Profesor Agron Fico, gjirokastriti fisnik që na nderon të gjithëve

619
Sigal

Rreth dy muaj ka gjezdisur në fshatrat e Zagorisë për të mbledhur nektarin e trashëgimisë folklorike

 Ka pak kohë që takohem e rri me profesor Agronin. Takimi me ‘të, më sjell kënaqësi mbasi ai rrezaton mirësi, dashuri, respekt kulturë dhe më kryesorja flet me pasion e vlerësim të lartë për Gjirokastrën.

 Kultura e gjerë, niveli i lartë intelektual përvoja e gjatë, puna shkencore akademike janë vlerë nga e cila mundohem të përfitoj gjatë kohës që qëndroj me profesorin e pimë kafe aty tek “Kafe Europa”.

Prof. Agroni është një gjirokastrit fisnik që përmban në vetvete, tërë vlerat e trashëgimisë së qytetërimit të lashtë duke u renditur në njerëzit me integritet e që i bëjnë nder Gjirokastrës sonë të bukur, të dashur e të mençur.

Kur më merr në telefon Prof. Agroni nuk përgjigjet Alo, apo përshëndetje a mirëmëngjesi, por nga ana tjetër e celularit dëgjoj një këngë me melodi shumë të bukur gjirokastrite, çka më befason e përjetoj një ndjenjë kënaqësie, qesh me të madhe dhe e përshëndes me shumë dashuri dhe e falënderoj për këngën e që më telefonoi.

Profesori e do shumë këngën gjirokastrite, që siç thotë e këndon me dashuri dhe prandaj thotë se nuk e harron kurrë dhe sa herë i jepet rasti ja merr shtruar atyre melodive brilante me të cilat është rritur qysh në fëmijërinë e hershme e që nuk i harron edhe sot.

Qysh kur ishte i ri e punonte në Institutin e Folklorit ka bërë ekspedita folklorike në krahina të ndryshme të vendit ku ka gjurmuar me durim vlera të paekspozuara të trashëgimisë folklorike.

Rreth dy muaj ka gjezdisur në fshatrat e Zagories për të mbledhur nektarin e trashëgimisë folklorike të asaj treve, ndër më të veçantat e befasueset nga zonat e tjera të rrethit e më gjerë. Ndonëse kanë kaluar 50 vjet nga ajo kohë profesori më flet me dashuri, pasion e profesionalizëm për gjithçka ka parë, ndjerë, vëzhguar e studiuar nga ajo trashëgimi e jashtëzakonshme e asaj zone sikur të ketë qenë dje në Zagorie e jo gjysmë shekulli më parë.

Gjatë saj kohe, profesori ka zhvilluar shumë ekspedita folklorike në treva të ndryshme, madje ka shoqëruar në këto gjurmime shkencore edhe studiues të huaj të cilët janë befasuar me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore të shprehura në punimet e tyre shkencore.

Një ditë, kur po pinim kafe së bashku me Spiro Deden, këtë zagorit fisnik, dhe kur i thashë se po shkruaja një libër për Zagorien e këngës dhe doja të më tregonte diçka për të, Spirua menjëherë m’u përgjigj: Kush më mirë se Profesori do të fliste për Zagorien.

Kur profesori më dhuroi librin “Profesor në tre kontinente” u befasova kur pashë kopertinën të ndarë në tre pamje, ku janë paraqitur Muri i Madh Kinez, simbol dhe monument përfaqësues i Kinës dhe pse jo edhe i Kontinentit Aziatik, Statujën e Lirisë, simbol i paqes, monumentit gjigant në portat e Nju Jorkut dhe pamjen e lagjes Hazmurat në Gjirokastër, atëherë mendova: po Gjirokastra ç’përfaqëson në këtë rast?

Profesori, si simbol përfaqësues të kontinentit europian ka zgjedhur të vërë në kopertinë lagjen Hazmurat të qytetit të Gjirokastrës, ku u lind dhe kaloi fëmijërinë e tij.

Profesori, si simbol të Evropës nuk zgjodhi të vendosë Kullën “Eifel” të Parisit, apo Portat e Brandenburgut të Berlinit, Koloseun e Romës apo Akropolin e Athinës, madje as sahatin e Tiranës, kryeqytetit tonë.

