Sadik BEJKO/Botimi i parë i Dhiatës së Re në gjuhën shqipe 1827

546
Sigal

“Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827”, një studim me rëndësi për historinë e gjuhës së shkruar

Libri i fundit i prof. Xhevat Lloshit, “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827”,  një studim analitik dhe filologjik, i kushtohet përkthimit dhe botimit për herë të parë të Dhiatës së Re në gjuhën shqipe. Ky botim shqip i Dhiatës së Re në vitin 1827 shënon një prej ngjarjeve me të rëndësishme kulturologjike në historinë e shqiptarëve, në veçanti, një ngjarje me peshë për historinë e gjuhës dhe të letërsisë së shqiptarëve.

Për të ardhur te ky libër Xhevat Lloshit i është dashur një udhëtim i gjatë. Më 1972, në arkivin e Shoqërisë Biblike në Londër sheh një grumbull letrash të paskeduara, që dhe mund të hidheshin, se kishte 150 vjet që për to nuk interesohej njeri. Në atë shuk letrash ai gjen dorëshkrimin e përkthimit të Dhiatës së Re, përkthim prej Vangjel Meksit më 1820.

I publikuar në këto ditë të 100 vjetorit të Pavarësisë, ky libër i ri i Xh. Lloshit sikur e thyen disi atë dalldi që ka mbërthyer sivjet klimën tonë kulturore, prirjen dhe përkushtimin pas karakterit ngushtësisht politik e disi etatist të këtij kremtimi. Të ngjan se gjithë vëmendja shtetërore, zyrtare, dhe jo vetëm ajo e tillë, janë përqendruar vetëm te politikanët e shtetarët e përmendur të këtij njëqindvjetori, duke i lënë anash veprimtarët kulturorë. Sikur janë etatizuar e politizuar pak si tepër elitat e këtij kryeqyteti, e Tiranës, në këtë 100-vjetor. Nuk ka asgjë të keqe. Por mbase kështu ndjekim rrugën më të shkurtër dhe atë më të lehtë, mbase është më impresionuese të bësh përmendore shtetarësh apo edhe ajo që të prodhosh libra të karakterit dokumentar e libra publicistiko-përshkrues për historinë politike të këtyre njëqind vjetëve.

Profesor Xh. Lloshi, me një impenjim prej më shumë se 40 vjetësh në këtë fushë të studimit filologjik dhe historiko-kulturor të gjuhës së shkruar, sikur do të na thotë se ka pasur dhe ngjarje me shumë e shumë peshë rreth dy shekuj më parë nga sot dhe këto kanë qenë ngjarje nga ato që vënë gurë themeli në një kulturë, në një histori kombëtare. Libri i tij i fundit na dëshmon se me botimin e Dhiatës më 1827, gjuha shqipe zë vendin e vet të ngulur në hartën e gjuhëve të botës. Pa asnjë dyshim nga autoritetet shkencore në botë shqipja tashmë është pranuar si një gjuhë krejt e veçantë ndër të tjera të folura e të shkruara në arealin ballkanik dhe europian.

Libra si ky që na dha këto ditë Xh. Lloshi, kërkojnë specializim të ngushtë dhe të thelluar në historinë e gjuhës së shkruar, shqyrtime me analiza të imta filologjike të dorëshkrimeve të hershme, hulumtime në ngjizjen tekstore dhe në alfabetet, shqyrtime në përpjekjet për standardizimin morfologjik, leksikor e drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Këto shestime duhet të jenë të mbështetura në kërkime, në gjetjen e dokumenteve të kohës, pastaj në përkthimin dhe transkriptimin e materialit gjuhësor e dokumentar voluminoz, në studime tekstologjie etj., punë këto që duan energjinë që të mbërthehesh për vite të tëra në kërkim e mandej në interpretim, pra një jetë e shkrirë aty pas tryezës së punës. Profesor Xh. Lloshi, një nga mendjet më të holla e më prodhuese në këto fusha, pas studimeve dhe botimeve të veprave të plota të Kristoforidhit, të veprës së Martin Likut, të një vepre monografike mbi alfabetet e shqipes, vjen tani te ky libër i cilësisë së lartë: studimi mbi përkthimin e Dhiatës së Re më 1820 dhe mbi botimin së pari në shqip më 1827.

