Stefanaq Pollo, kryeredaktori i parë i gazetave të luftës partizane, pse refuzoi të bëhej politikan i shtetit

1004
Sigal

Në 90-vjetorin e lindjes/ Pollo, historiani që shkroi në “Lë Mond” historinë e vërtetë të shqiptarëve

Nga: Prof. Murat Gecaj

Qatip Mara-studiues

 Shqipërisë nuk i kanë munguar asnjëherë njerëzit e mëdhenj, të penës e të mendjes, personalitetet që imponohen me fjalën e mençur, të ëmbël e bindëse, sidomos, me veprën e tyre të shumanshme. Prof. Stefanaq Pollo-Akademik, është njëri prej tyre. Ai shquhet dhe renditet natyrshëm në plejadën e emrave të nderuar, si: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Aleks Buda,  Mahir Domi, Kristo Frashëri, Androkli Kostallari, Bedri Dedja, Shaban Demiraj e dhjetëra autoritete të historisë, gjuhësisë e pedagogjisë shqiptare.

Fëmijëria

Stefanaq Pollo u lind më 7 shkurt, 1923. Trekëndëshi natyror: Frashëri hyjnor i origjinës, si  vatra e shqiptarizmës, Leusa piktoreske e belbëzimeve të para të lindjes, Përmeti i magjishëm,  ku mori mësimet e para të shkollës fillore  dhe trashëgimia edukative prindërore,  krijuan së bashku portretin  e shkëlqyer të studentit, pedagogut, drejtuesit e studiuesit Stefanaq Pollo, me shumë dituri shkencore, me sjellje  e qëndrime shembullore, por edhe me bukuri trupore.

Djaloshi  Stefanaq Pollo, dallohej për zgjuarsi natyrore e vullnet për të mësuar, qysh në shkollën fillore, në Përmet. Më tej,  e vazhdoi me nota të shkëlqyera  Liceun  Francez të Korçës. Aty i shfaqi prirjet e tij për historinë, letërsinë e gjuhën shqipe, duke u dalluar  për formim shkencor, aftësitë interpretuese e vlerësuese. Vitin e fundit  të Liceut ia ndërpreu  agresioni fashist, i  7 prillit 1939.   Zëri i Atdheut,  në ndërgjegjen e tij djaloshare,  e motivon të dalë në protestat e para kundër fashizmit, në Korçë. Më vonë ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Antifashiste, deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtimi nazi-fashist. Nëpër  betejat e luftës për liri, ishte kryeredaktor i gazetave  “Kushtrimi i Lirisë” dhe “ Zëri Rinisë”  Pas çlirimit nuk e pëlqeu jetën politike, por  zgjerimin e njohurive shkencore. Prandaj, në vitet 1945-1950, shkoi për studime të larta, në degën e historisë,  në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, të cilin e përfundoi me arritje shumë të mira.

 Pas kthimit në atdhe

Kur u kthye në Shqipëri, tashmë, me një kulturë të gjerë,  Stefanaq Pollo e filloi menjëherë punën pedagog, në Institutin e Lartë të Tiranës. Në vitet 1951-1957, e vazhdoi detyrën  nënkryetar i Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universitetit  të Tiranës, në shtator 1957, u emërua dekani i parë i Fakultetit të Historisë  dhe Filologjisë. Ndërsa në vitet 1972-1989, u caktua drejtor i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Këto  detyra të rëndësishme ai i kreu me përgjegjshmërinë dhe aftësitë e shkencëtarit, me dinjitetin e njeriut të ditur e të kulturuar. Historiani ynë i shquar, prof. Stefanaq Pollo-Akademik, u ka lënë pas brezave një vepër të vyer, e cila ka vlera të vërteta shkencore, për të sotmen edhe për të ardhmen. Breza studentësh, tani mësues, gazetarë, redaktorë, shkencëtarë, në mbarë vendin, që morën dije nga ky pedagog, meritat e punës dhe arritjet e tyre i njohin me krenari edhe si merita të këtij pedagogu. Ata kanë mësuar prej tij se si të japin mësime leksione, si të bëjnë punë kërkimore-shkencore etj.. Shumë prej tyre i ka ndihmuar në hartimin e temave të diplomës, si dhe për disertacionet e ndryshme, në fushën e historisë sonë kombëtare, për marrjen e  gradave e titujve shkencorë. Pra, ata i detyrohen shumë, shpirtërisht, kësaj figure  të shkencës e pedagogjisë shqiptare, që më shumë fliste me punë, sesa me fjalë. Ai ka qenë dhe mbetet shembull për   ish-studentët dhe kolegët e tij më të rinj: i drejtë, kërkues, nxitës i përhershëm, që edhe  ata  t’i futeshin sa më shpejt punës  pedagogjike-shkencore, duke dhënë vetë shembullin vetjak, duke u bërë për ata shëmbëlltyra e pedagogut dhe shkencëtarit të pasionuar.

