Skënder Plasari: Skenaristët sot janë të papunë, mbasi regjisorët i bëjnë të gjitha

1552
Sigal

PERSONAZH/ Flet aktori dhe skenaristi Skënder Plasari: Sot mund të bëja një Kapedan të dytë, por ajo mbetet kinokomedia e parë shqiptare

 Skënder Plasari është një nga skenaristët më të spikatur shqiptar kryesisht në regjimin komunist. Ai është autor i kinokomedisë së parë shqiptare “Kapedani”, film, i cili shihet me shumë dashuri dhe sot. Aktualisht,- thotë -Plasari, kam në sirtar tre kinokomedi të reja, por Qendra e Filmit as e merr mundimin t’i shohë pasi duhet t’ja paraqesë një regjisor. Por sot regjisorët që të fitojnë më shumë i realizojnë vetë skenarët ndaj dhe filmat dalin çalamanë. Ai ka një nostalgji për estradat shqiptare, ku punoi si aktor për 20 vjet kryesisht në Estradën e Tiranës, e cila jepte 250 shfaqje në vit. Mbyllja e estradave është një humbje e madhe për artin shqiptar thekson ai.

 Sot mund të bëhet një skenar si “Kapedani”, të përcjellë në kohë?

Po të flasim për nivelin artistik, si kinokomedi e parë në Shqipëri, mund të bëhet si ajo, por mbase dhe më mirë.  Më pas janë bërë dhe kinokomedi të tjera si “Dy herë mat” i Bujar Kapexhiut. Ndërsa përsa i përket skenarit, sot, duke mos pasur më gërshërë dhe duke mos pasur censurë, mund të bëhen, por për atë kohë, ta çojmë në kohë veprën them që nuk mund t’i hiqet asgjë. Sot ka mundësi që një kinokomedi e tillë mund të bëhet edhe më e mirë se sa e kam bërë unë. Sot ka ide, problematika, hapësira, komunikime të shumta që nis ngacmohesh mund të bësh Kapedanë, pro jo të atij lloji. Pra hapësirat për skenar janë të pakufishme, ndërsa përsa i përket cilësisë së filmit nuk janë kushtet e Kinostudios për të bërë filma të tillë cilësore.

 Pse nuk janë kushtet për të bërë filma të tillë?

Së pari, Kinostudioja është shkatërruar fare. Sot ka një Qendër Filmike që të subvencionon  deri në njëfarë mase, ndërsa pjesën tjetër dil e kullotë, për të realizuar një film sado i vogël qoftë. Regjisorët sot janë shumë të shtrënguar për të bërë një film, pasi pagesat janë të mëdha ndërsa investimi i vogël. P.sh sot nuk mund të bëhen skena masive si tek “Kapedani”, nuk mund të merren aktorë shumë të mirë pasi kërkojnë shumë para etj.. Nga ana tjetër për shkak të këtyre parave regjisorët s’janë të interesuar të bashkëpunojnë me skenaristë të mirëfilltë, profesionistë, por i bëjnë vetë skenarët dhe pse me cilësi të dobët.

 Po pse i bëjnë vetë nuk kanë besim tek skenaristët e vjetër?

Jo se s’kanë besim dhe jo se nuk ka skenaristë, por skenaristi do të paguhet, ndaj regjisori e bën vetë dhe këtë pjesë kryesore të filmit me qëllim që t’i mbajë vetë lekët. Pra çdo gjë është tek lekët, që të kursehen ato dhe të fitojnë ata që e realizojnë. Të tërë regjisorët sot i bëjnë vetë skenarët.

 Po në botë si ndodh?

Mund të ndodh shumë, shumë rrallë që njeri mund të bëjë dhe regjinë dhe skenarin. Janë dy krijimtari njëra mbi tjetrën. Asnjëherë nuk mund ta zëvendësojnë njëra- tjetrën këto dy profesione të bukura dhe të vështira.

 A keni kinokomedi të gatshme si skenar?

