Skënder Allkja: Standardi nuk është vullnetar, por është detyrim

815
Sigal

Flet inxhinieri gjeolog Skënder Allkja: N.q.s standardet janë shkelur objekti nuk do të pranohet

Një burrë i qetë që punon 16 orë në ditë. Gjithmonë e sheh laboratorëve për të parë kryerjen ekzakte të kërkesave të klientëve, për studimet gjeofizike që bëhen për punime të ndryshme. Mbetet një ndër inxhinierët më të suksesshëm, i cili me firmën “Altea”, bën studime gjeologjike të standardeve europiane dhe botërore. Sipas tij, në Shqipëri shumica e ndërtimeve në zonat rurale janë bërë pa standarde, pa kritere dhe pa analiza laboratorike të betoneve, hekurit apo të shtresave të tokës. Por më keq paraqitet gjendja në ndërtimin e rrugëve që jo vetëm nuk  kanë standarde, por shtresën e sipërme e kanë me gurë gëlqeror dhe jo me bazalte dhe granite, veprim i cili bën që rrugët tona të kenë jetëgjatësi 3 herë më ët vogël se të vendeve europiane.

   Çfarë normash teknike nuk zbatohen në ndërtimet ndryshme ne Shqipëri?

 Në kuptimin më te saktë në fushën e ndërtimit që njoh unë, për ndërtimin e rrugëve, autostradave, nuk ka norma teknike të aprovuara nga shteti shqiptar që të jenë të detyrueshme për të gjithë. (Për çdo ndërtim duhet të ketë normë teknike, standard, kusht teknik. Çdo të thotë kusht teknik apo standard? N.q.s ti do të mbjellësh një pemë, ka një normë teknike që ajo të mbillet dhe të jetë e sigurt mbirja, rritja e saj. Pra ajo do thellësinë e gropës, gjerësinë, sasinë e plehut organik, kimik, kaq tokë  të kuqe etj.. Duke zbatuar këto standarde, ajo do të mbijë patjetër. Po të kthehemi tek ndërtimi. N.q.s do të bësh një ndërtim një pallat, ka disa norma teknike (vende të ndryshme kanë kushte apo standarde të ndryshme, por ne që do të shkojmë në drejtim të Europës duhet patjetër të vendosim kushtet teknike europiane si kushte teknike të vendit tonë të detyrueshme për tu zbatuar). E para duhet një studim gjeologjik, por për këtë ka disa norma teknike, si numrin e shpimeve për një sipërfaqe të caktuar, thellësinë e shpimeve, sasinë dhe metodiken e analizave laboratorike. Vjen radha e projektit që dhe kjo ka disa norma për mënyrën e dimensionimit, llogaritjen e strukturave. Vjen radha e ndërtimit  të bazuar në projektin e godinës, ku kushte teknike janë materialet që do të përdoren të cilat duhet të verifikohen. Por si do të verifikohen cilësitë e materialeve kur nuk ka një standard që të detyron. Është ndryshe ligji urbanistikës dhe krejt ndryshe standardi teknik.  Kur nuk ka standarde dikush mund të thotë i kam bërë me standardet kineze, japoneze, italiane, apo EUROKOD-in, që është më i miri. Kushtet teknike janë pika referimi që kur të bëhet kontrolli përfundimtar nga autoriteti i shtetit, të vlerësohet nëse është bërë në rregull apo jo. N.q.s të gjitha këto standarde janë shkelur objekti nuk do të pranohet.

Po ne me çfarë standardesh punojmë?

Më te gjitha standardet e mundshme, kinez, japonez, gjerman, amerikan, francez, ndaj nuk ke si i kontrollon sepse mundet që njërin element ta ketë ndërtuar me standard francez, tjetrin me italian, e me radhë.  Pra, shteti ynë duhet sa më shpejt të pajis vendin me standardet e duhura. Pra, ne nuk kemi një standard shqiptar të aprovuar nga Qeveria shqiptare. Pra ne nuk kemi një standard të ligjshëm , apo një VKM, që t’i referohemi.

 Po të kalojmë tek problemet e rrugëve. A ka standarde ndërtimi i rrugëve apo autostradave?