Prof. Stefanaq  Pollo  ka dhënë ndihmesën e vet në zbulimin dhe lartësimin e vlerave historike të Kombit tonë, në një nga periudhat e tij më të ndritura, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në punimet e tij, ajo jepet jo vetëm në përmasat e veta kombëtare mbarëshqiptare, por dhe në kuadrin ballkanik. Studimet përgjithësuese të  tij, kushtuar Rilindjes, janë një kundërvënie e argumentuar  ndaj pasaktësive dhe shtrembërimeve të qëllimta, nga disa autorë të huaj dhe fushatës së qarqeve shoviniste fqinje, për denigrimin, mohimin dhe zhvleftësimin e Rilindjes sonë Kombëtare.  Kjo nuk ka qenë një detyrë e lehtë, se ishte mjaft vështirë t’i shmangeshe trysnisë së historiografisë së huaj, e cila nuk ia ka arritur dhe as nuk do t’ia arrijë kurrë qëllimit të saj antishqiptar.  Parë me këtë sy, punimet e tij, në këtë fushë të studimeve tona historike, marrin një karakter të theksuar aktual.

Rilindja dhe Pavarësia historike

Ai e ka parë Rilindjen, një periudhë të re, cilësisht më të lartën e historisë sonë kombëtare, e cila çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në krijimin e shtetit të parë shqiptar, mbi 100 vjet më parë.  Për të arritur në përfundime të tilla, ndalej në shqyrtimin  e aspekteve kryesore të Lëvizjes sonë Kombëtare antiosmane, siç janë:  kushtet ekonomike shoqërore, në të cilat u zhvillua Rilindja; formimi i ndërgjegjes kombëtare dhe depërtimi i saj në masat e gjera popullore; qëndrimi i shtresave të ndryshme shoqërore ndaj Lëvizjes Kombëtare dhe vendi e roli i tyre në të: format e ndryshme të qëndresës anti-osmane të shqiptarëve në atë periudhë; programi politik i Rilindjes, ideologjia e Rilindjes dhe përkatësia shoqërore e përfaqësuesve të saj; karakteri politik i lëvizjes iluministe, arsimore-kulturore, gjatë Rilindjes; qëndrimi i rilindësve ndaj problemeve fetare dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndaj Fuqive të Mëdha e monarkive fqinje etj. Përveç artikujve të shumtë në shtyp, në gazeta e revista të kohës, sidomos shkencore, ai është autor i librave, “Në gjurmë të historisë shqiptare”, nr.1 e nr.2. Analizat e thelluara dhe me argumente bindëse, aty u kundërvihen qëndrimeve të  ngushta, shoviniste, intolerante, antinjerëzore e antidemokratike. Ato hedhin poshtë mjetet e udhët e gabuara, që lartësojnë epërsinë etnike,  nxisin urrejtjen ndaj të tjerëve, si ndaj shteteve ashtu edhe ndaj grupimeve të ndryshme të popullsisë. Ky botim ka vlera të shumta, është me përmbajtje të ngjeshur e trajtim të spikatur profesional, që të shton njohuritë për këtë fushë të dijes njerëzore dhe  ngre më lart ndjenjën e atdhedashurisë për vendin tonë dhe popullin e stërlashtë shqiptar, në trojet e tij të sotme stërgjyshore. Prof.Stefanaq Pollo  ishte model pune, përkushtimi moderativ, por edhe një model njerëzor. Ai, së bashku me prof. Aleks Budën, krijuan harmoni ndërmjet kolegëve për studimin e çështjeve madhore kombëtare mbarëshqiptare dhe të dy ishin shembulli më i mirë i bashkëpunimit të ndërsjellë e me rendimet të lartë shkencor. Ata  plotësonin njëri-tjetrin, duke e përballuar organizimin dhe drejtimin e punës shkencore bashkërisht, për të lëvruar historiografinë shqiptare.

Kontributi në shkencë

Nuk mund të kuptohet  shkenca shqiptare, në një periudhë 50-vjeçare të shekullit XX, pa historianët Aleks Buda dhe Stefanaq Pollon dhe pa bashkëpunimin  e tyre, si një çift studiuesish shumë të aftë dhe me ndershmëri shkencore objektive. Prof. Stefanaq Pollo-Akademik  ishte pjesëmarrës në kongrese e konferenca: zonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Me referatet dhe kumtesat e tij të thelluara paraqiti arritjet e shkencës historike shqiptare, duke argumentuar teza të rëndësishme shkencore të historiografisë ballkanike dhe evropiane. Ai është autor i studimit  “Historia e Shqipërisë,  nga origjina e deri në ditët tona” , botuar frëngjisht (Lion, 1974) dhe anglisht (Londër, 1981) dhe tani është i ribotuar në dhjetë gjuhë të huaja, duke shërbyer  burim informacioni kryesor, ku bota akademike e huaj njihet me historinë e Shqipërisë.