Po kam tri të gatshme. Ka kohë që i kam mbaruar. Njëra prej tyre është “Martesë në katin e pestë”. Bëhet fjalë për një çift që donin të bënin një dasmë të bujshme. Flitet për Tiranën e viteve 1980. Ata kërkuan një taksi të asaj kohe me qëllim që t’i binin Tiranës disa herë rreth e rrotull. Por për inat të tyre taksia u prish. Atëherë vështirë të rregullohej në sekondë, dasmorët  prisnin nusen me dhëndrin, ata kishin ngelur në periferi të Tiranës. Pra u prish dasma. Tjetra flet për një polic, i cili në kohën e diktaturës shprehte moralin komunist në punë. Një njeri i doktrinar. Bën gjëra me devotshmëri, por ca gjëra i kalojnë caqet e normave. Kështu që, disa herë e lavdërojnë disa herë e kritikojnë. Kishte shumë zigzage në punë. Pra kjo ishte një ndërgjegje e lartë, por e tejkaluar. Kështu që eprorët s’dinin ç’të bënin, pasi sa rregullonte, po aq dhe prishte punë, pasi shkelte pa dashje dhe në kallo. Ndërsa kinokomedia e tretë bën fjalë për një familje dëshmori. Por ky dëshmor ishte prift dhe mori pjesë në luftë me mjekër si prift, pasi ishte përparimtar. Me rastin e 5 Majit vijnë shumë komunistë dhe bëjnë homazhe, por i thonë hiq fotografinë e priftit. Detyrohen të familjes, fëmijët t’i bëjnë retush fotos pasi nuk pëlqehet dëshmori me mjekër prifti, pasi s’e lejon morali komunist. Kur e sjellin fëmijët foton tek e ëma, tek plaka, ajo u thotë pse ma rruat burrin ju, unë e kam njohur tërë jetën me mjekër. S’është burri im ky. Pas kësaj këtë familje e internojnë.

 Nuk mund t’i vësh në skenë  këto kinokomedi?

 Po s’mund t’i vësh pasi në Qendrën Kinematografike duhet t’i paraqesë regjisori. Dhe mua asnjë regjisor nuk mi ka kërkuar, pasi është ai problemi që thamë. Regjisorët çojnë skenarë të tyre. Ndaj nuk na i marrin.  Kështu që rrinë në sirtar.

 Skenaristët dhe dramaturgët sot janë më të papaguarit dhe më të paafruarit në treg?

Besoj se po. Pasi si kinokomedi, si dramaturgji shqiptare, shumë pak ose aspak vihen sot në skenë. Pra, nuk kërkohen dhe ndaj ne si krijues nuk kemi interes të krijojmë në këtë gjini. I kemi krijimet stok nëpër sirtarë. Kjo edhe për arsye se sot ka shumë më pak teatro, shumë më pak kinema, shumë më pak Shtëpi Kulture.

 Kinokomeditë nuk mund të përshtaten për komedi?

Është e vështirë pasi kinokomedia do shumë hapësirë, përveç skenave masive. Hapësira e një teatri nuk e mbulon dot. Këtu është ndryshimi dhe këtu qëndron vështirësia.

 Pse sot ka më shumë drama se komedi? Ku është vështirësia dhe a do ishin efikase estradat sot?

 Unë kam punuar për vite të tëra në Estradën e Tiranës dhe është një e keqe e madhe mbyllja e tyre. Kam punuar fiks 20 vjet në estradë si aktor. Ne bënim të planifikuara 240 shfaqje në vit. Të detyruara. Salla ishte gjithmonë plot dhe biletat shiteshin duke kapur radhë gjithë natën. Vinim në vit 5 premiera të detyrueshme në skenë. Kur bëj bilancet them si kemi punuar. Por atëherë shteti subvenciononte shumë për artin. Atëherë një biletë kushtonte 2.5 lekë, sot 500 lekë. Atëherë pjesën tjetër të biletës e subvenciononte shteti. Kostoja atëherë ishte 10 lekë ku 7.5 lekë e subveciononte shteti. Sot me këtë kosto është vështirë të shkosh në teatër sepse një familje do 2 mijë lekë që nuk përballohet nga çdo lloj familje. Pastaj sot është dhe televizioni që jep humor jo të përshtatshëm.

 A do të ishin po kaq të frekuentuara estradat sot po të kishin mundësi financimi?

Mendoj se estradat ishin më praktike, ishin me humor inteligjent dhe jo me humor bajat. Kishte etikë në humor. Duhej gjuha e pastër dhe jo me fjalë bajate, që s’i dëgjon dot. Disa herë kur je me familje nuk i dëgjon dot ato fjalorë që s’kanë humor të mirëfilltë. Të bësh njeriun të qeshi është më e vështirë se ta bësh të qajë, ndaj komedia ka më shumë vështirësi të krijohet. Do punë, lodhje. Lexim, studim, përshtatje etj..

Albert Z. ZHOLI