Prof. dr. Sherif LUSHAJ/ Masakra në Tokat Bujqësore, po humbet sigurinë për gjeneratat e ardhshme

840
Sigal

 Shpërdorimi i tokës bujqësore vazhdon të jetë një problem alarmant

Shpërdorimi i tokës bujqësore vazhdon të jetë një problem alarmant. Politikbërësit dhe vendimmarrësit, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes dhe administrimit të tokës, por as edhe pronarët dhe përdoruesit, nuk mund të qetësojë aspak ndërgjegjen për çka po ndodh. Edhe pse toka bujqësore është pasuria me e madhe kombëtare që ne disponojmë për sigurinë ushqimore, sjellja deri më sot e organeve qendrore e lokale dhe institucionet përgjegjëse, përkundrazi e konsiderojnë tokën si gjeja më pa vlerë dhe sikur të mos kishte një të nesërme për vazhdimësinë e jetës. Disa nisma euforike të viteve të fundit, pa kryer më parë studime të efektivitetit dhe pa respektuar parimet e rajonizimit të qëndrueshëm të prodhimit, autoritarizmi qeveritar për të marrë një status pa kufi në vendimmarrje pa respektuar ligjin dhe pa parashikuar të ardhmen, shkaktuan ndryshimin e përdorimit të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës bujqësore, duke harruar se toka nuk i përket një brezi, as një mandati qeverisës, as njerëzve të veshur me pushtet, por u përket shqiptarëve dhe brezave pa fund. Ne sot jemi vetëm një segment i shkurtër i shoqërisë që do të vijë më pas në këtë vend dhe kemi detyrimin të mbrojmë interesat dhe nevojat e gjeneratave të ardhshme. Qeveria e para duhet të kuptoje se toka nuk është një komoditet që i përket asaj, sikurse beri qeveria qe iku, por një detyrim për ta administruar dhe mbrojtur për sot dhe për nesër, për të kuptuar se pa përdorimin e qëndrueshëm të tokës nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm rural dhe bujqësor. Një vend që pakëson token bujqësore dhe burimet tokësore dhe qe nuk parashikon ndryshimet në përputhje me nevojat e gjeneratave të ardhshme, gradualisht humbet të  ardhmen e tij.

Qysh në vitin 1987, komisioni Brundland e përcaktoi zhvillimin e qëndrueshëm si strategji “që përmbush nevojat e gjeneratave të tashme, pa kompromentuar mundësinë e gjeneratave të ardhshme për të plotësuar nevojat e tyre”. Edhe pse burimet e tokës bujqësore në vendin tonë Jane të kufizuara e në rënie, përsëri shoqëria dhe Institucionet mbeten të pashqetësuara sa duhet. Nga 0.21 ha tokë bujqësore për frymë në vitin 1990,  sot më pak se 0.18 ha dhe vazhdon të ulet më tej. Nuk vazhdon tradita e fshatrave të Dropullit, Bregut të Detit të vendosura në shekuj në shpatet e maleve, për të ruajtur me fanatizëm tokën bujqësore. Pas vitit 1990, në gjithë vendin janë zënë me ndërtime nga urbanizimi kaotik rreth 70 mijë ha ose 10 % e sipërfaqes së tokës bujqësore, në zonat më produktive të vendit. Gradualisht po humbasin kufijtë në hapësirën Tiranë-Durrës-Krujë dhe kudo në akset kryesore të të rrugëve të vendit, kodrat përreth qyteteve, kur ka mundësi të tjera për hapësira të zhvillimit urban dhe të zonave ekonomike. Vendin e prodhimit bujqësor po e zë mbjellja e betonit nën vellon e heshtjes.