Jo! Profesori zgjodhi Hazmuratin e Gjirokastrës si simbol të përfaqësimit të kontinentit të vjetër.

Nuk di si e perceptoni ju duke parë kopertinën e librit “Profesor në tre kontinente” të profesor Agron Ficos, por unë, nga momenti që e pashë për herë të parë dhe gjithmonë që e shikoj emocionohem dhe ndjehem krenar që jam nga Gjirokastra, ky qytet i magjishëm, që profesori e vendos Hazmuratin përkrah Murit të Madh Kinez dhe statujës së Lirisë.

Atëherë e kuptova sa shumë Prof. Agron Fico e donte Gjirokastrën megjithëse jeta e tij aty ka kaluar në tallaze e dallgë të jashtëzakonshme, por talenti, vullneti, integriteti, intelekti, fisi, origjina bënë që ta përballojë e të dalë ballëlartë e të jetë ky personalitet që i bën nder Gjirokastrës.

Për Prof. Agron Ficon nuk mjaftojnë këto fjalë që po shkruaj në këtë libër, sado vlerësuese që janë. Për profesorin edhe një libër më vete monografi, nuk do të ishte i mjaftueshëm. Ai meriton  shumë më tepër.

Po vendos këtu edhe një letër që i dhashë profesorit ku shpreh disa mendime duke lexuar librin : “Beatiful America”.

I dashur prof. Agroni

E lexova me vëmendje librin tuaj “Beatiful America” Mozaik shkrimesh që ma dhuruat para pak kohe, i cili pasqyron në tërë dimensionin e tij identitetin qytetar dhe nivelin e lartë të vlerave intelektuale që bart e mishëron, të cilat i prek, ndjen e përcjell me emocion në 344 faqet e tij, prandaj ju falënderoj nga zemra dhe ju uroj krijimtari të begatë edhe në të ardhmen.

Është hera e parë që lexoj një libër tuajin, ndërkohë vlerat tuaja të intelektualit, studiuesit e gjirokastritit fisnik i kam ditur dhe jam njohur me to që në rininë time, kur për personalitetin tuaj flitej në rrethe të gjëra në Tiranë dhe Gjirokastër.

    

I dashur Profesor!

Më lejo të shpreh këtu disa mendime për librin, jo si një reçension apo kritikë letrare, por me modestinë e një muzikanti duke shprehur vlerësimet e konsideratës time më të lartë për personalitetin tuaj.

Duke lexuar librin befasohesh me artin e fjalës e thellësinë e mendimit e me multikulturizmin tuaj. Ndjen nëpër rreshta zemrën me tik-takun e patriotit, shikon me kënaqësi si portretizohen nëpërmjet letërkëmbimit poetë të tillë si Kadareja e Agim Shehu, që shkëlqejnë gjithmonë në letërsinë shqipe. Ju në libër tregoheni i kujdesshëm dhe me stil elegant duke mos harruar krijuesit e patriotët aq të çmuar të Diasporës, që nëpërmjet sakrificash kontribuojnë për Atdheun e padyshim e pasurojnë shqipen e Nolit e të Konicës.

E lexova me endje çdo shkrim të librit duke ndjerë në të sa historianin, gjuhëtarin e pasionuar, shkrimtarin, publicistin e letrarin e ndjenjave më të bukura. Dhe krenohemi me ju, mësuesin e shqipes së bukur që ngriti dekada më parë, në Pekin e Miçigan, katedrën e gjuhës shqipe. Mburremi me Akademikun e studiuesin e njohur të etnokulturës, me gjirokastritin e njohur të mençur me zemër të madhe.

I dashur profesor!

Në këto pak rreshta nuk mund të përshkruhet gjithë bukuria e fjalës dhe mendimi intelektual e personaliteti juaj si vlerë në kulturën tonë, por unë u mundova të shpreh emocionet dhe kënaqësinë estetike që përjetova duke lexuar librin.

Edhe një herë, i dashur profesor Agroni, ju uroj shëndet dhe vite të bukura në familjen tuaj. Jetë akademike intensive dhe krijimtari të mbarë.

Me shumë respekt e dashuri,

Naxhi Kasoruho