, etj., duke e bërë këtë institucion një qendër të vërtetë të kulturës dhe artit shkodran, prej nga kanë dalë shumë artistë. Kurse në shkollën artistike “Prenkë Jakova”, ku punova më shumë se pesë vjet, natyra e punës ishte ndryshe. Ajo ishte së pari institucion arsimor, por njëkohësisht edhe fidanishte e artistëve të rinj të muzikës dhe të arteve figurative. Prandaj përgjegjësia ishte e dyfishtë, ku ana artistike zinte një vend më të rëndësishëm, sepse duheshin përgatitur artistët e ardhshëm që të çonin më tej artin tonë. Në këtë intervistë do të theksoj tre momente që flasin vetë: së pari kur në vitin 1983 vumë në skenë me shumë sukses të parën opera shqiptare “Mrika” me rastin e 25 vjetorit të vënies së saj të parë në Shkodër, ku interpretuan vetëm nxënës dhe disa mësues; së dyti, kur fituam çmimin e parë në konkursin midis shkollave të muzikës që u zhvillua në Durrës, së treti kur vetëm në një vit (1987) u pranuan 26 nxënës të shkollës sonë artistike në Institutin e Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve), që ishte një numër rekord dhe që u bë problem lart në udhëheqjen e kohës, pse kaq shumë nga Shkodra. Ishte kënaqësi të punoje në këtë shkollë me nxënës të talentuar dhe me mësues të shkëlqyer.

-Z. Isa, ju bëtë një përmbledhje shumë të shkurtër të punës suaj në drejtimin e këtyre institucioneve artistike të Shkodrës, po mbas daljes suaj në pension, çfarë mund të na thoni?

Përsëri u aktivizova si drejtues në shumë veprimtari artistike me rëndësi. Së pari, me disa kolegë, krijuam shoqatën “Dashamirët e këngës shkodrane” që, mendoj unë, është një vlerë e vërtetë e kulturës shkodrane. Me këtë shoqatë zhvilluam një veprimtari shumë të dendur për një shoqatë, që i dhamë një hov të ri këngës shkodrane. Kulmi qe “Dita e luleve”, ( 6 maj 2006, në Kalanë e Shkodrës. Kjo festë e madhe e luleve dhe e artit shkodran u organizua në bashkëpunim me Ridvan Karakaçin, Ahmet Osjen, Mefaret Lazen e Ferit Kolën dhe meriton të trajtohet pak më gjerë. Dita e 6 majit në Shkodër është festuar gjithnjë si dita e ringjalljes, përtëritjes, si një festë pagane, e lashtë dhe që shpreh, përveç të tjerave edhe unitetit fetar, karakteristik për Shkodrën dhe është quajtur dhe quhet “Dita e Shnjergjit”(Shëngjergjit). Për të përtërirë këtë festë popullore, organizuam pra “Ditën e Luleve” me temën “Lulet në jetë, në artet pamore dhe në këngë”, ku vendosëm rreth 700 vazo lulesh gjithfarësh, rreth 300 piktura për lulet nga artistët figurativë të Shkodrës, dhamë një koncert të madh me këngët shkodrane për lulet dhe botuam një album shumë të bukur me temën e mësipërme “Mes lulesh në Shkodër”. Kjo festë është kthyer në traditë, tashmë, dhe Bashkia e Shkodrës ka marrë në dorë organizimin e saj.

-Me sa di unë, ju keni qenë ideatori i kësaj dite të veçantë?

Nuk ka rëndësi kjo, mjafton që e organizuam së bashku dhe zhvilluam një veprimtari të rrallë dhe me shumë nivel e që mbahet mend e mbeti një traditë e bukur e qytetit tonë.

-Gjatë kësaj kohe jeni marrë edhe me krijimtari letrare e botim librash. Në librat tuaj duket qartë aroma e këndshme e Shkodrës në fushën e artit. Çfarë mund të na flisni për këtë fushë të rëndësishme të veprimtarisë suaj?

Po është e vërtetë, mbas daljes në pension jam marrë me shkrime librash dhe botimin e tyre. Libri i parë që botova titullohet “në Shkodër të gjithë këndojnë” (1997). Do të më pyesni: nga u nxita të shkruaj këtë libër? Po jua them: Më tronditi në gjithë qenien time deformimi që filloi të pësojë kënga qytetare shkodrane mbas vitit 1990, ose harresa e plotë e saj. Dhe jo vetëm kënga shkodrane, por në përgjithësi kënga qytetare shqiptare. U zëvendësuan ato me këngë të huaja, të përkthyera në mënyrë të padrejtë dhe banale dhe të kënduara nga kushdo, me këngë që do të thosha të neveritshme. Të them të drejtën nuk isha i qetë. Kisha punuar gjithë jetën në këtë fushë, kisha bërë përpjekje për ta ruajtur të pastër këtë thesar të krijimtarisë qytetare shkodrane dhe më dukej se edhe unë kisha përgjegjësi për këtë antivlerë që po përhapej dhe në një mënyrë apo në tjetrën, duhej të kryeja rolin tim si qytetar, në radhë të parë. Mendova se duke treguar historitë e krijimit të këtyre këngëve, do të shtoja më shumë dashurinë e njerëzve për to, veçanërisht të rinjve. Librin “Në Shkodër të gjithë këndojnë” si pasojë e kërkesave të shumta, u detyrova ta ribotoj në vitin 2011.

-Pastaj ju keni botuar librin “Mirënjohje”. Çfarë ju shtyu të shkruani këtë libër?