Perspektiva

Perspektiva nuk flet për mirë, ne se vrulli i nisur nuk do të ndalet, në se mendimi shkencor, ekonomik dhe institucionet do të vegjetoje, në se ligji nuk do të zbatohet, në se masakra do të vazhdojë. Praktikisht, edhe sikur gjate 20 viteve ne vazhdim nuk do te zihet asnjë m² tokë bujqësore, vetëm në saj të rritjes të popullsisë pritet qe norma për fryme të ulet në masën 20% nga sa është sot. Por, në se edhe zënia e tokës bujqësore me ndërtime do të vazhdonte  me ritmin e 20 viteve të fundit, ulja e normës së tokës bujqësore për fryme në të njëjtën periudhë do të dyfishohej. Por humbja e tokës bujqësore është edhe më e madhe nga sa pasqyrohet. Në vjetarin statistikor të Ministrisë Bujqësisë të vitit 2011, toka bujqësore raportohet vetëm 6 mije ha më pak  nga viti 1992 (pas 19 vjetësh) kur në fakt është dhjetëra herë më shumë. Dhe megjithëse, u krijua ALUIZNI, që evidentoi ndërtimet edhe në tokat bujqësore, përsëri ndryshimet e fondit të tokës bujqësore mbetën të pareflektuara në evidenca, plane e programe.

Shpërdorimi i tokës bujqësore me këtë ritëm, sipërfaqja e ulet për frymë të popullsisë, % e ulet në raport me sipërfaqen e përgjithshme, rritja e sipërfaqes të degraduar, komplikojnë edhe me shumë zinxhirin e problemeve të perspektivës të zhvillimit rural dhe bujqësor. Nga pakësimi i tokës bujqësore, por jo vetëm, prodhimi bujqësor, në krahasim me vitin 1989, në disa kultura është deri në  20 herë më i ulet, kapaciteti prodhues i tokës bujqësore deri në  50 – 60 %, aftësia ujitëse në 30 % e sipërfaqes nga 64 %  ne vitin 1990. Importi i produkteve ushqimore 7-8 herë më i lartë se eksporti. Çdo shqiptar konsumon mesatarisht ushqime importi me vlerë 200 Euro në vit dhe siguron nga eksporti i produkteve vendase mesatarisht 28 Euro. Funksionojnë ferma të vogla dhe larg madhësisë të fermave të vendeve Evropiane, mesatarisht 1.1 ha, të cilat në shumicë prodhojnë vetëm për nevojat familjare dhe jo për tregun, fragmentimin e mëtejshëm të tokës bujqësore, ulja e nivelit të të ardhur dhe rritja e nivelit të varfërisë. Në vendet e zhvilluara, kujdesi për tokën vepron si instrument për zhvillimin e qëndrueshëm rural e bujqësor dhe kufizimin e krizave ekonomike. Në nivel global dhe në shumë vende, ne periudhën 1995-2007, fondi tokës punueshme nuk është cenuar. Por konstatimi i mbrojtjes të ulët të tokës në vendet në zhvillim dhe pasojat në uljen e prodhimit dhe rritjen e nivelit të varfërisë dhe urisë, ka bërë që Asambleja e OKB së afërmi të shqyrtojë propozimin për ta shpallur vitin 2015, si viti ndërkombëtar i tokës, nismë, të cilën edhe Shqipëria duhet ta mbështesë.  Në situatën, kur shpërdorimi i tokës bujqësore ka marrë përpjesëtime të gjëra nevojitet një rishikim dhe plotësim i legjislacionit, përcaktimi i përgjegjësive të strukturave shtetërore dhe Institucioneve të shumta formale, anemike dhe të pa koordinuara të menaxhimit dhe kontrollit, forcimi i inspektoratit të mbrojtjes së tokës bujqësore, rishikimi i Ligjit “ Për mbrojtjen e tokës bujqësore” dhe hartimi i një akti ligjor specifik për mbrojtjen e fondit të tokës bujqësore. Është urgjent një organizim dhe koordinim tjetër i strukturave qendrore dhe lokale të administrimit të tokës, nuk mund të zvarritet më tej inventarizimi i sipërfaqes të tokës bujqësore, pasi shifrat janë shumë larg realitetit dhe me evidenca të pa sakta. Mbrojtja me ligj i tokave bujqësore të kategorive me vlera të larta agro-prodhuese nga urbanizimi, ose që shkaktojnë fragmentimin e mëtejshëm, përcaktimi i zonave për zgjerimin urban, kufizimi i të drejtave të pronarit të tokës bujqësore për ndërtimin jashtë kritereve. Hartimi i planit të përdorimit të tokës bujqësore ne nivel lokal, rajonal e kombëtar si perceptim i qeverisë për zgjedhjen e alternativave më të mira të përdorimit me efekte sociale, ekonomike dhe mjedisore. Ministria e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor, si autoriteti më i lartë shtetëror për mbrojtjen e tokës bujqësore, deri dje trashëgoi një mentalitet të gabuar të përdorimit të tokës nëpërmjet urdhrave dhe nismave euforike nga lart ne vend të studimeve, ligjit dhe përgjegjësive të institucioneve. Udhëzimet për ndryshimin e kategorive të resurseve, kompetencat e autoriteteve, janë ndryshuar disa herë, edhe “për të bërë mirë dikujt”. Nevojitet hartimi i një udhëzuesi të ri të qëndrueshëm, transparent dhe sipas kritereve te FAO-s dhe direktivave të BE. Nevojitet plotësimi i një kuadrit strategjik dhe rregullator të ri. Mbrojtja e tokës si pjesë e strategjisë bujqësisë 2007-2013 dështoi, pasi një dokument i tillë nuk mund të gjejë zbatim në një mandat qeverisës, por për një periudhë së paku 10-15 vjeçare dhe e miratuar nga parlamenti dhe jo nga qeveria.

