Rrahman PARLLAKU*/ Hamit Keçi, personalitet i shquar me përmasa kombëtare

649
Familja Keçi vuri në dispozicion të lëvizjes shtëpinë, pasurinë dhe lidhjet e kontaktet si familje e pasur. Katër nga pesë fëmijët e familjes Keçi, kanë qenë ilegalë gjatë luftës, nga të cilët Hamiti dhe Isufi kanë patur pozicione drejtuese në njësitet guerile. 
U mbushën 100 vjet nga lindja e luftwtarit patriot, Hamit Keçi – personalitet i shquar me përmasa kombëtare dhe si të tillë e përkujtojmë ne bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij të OBVL-së, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tirana”, familja dhe të afërmit e tij.
Hamiti lindi një shekull më parë në një familje qytetare tiranase, me ndjenja patriotike.
Hamit Keçi, djali më i madh i Ibrahimit dhe Hafsasë, lindi në një familje qytetare dhe patriote tiranase më 20 Mars 1915. Të parët e familjes Keçi u vendosën në territorin që sot mban emrin “Tiranë” rreth vitit 1600, duke kontribuar në themelimin e qytetit, (siç njihet edhe në veprën “Patriotizma në Tiranë“ të Ibrahim Hysen Dalliut). Familja Keçi klasifikohet ndër familjet e pasura tiranase. Aktiviteti kryesor ekonomik i familjes ishte tregtia, e cila nëpërmjet gjyshit të Hamitit (Hysen Keçi) dhe sidomos nëpërmjet babait (Ibrahim Keçi) u zhvillua shumë. Në Tiranë dhe fshatrat rreth saj, familja Keçi, si një nga familjet e mëdha të Tiranës, ka qenë e mirënjohur jo vetëm për aktivitetin tregëtar ekonomik, por për mikpritjen dhe bujarinë.

Hamiti, pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin e Tiranës, më 11 Janar 1935 filloi studimet në shkollën ushtarake të Napolit, Itali, nga ku, në vitin 1937 vazhdoi studimet ushatarake në një nivel më të lartë, në “Akademinë e Artileri – Xhenjo” në Torino. Dy muaj para përfundimit të plotë të studimeve, në prill 1939, refuzoi diplomën, shërbimin në një ushtri të huaj dhe pagesën duke i këmbyer me burgun dhe internimin, sepse nuk pranoi t’i shërbente Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të III-të. 
Hamit Keçi organizoi dhe udhëhoqi lëvizjen që përfundoi me dështimin e ceremonisë të betimit për besnikëri e përkushtim të oficerëve shqiptarë ndaj mbretit të Italisë. Aktiviteti i tij në Itali në vitin 1939 u konsiderua i “rrezikshmërisë së lartë”, siç rezulton nga dokumentat e arkivës së shtetit shqiptar dhe për këtë arsye u ndëshkua me “4 vjet heqje lirie dhe internim në ishullin e Tremitit në Itali”. Në këtë mënyrë, ai dhe studentët e tjerë shqiptarë shprehën revoltën kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Më 1 shtator 1941, Hamit Keçi, pasi shleu pjesërisht dënimin, u kthye në Shqipëri, plotësisht i vendosur per të luftuar për lirinë e atdheut, i frymëzuar nga idealet komuniste të drejtësisë dhe barazisë shoqërore me të cilat ishte njohur gjerësisht në internim nga komunistët italianë. Kontakti me të rinjtë shqiptarë me të cilët e bashkonin idetë përparimtare dhe humane të kohës, u realizua lehtësisht sepse shtëpia e babait të Hamitit, prej kohësh ishte shndërruar në një bazë kryesore dhe të sigurtë të grupit të të “Rinjve”, në të cilin vëllai i Hamitit, Isuf Keçi ishte anëtar aktiv. Në atë shtëpi, “Grupi i të Rinjve“ organizonte mbledhje e planifikonte demostrata e aksione si edhe drejtonte aktivitetin e grupit edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, ku grupi kishte degët e tij. 
Familja Keçi vuri në dispozicion të lëvizjes shtëpinë, pasurinë dhe lidhjet e kontaktet si familje e pasur. Katër nga pesë fëmijët e familjes Keçi, kanë qenë ilegalë gjatë luftës, nga të cilët Hamiti dhe Isufi kanë patur pozicione drejtuese në njësitet guerile. 
Themelimin e PKSH, Hamiti dhe Isufi sëbashku me shokët e tjerë të “Grupit të të Rinjve“ e pritën si një arritje të rëndësishme, duke shpresuar se në këtë mënyrë, përpjekjet e përbashkëta kundër pushtuesit, do të koordinoheshin në mënyrë të përqëndruar, e për këtë arsye u anëtarësuan menjëherë. 
Me lirimin nga internimi e kthimin në atdhe Hamiti u përfshi në Luftën Antifashiste, fillimisht në njësitet guerile të qytetit të Tiranës, dhe nga 29 Prilli 1943, me krijimin e çetës së Dajtit caktohet drejtues i saj. Shumë shpejt, çeta u transformua në batalion (16 korrik 1943) dhe ai u caktua komandant e komisar i saj. 
Gjatë periudhës së luftës, Hamit Keçi si zëvëndëskomandant ka kontribuar në zhvillimin e aksioneve luftarake të Brigadës së tretë.
Unë pata fatin të njihesha me Hamitin që gjatë Luftës, kur u transferova zv/komisar i Brigadës së Tretë dhe ku ai ishte zv/komandant. Më priti me dashamirësi dhe më dha ndihmë të veçantë të njihesha me gjendjen e Brigadës që ishte riorganizuar pas Operacionit Armik të Dimrit 1944.