Prof. Stefanaq Pollos, ishte ndër të parët, që shkroi artikuj në median evropiane, në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve shqiptarë kosovarë, duke argumentuar shkencërisht, në gazetën franceze “Lë Mond”, të vërtetën historike, se populli shqiptar i Kosovës banon në trojet e stërgjyshërve të lashtë dardanë. Ai ishte pjesëtar i Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. Qysh me themelimin e  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Stefanaq Pollo u zgjodh anëtar, si dhe anëtar i këshillit drejtues të saj dhe anëtar i Komitetit Ballkanik të AIESE-së. Për meritat e tij të veçanta, mori “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, u nderua me Urdhra e medalje  të ndryshme dhe ishte deputet i Kuvendit Popullor (1970-1978). Në prill të vitit 2009, Këshilli i Komunës Frashër, i dha atij titullin “Nderi i Frashërit”, me motivacionin: “Z.Stefanaq Pollo: Historian i shquar, me origjinë nga Frashëri; personalitet i historiografisë, arsimit dhe kulturës së kombit; pjesëmarrës në LANÇL. Ka dhënë kontribute të veçanta për Dangëllinë, Përmetin dhe figurat madhore të kombit shqiptar-vëllezërit Frashëri”.

Viti 1997

Ndarja e tij përgjithnjë nga jeta, më 15 maj 1997, e ndërpreu vargun e veprave shkencore historike të tij,  ndau nga puna një historian mjaft të vyer e produktiv.  Por prof. Stefanaq Pollo-Akademik  do të mbetet kurdoherë i pashlyer në kujtesën e brezave, sepse të gjitha dijet dhe aftësitë e tij, mendore e fizike, i vuri në shërbim të Shqipërisë.

Kush është Stefanaq Pollo

Akademik prof. Stefanaq Pollo u lind në Leusën e luleve, në Përmetin e trëndafilave më 7 shkurt 1923 Babai i Stefanaq Pollos, ishte Nolist, emigrant në Boston, anëtar i shoqatës “Vatra” u kthye në atdhe me flamurin shqiptar në gji për të kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut Trekëndëshi natyror : Frashëri hyjnor i origjinës si vatra e shqiptarizmës, Leusa piktoreske e belbëzimeve të para të lindjes , Përmeti i magjishëm ku mori mësimet e para të shkollës fillore dhe trashëgimia edukative prindërore krijuan performancën e shkëlqyer të studentit Stefanaq Pollo, me shumë dituri shkencore, me sjellje e qëndrime shëmbëllore, por edhe me bukuri trupore. Frashërlliu Stefanaq Pollo, dallohej për një zgjuarsi natyrale e vullnet për të mësuar qysh në shkollën fillore në Përmet , më tej vazhdon me rezultate të shkëlqyera Liceun Kombëtar-francez të Korçës , këtu dallohet prirja e tij për historinë, letërsinë e gjuhën shqipe. Ai u dallua për formim shkencor, për aftësitë interpretuese e vlerësuese dhe vitin e fundit të Liceut e ndërpret agresioni fashist 7 prillit 1939 Zëri i Atdheut në ndërgjegjen e tij atdhetare e motivon të dalë në protestat e para antifashiste në Korçë dhe më vonë pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e plotë të atdheut nga pushtimi nazi-fashist. Nëpër betejat e luftës kundër fashizmit, ai drejtoi gazetën “Kushtrimi i Lirisë” dhe “ Zëri Rinisë” Pas çlirimit nuk preferoi karrierën politike, por zgjerimin e njohurive shkencore dhe nisi studimet për Histori në Universitetin “Lomonsov”, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera në vitet 1945 – 1950. Ishte pajisur me një kulturë të gjerë, për t’i shërbyer atdheut , me të gjitha forcat dhe aftësitë e tij , fillon punën pedagog në Institutin e lartë në Tiranë në vitin 1950-1951 . Në vitet 1951 -1957 vazhdon detyrën nënkryetar i Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universitetit të Tiranës 1957 emërohet dekani i parë i Fakultetit te Historisë dhe të Filologjisë. Në vitet 1972- 1989 është drejtor i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Qysh me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Stefanaq Pollo është zgjedhur anëtar i saj. Ai ka qenë edhe anëtar i këshillit Drejtues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Komitetit Ballkanik të AIESE-së. Ka marrë çmimin e Republikës të shkallës së parë, është dekoruar me Urdhra e medalje dhe ishte deputete i Kuvendit Popullor (1970-1978). Në mjaft artikuj shkencorë, referate, kumtesa dhe diskutime të botuara në dhjetëra organe dhe të mbajtura në Kongrese, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit prof. Stefanaq Pollo, në mënyrë të veçantë, është ndalur në trajtimin e problemeve thelbësore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.