Shkrirja e Institucioneve kërkimore-shkencore

Ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe agjencive zbatuese si dhe zgjedhja e ekspertëve të aftë ne nivel qendror, rajonal dhe lokal, për menaxhimin e tokës bujqësore, kushtëzohet sot nga reformat tetë vjeçare që sollën pa aftësinë profesionale. Shkrirja e Institucioneve kërkimore-shkencore te kësaj fushe nga viti 2006, zëvendësoi mendimin shkencor dhe ekonomik me urdhra verbale e nisma qe mbetën rrugës, mbylli dritaren e shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendit. Për të kufizuar zënien e tokës nga ndërtimet, lipset përfundimi i regjistrimit të tokës, konsolidimi i pronësisë dhe zgjidhja e konflikteve, ngritja e sistemit te administrimit sipas Udhëzuesit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara, (1993), hartimi i kodit të tokës, nxitja e tregut, mbrojtja e burimeve tokësore, konsolidimi, planifikimi i përdorimit të tokës sipas modelit FAO-s, rajonizimi i prodhimit, përmirësimi i legjislacionit të përafruar me atë të BE, ndërtimi i sistemit të evidencës të fondit dhe kategorive të tokës dhe monitorimit të ndryshimeve, mbeten çështje qe nuk mund te zvarriten më tej. Zona bregdetare përfshin tokat më të rëndësishme bujqësore dhe ku presioni urban është më i lartë. Prandaj ndalimi i ndërtimeve urbane dhe aktiviteteve ekonomike në tokat bujqësore të kësaj këtë zone për një periudhë 1-2 vjeçare, do të ndihmonte në përcaktimin e zonave dhe planifikimin e përdorimit të tokës.

“Administrimi i burimeve tona natyrore është administrimi i ëndrrës amerikane”, ka vënë në dukje në ceremoni e Ditës së Tokës  në vitin 1995  në Shtëpinë e Bardhë Presidenti i SHBA-ve Bill  Clinton.- “E gjithë shoqëria dhe institucionet mund dhe duhet të kontribuoj në mbrojtjen e tokës nga pakësimi”.