 Nuk kemi pasur asnjë lloj standardi, ndaj rrugët tona pas pesë vjetësh fillojnë nga e para. Para disa vjetësh një kompani  spanjolle e paguar nga Komuniteti Europian, ka përgatitur standardet  e rrugëve nacionale (jo për rrugë rurale).  Me sa di unë, Kompania e paraqiti para disa vjetësh studimin për standardin e rrugëve në qeveri, por qeveria nuk e ka miratuar, apo më mirë të themi nuk e ka kthyer në ligj këtë standard. Ky standard ka përcaktimet apo cilësimet e veta. Për dimensionet  e rrugës, për sasinë e përbërësve, për testet që duhet të kryhen për kontrollin e cilësisë së materialeve. Bëra  bast me një anglez që punonte në Komunitetin Europian për Shqipërinë, duke  i thënë që ky standard nuk do të ligjërohet, nuk do të aprovohet. Ai se besoi. Aspak më tha, nuk do shkojë dy muaj dhe do te aprovohet. Kaluan vite dhe nuk u aprovua. Dikush  nuk do ta pranojë, dikush ndërhyn që të mos aprovohet se nuk abuzohet (nuk fitohet shumë), mund të ketë dhe  faktorë të tjerë.

Në studimet tona ne punojmë me standardet angleze (BS) ase amerikane (ASTM). Ne veprojmë sipas kërkesës se klientëve, ne i kryejmë studimet analizat laboratorike me standardin e kërkuar nga porositësi . Klientët kryesorë tanë janë të huajt dhe ata përpara se të ta japin punën të japin standardet që duhet të kesh parasysh. Në kompanitë lokale, punët e shtetit kanë disa specifikime teknike  që shumë kompani nuk i kërkojnë. N.q.s qeveritë  e  Shqipërisë do vendosin standarde do kursejnë para, madje shumë.

 Si do kursejnë para?

Një shembull. Investimet më të mëdha në Shqipëri kanë qenë për rrugët, Por duke mos  pasur standarde, duke mos përdoruar materiale të cilësisë së mirë që kërkohen në rrugë, ne e rindërtojmë çdo 5 vjet rrugën.

Po ne pse përdorim gurin gëlqeror për shtresën e sipërme të rrugëve?

Po shumë thjesht pse. Pasi ai gjendet afër, në çdo vend, merret lehtë, transportohet lehtë, ka kosto të ulët, madje shumë, shumë më të ulët. Pra përdorimi i gurëve gëlqerorë për prodhimin e asfalteve, për shtresat e sipërme shkon 5 vjet me gurët gëlqerorë, ndrysa bazalte, ose graniti shkon deri 15 vjet. E shikon se sa kursehet? Tre herë më shumë. Italianët vijnë marrin  bazalte dhe granite tek ne, ndërsa ne i kemi dhe nuk i shfrytëzojmë. Vetëm Rruga e Kombit mund të themi se ka standarde  më të larta kryesisht për pjesën e sipërme  të saj  që ka përdorur bazalte, granite, në rrugët e tjera kanë përdorur gurë gëlqerorë.

 Po për ndërtimet e hidrocentraleve ka standarde, kushte teknike të miratuara?

Aktualisht sot ndërtimet e hidrocentraleve bëhen nga firmat e huaja që kanë standardet e veta. Çdo kompani  e huaj që vjen dhe operon në Shqipëri nuk vepron sipas standardeve shqiptare (aq më tepër që nuk ka) dhe ato zbatojnë standarde europiane. Të gjitha hidrocentralet mbas demokracisë siç janë hidrocentralet mbi lumin Devoll apo ato mbi lumin Fan, janë studiuar në bazë të normave europiane. E mira  është që meqenëse pretendon të hysh në BE, ne të kemi standardet tona të niveleve europiane.  Po të shkosh në zyrat e standardeve vëren se ne kemi 100 mijë standarde. Po asnjë nga  këto 100 mijë nuk ka vulën e qeverisë shqiptare  që ta detyrojë shoqërinë ta zbatojë. Standardi nuk është vullnetar, por është detyrim. Standardet janë nivel jetese. Por ne të paktën të kemi një standard ndërtimi pasi ndryshe nuk mund të futesh në BE. Pra për ndërtimet  duhet të plotësojmë standarde të ligjëruara, ndryshe s’ka Europë. Ekzistenca e standardeve do të bëjë të mos ketë ndërtime pa leje, të mos ketë ndërtime abuzive që fillojnë për katër kate dhe mbarojnë me 10 kate. Të ketë rrugë me cilësi të lartë që do të jenë të sigurta dhe komode për të udhëtuar. Të gjitha kontrolleve ne me kushte laboratorike u japim përgjigje të saktë.

 Standard është siguri, kursim dhe mirëqenie.

Albert Z. ZHOLI