Libri në pjesën e parë përbëhet nga një studim i hollësishëm kulturor dhe filologjik prej rreth 160 faqesh. Si fillim, autori ndalet në sfondin historik, duke na dhënë interesimin e personazheve kulturore dhe politike të nivelit më të lartë evropian për kohën, duke na sjellë kështu edhe përmasën, edhe orientimin politik e kulturor evropian, orientim që nxiti dhe prodhoi ngjarje të tilla kulmore, siç janë përkthimet e para në gjuhët amtare të Dhiatës së Re në kombet dhe etnitë kudo e kurdo në botë. Faktori evropian si frymë kulturore me shtysa romantike dhe iluministe ka qenë përcaktues për rilindjen e gjithë popujve të Ballkanit, pra dhe për rilindjen shqiptare. Vangjel Meksi me përkthimin shqip të Dhiatës së Re më 1820 është dëshmia e parë kalendarike dhe shpirtërore e asaj që sot e quajmë Rilindja Shqiptare. Theksohet dhe roli e kontributi i paçmuar i veprimtarëve të Shoqërisë Biblike. Përkushtimi dhe dashamirësia e tyre kanë nxitur, udhëhequr dhe realizuar botimin e Dhiatës së re shqip. Puna e tyre e palodhur çoi në gjetjen e përkthyesit dhe të redaktorit, në mbështetjen, jo vetëm si financim, por edhe si drejtim i specializuar e i përqendruar gjuhësor e filologjik për botimin. Ky autoritet ekspertësh të njohur botërisht përkthimit tonë shqip të Dhiatës së Re i dha pasaportë të padyshimtë europiane. U provua se shqipja ishte gjuhë me aftësi për prodhimin e teksteve të tilla të nivelit normativ dhe gjithëkohor. Nuk duhet harruar se atëherë shqiptarët nuk kishin shkolla në gjuhën e tyre.

Autori mandej ndriçon edhe rrethanat kulturore vendore ku u ngjizën cilësisht të aftë për një ndërmarrje të tillë dhe dy personalitetet, përkatësisht, Vangjel Meksi si përkthyes më 1820 dhe Grigor Gjirokastriti si redaktor i botimit shqip të Dhiatës së Re më 1827.  Zgjidhet përfundimisht, mbështetur në material arkivor dokumentar, por edhe me metodën e analizës tekstologjike të dorëshkrimit dhe të botimit se cili ka qenë përkthyesi i kësaj vepre. Një enigmë me manipulime deri dhe me spekulime të qëllimshme apo prej paditurisë, dukuri këto negative dhe çorientuese, kanë shoqëruar në vazhdimësi fushat studimore mbi këtë problem: cili ka qenë përkthyesi i Dhiatës së re. Arrihet në përfundimin shkencor se Vangjel Meksi është përkthyesi dhe Grigor Gjirokastriti është redaktori i botimit të Dhiatës së Re në gjuhën shqipe.

Në vijim, ndalet imtësisht në analiza filologjike tekstore krahasuese mbi gjuhën dhe leksikun e përkthimit dhe të redaktimit.