Hamiti dallohej për ndershmëri, korrektesë e përkushtim në detyrë; ishte i hapur e i sinqertë me njerëzit; i afruar e i respektuar nga efektivi i Brigadës. Gjatë asaj periudhe patëm një aktivitet të dendur e të suksesshëm luftarak në rajonin e Tiranës e Elbasanit dhe brenda këtyre qyteteve. Brigada u rrit në numër, u konsolidua e u forcua gjatë aksioneve të pandërprera luftarake. Këtu veçohet lufta e Arbanës e cila kurorëzoi në flakë e zjarr krijimin e Brigadës në tetor 1943. Në 21 shtator 1944, Hamit Keçi u emërua komandant i brigadës 23 dhe i drejtoi luftimet e kësaj brigade deri në çlirimin e plotë të vendit.
Hamiti nuk ishte i vetëm në luftë nga familja Keçi. Krah tij ishte gjithë familja; vëllai Isufi, gjithashtu drejtues ushtarak dhe politik i njësive e reparteve partizane. Ai arriti shkallën e lartë të komandimit, komisar divizioni. Po ashtu, motra pjesëmarrëse në organizatat e rinisë antifashiste. Edhe ndikimi i tij e i rrethit familjar ka qenë evident në sukseset e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Menjëherë pas çlirimit Hamiti emërohet shef i shtabit të Korp Armatës së tretë e për disa muaj komandant i Korp Armatës së parë. 
U dërgua në Moskë (1945 – 1948) për të studiuar në Akademinë e Lartë Ushtarake“Voroshilov“, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. U kthye në atdhe me gradën“Nënkolonel“. U emërua Drejtor i Drejtorisë Politike të Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u gradua“Kolonel“.
Por Hamiti, si pjesa kryesore e udhëheqësve të Luftës e pësoi nga diktatura e direkt nga diktatori Hoxha, i cili nuk i duronte njerëzit e aftë e të ditur që kishin mendime që binin ndesh me ato të tijat.
Hamiti e pësoi se pati kurajon dhe guximin t‘ía përplasë hapur mendimet progresiste diktatorit Hoxha dhe këshilltarëve të tij. Si i tillë, në 2 gusht 1949 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirije, me heqjen e gradave si edhe të mbajtjes së medaljeve e dekoratave. 
Hamit Keçi formalisht u dënua për moszbatim urdhëri, nxjerrje sekreti, ofendim të udhëheqjes etj. Por e vërteta mbi shkaqet e dënimit qëndron më thellë, ndryshe nuk mund të justifikohet se pse pas tij u arrestua i vëllai, u akuzua i kunati, dhe u ndoq e persekutua e gjithë familja. Arsyet e dënimit, qëndrojnë në mospërputhjen e idealeve politike, parimeve e personalitetit të tij, të vëllait dhe gjithçkaje që ai dhe familja e tij përfaqësonin, me kursin që po ndiqte PPSH dhe kryesisht udhëheqësi i saj, diktatori Hoxha, krejtësisht në kundërshtim me interesat e vendit.
Edhe kur u lirua nga burgu, Hamiti mbeti i denigruar, po ai i bëri ballë burrërisht kësaj gjendje.
Mbas lirimit nga burgu, në vitin 1959 u martua me Jeta Teki Selenica, me të cilën ka dy vajza, që e nderuan gjatë të gjithë jetës. Jetesa familiare ka qenë një model harmonie dhe mirëkuptimi për të gjithë pjestarët. Pavarësisht luftës së klasave dhe pasojave të saj mbi anëtarët e familjes, familja e bashkuar triumfoi me dinjitet mbi stuhitë e padrejtësistë e kohës. 
Me Hamitin pata fatin të takohesha prapë me t‘u liruar nga burgu. Tani në kushte të reja, na bashkoi detyra, edhe përse të moshuar të jepnim sa të mundnim kontributin tonë në zhvillimet demokratike. U bëmë pjesë e Organizatës të Bashkuara të Veteranëve të LANÇ-it. Ai drejtoi për 8 vite Degën e Tiranës të kësaj organizate, duke gëzuar besimin e veteranëve e të familjeve të dëshmorëve, por edhe të bashkëqytetarëve të vet. 
Pas vitit 1990, ndonëse i moshuar, Hamit Keçi u përfshi me pasion në lëvizjen demokratike, me të gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit, me bindjen e thellë se duhej të kontribuonte në ndërtimin e një Shqipërie të re. Botoi artikuj në gazeta rreth historisë e ngjarjeve në të cilat kishte qenë dëshmitar, mori pjesë në aktivitete publike e sociale duke kryer detyrën e tij si intelektual e patriot. Në bazë të vendimit nr.12 datë 21.7.1994 të komisionit tre palësh, iu dha e drejta e “Statusit të ish të përndjekurit politik”. Punoi me përkushtim deri në frymën e fundit.
Hamit Keçi, ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij, një idealist i ndershëm, patriot, entuziast ndaj çdo ideje që sillte progres, i gatshëm për çdo sacrificë në emër të barazisë dhe drejtësisë njerëzore. U nda nga jeta më 8 dhjetor 2002, i rrethuar nga dashuria e familjes, e miqve dhe shokëve, respektin e të cilëve e kishte merituar kurdoherë pavarësisht nga rrethanat.
*Gjeneral-lejtnant (ne pension), Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit.
Sigal