Gjithnjë na ngacmon dëshira për të mësuar ngjarje nga jeta e artistëve të mëdhenj botërorë. Por shpesh herë harrojmë se edhe ne kemi Balzakun tonë, Bethovenin tonë apo ta zëmë Maria Kallasin tonë, etj. Duke jetuar e punuar mes artistëve më të shquar të vendit tonë, kisha shumë të dhëna për ngjarje nga jeta e tyre, të cilat i mblodha në këtë libër. E titullova “Mirënjohje”, sepse kam mendimin se, meqenëse artistët janë njerëz të veçantë dhe të shquar, ata bëjnë shumë për ne, duke na krijuar kënaqësi të veçanta jo vetëm estetike, mendova se ne të tjerët nuk bëjmë sa duhet për ta, por të paktën MIRËNJOHJEN duhet t’ua shprehim atyre, si gjëja më e paktë që mund të bëjmë për ta. Për këtë libër edhe unë kam marrë shumë mirënjohje.

Pastaj keni botuar librin madhor për jetën dhe veprimtarinë muzikore të “Artistit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit” Prenkë Jakova. A ju ka marrë shumë kohë ky libër dhe a keni pasur vështirësi në shkrimin e tij?

Sigurisht që po, vështirësia më e madhe ka qenë se, duke mos qenë muzikant, siç thashë, është e vështirë të shkruash për një muzikant të klasit të parë, do të thosha. Por kjo varet shumë nga këndi i vështrimit që njeriu e sheh një figurë të shquar. Unë e pashë Prenkë Jakovën, me të cilin dikur kisha punuar, në këto dimensione: si njeri, si organizator dhe si dirigjent i veprimtarive të shumta, ndërsa nga ana profesionale, kur binte rasti për muzikën e tij, i jam drejtuar shkrimeve të kualifikuara të specialistëve të muzikës, me referencat përkatëse. Jam përpjekur që librit të trajtuar si monografi, t’i jap edhe ngjyrime letrare, që ta bëj librin sa më tërheqës në lexim. Figura madhore e Prenkë Jakovës ka pasur dimensione të veçanta në shumë drejtime, sepse së pari ai ka qenë kompozitor i shquar dhe më i madhi mund të thoja, mjafton të themi se ka kompozuar operën e parë shqiptare “Mrika, ai ka qenë dirigjent i shquar, duke drejtuar me shumë profesionalizëm me dhjetëra koncerte e shfaqje të ndryshme dhe ka qenë një organizator i shquar i muzikës në Shkodër, ka zbuluar e përgatitur shumë e shumë talente, etj.

-Pas këtij libri keni botuar “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”.

Me Tano Banushin kam punuar shumë gjatë. E njihja shumë mirë nga afër. Nga ana tjetër familja e tij më dhanë arkivin e pasur që ai ka lënë, për të cilin i falënderoj përzemërsisht. Ndjeja një domosdoshmëri që të bëja diçka për të. Dhe iu vura punës me përkushtim. Tano Banushi, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh” ka qenë aktori më i shquar i humorit në vendin tonë. Rruga e tij drejt këtij arti ka ardhur natyrshëm, që nga mjedisi ku ka lindur dhe është rritur, deri te arritja e majave më të larta të humorit. Në libër kam vënë edhe një pjesë të krijimtarisë humoristike të Tanos, sepse veprën e plotë të tij e kisha botuar disa vjet më parë (2003) me titull “Tano Banushi dhe krijimtaria humoristike e tij”, që e punuam me shokun tim të ngushtë, të ndjerin Petrit Kovaçi.

-Po pas këtij libri?

Botova librin me kujtime “Si e njoha Mirditën”, meqenëse, siç e thashë në fillim, kam punuar tre vjet në atë rreth. Në vitin 1960 kam qenë drejtori i parë i gjimnazit të parë të Mirditës, në Rrëshen, prandaj kam shumë kujtime të mira për atë rreth dhe njerëzit e tij.

-Para disa javësh ju promovuat librin “Rrënjë dashurie”. Cila është përmbajtja e këtij libri?

Po. Ky është libri im i fundit deri tani. I bëra promovim edhe në Ferizaj, Prishtinë e Gjakovë, ku u prit shumë mirë. I vura si titull “Rrënjë dashurie” me nëntitull Shkodranët për Kosovën, sepse dihet se lidhjet tona kanë qenë të afërta në shumë drejtime. Librin e kam trajtuar në fushën e bashkëpunimit të Shkodrës me Kosovën dhe aty kam paraqitur një ide të rëndësishme, mendoj unë. Kur themi “Kosova”, mendja na shkon te pushtimi, ndarja, dhuna, vrasjet, përgjakjet, etj., që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës. Por shpesh herë harrojmë se kjo pjesë e popullit shqiptar të ndarë, ka bërë edhe jetën e vet shpirtërore, ka kënduar dhe ka krijuar këngë, ka bërë dasma, ka nxjerrë figura të shquara të të gjitha fushave të jetës, etj. Prandaj, ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, më lindi dëshira që të trajtoj në një libër lidhjet e Shkodrës me Kosovën në fushën e artit, kulturës e arsimit dhe ndikimin reciprok të tyre, duke nxjerrë një ide të rëndësishme se jemi një popull, një komb, kemi të njëjtën gjuhë, të njëjtat tradita, etj.,  prandaj mendoj se duhet të punojmë të gjithë që të ecim drejt bashkimit të dy shteteve tanë, duke vënë theksin te lidhjet tona shpirtërore në radhë të parë.

-Po tani çfarë keni në dorë?

Jam gjithnjë në punë dhe kam edhe shumë për të bërë në shërbim të kulturës dhe artit shkodran dhe atij shqiptar. Ju falënderoj për këtë intervistë që më morët, megjithëse ndoshta u zgjata. Por nuk kisha si të bëja ndryshe: është një jetë e tërë, me shumë e shumë intensitet dhe veprimtari.