Ajo që të lë mbresë të veçantë në këtë libër është se, qyteti i Janinës nën administrimin e Ali Pashë Tepelenës kishte krijuar elita kulturore që ishin të afta të realizonin atë që solli përkthimi i parë shqip i Dhiatës së Re: përpjekjen e suksesshme për një gjuhë letrare të shkruar. Shqiptarët e kulturës së lartë ekzistonin. Siç thuhet nga autori: “bëhet fjalë për shtresën e ngritur të shqiptarëve si lexues, si receptues… shqiptarë nga më të zotët si prodhues të tekstit, pra jo për një gjuhë të folur të palëvruar”. Që në kontratën e nënshkruar me përfaqësuesit e Shoqërisë Biblike theksohet se “përkthimi do të kryhet në shqipen ashtu siç flitet në Janinë”, pra, e folmja e Janinës merret si model i një farë koineje të shqipes. Janina na del si një kopsht elitash kulturore, kopsht gramatikash të shqipes (gramatika e F. Da Leçes, e Jan Vellarait dhe e Vangjel Meksit), por edhe si një Babiloni gjuhësore me shqiptarë e grekë në kushte të dy-e-tri-gjuhësisë. Shqiptarë të këtij niveli kulturor atëherë gjeje jo vetëm në Janinë, por edhe në gjithë Greqinë, në Stamboll e në Vjenë, madje deri në Jerusalem. Kjo dëshmohet nga hetimet e Shoqërisë Biblike.

Në pjesën e dytë jepen të përkthyera dokumentet arkivore të vjela nga arkivat e Shoqërisë Biblike, dokumente të publikuara prej autorit, por dhe të pasuruara me kërkime të panjohura më parë. Jepen të sjella në alfabetin e sotëm dy variantet e Ungjillit sipas Mateut, variant i dorëshkrimi i vitit 1820 dhe ai i botimit, viti 1827. Së fundi, kemi dhe Fjalësin e Ungjillit të Mateut i prirë nga një vështrim krahasues me vjeljet e fjalëve që prej këtij Ungjilli të J. Ksilanderit dhe të G. Majerit.

Pa hyrë në hollësi, vërehet me befasi se në leksikun e Vangjel Meksit gjenden gegizma të llojit domethënë, kaptinë (kaptirë), kshill, shenjë, gjergj, sodi e tutje etj. Xh. Lloshi shënon se në Janinë kishte njerëz që e flisnin madje dhe që e shkruanin gegërishten. Sipas Hanit, Meksajt nga Labova e Gjirokastrës, në origjinë janë mirditorë. V. Meksi kishte studiuar për mjek në Itali, kishte përkthyer në greqisht nga frëngjishtja një libër me përmbajtje fetare, njihte Vulgatën dhe përkthimin në italisht të Dhiatës së Re nga Diodati. Këto vërehen në leksikun e përkthimit të tij shqip, përkthim i bërë nga greqishtja e vjetër, Septuaginta. Me tekstin e Dhiatës së Re shqip, shkruar me një alfabet të bazuar te alfabeti grek, botuar në Korfuz më 1827, mësuan shqipen e shkruar albanologu austriak J. Hani dhe K. Kristoforidhi. Deri në daljen e këtij libri, shqipja e shkruar numëronte vetëm 25 libra të botuar. Vlerat e këtij përkthimi në 2000 kopje, tirazh i madh për atë kohë, edhe për sot, dëshmohet se shqiptarët kishin nevojë për një tekst të tillë jo vetëm për nevojat e besimit, por edhe të mësimit të gjuhës së shkruar. Vepra pati një ndikim të pashoq në gjithë botën shkencore evropiane, tërhoqi vëmendjen e albanologëve europianë si: J. Ksilanderi, J. Falermajeri, J. Hani, G. Majeri, F. Bopi. Ajo gjithashtu u bë zanafilla e një tradite njëqindvjeçare përkthimesh të Dhiatës së Re, rrugë që u vijua nga K. Kristoforidhi, Gj. Qiriazi, F. Noli e Thanas Sina. Suksesi i padyshimtë i këtij botimi monografik prej profesor Xhevat Lloshit, një prurje kjo e rëndësishme në fushën e studimeve të historisë së gjuhës e të filologjisë shqiptare, mendojmë se do ta nxisë autorin në vazhdimin e kësaj hullie për të na ndriçuar më tej dhe arritjet e përkthyesve të tjerë të Dhiatës së Re, të atyre që në njëqind vjet ndoqën rrugën e nisur nga Vangjel Meksi.