Prof. Dr. Irakli Premti: Sot në Shqipëri gjenden gati 50 minerare të reja, si në fushën minerare, gjeologjike, ujit të pijshëm d

686
Sigal

Flet, Prof. Dr. Irakli Premti  ( Mineralogjist):Organizimi i shërbimit gjeologjik-minerar pasurues e teknologjik, domosdoshmëri për rritjen ekonomike

-Duhet të organizohet një forum i shpejtë i shërbimit gjeo-minerar, ku të ftohen specialistët më të mirë në këtë fushë

– Shqipëria ka zënë vendin e tretë në botë për prodhimin absolute të kromit për frymë të popullsisë, ndërsa sot?

-Duhet të kihet  parasysh:

  1. Shfrytëzimi në thellësi i vendburimit të Bulqizës ku ka krom të pasur.
  2. Rikonstruksioni i Fabrikës së Pasurimit të Bulqizës e Batrës.
  3. Rivënia në punë e Fabrikës së Ferrokromit të Burrelit, për prodhimin e ferrokromit.
  4. Riaktivizimi dhe hapja e vendburimeve të reja në zonën e Tropojës, ku ndodhen mbi 60 objekte kromi.

      5-Duhet ndërtimi i një fabrike pasurimi për kromin dhe bakrin për zonën e Kukësit,    (Kalimashit dhe Perolljat)

Riorganizimi i një shërbimi të ri cilësor gjeologjik-minerar teknologjik për mineralet e ngurta dhe për ujin e pijshëm dhe naftën, është një kërkesë urgjente për ta vënë këtë shërbim në themele të shëndosha dhe për ta kthyer në një burim të fuqishëm të mirëqenies ekonomike. Është ky qëllimi që po paraqesim një vështrim të shkurtër mbi atë se çfarë duhet bërë në Shqipëri, në fushën e gjeologjisë, shfrytëzimit e teknologjisë, për të vënë në efikasitet këtë të sektor të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare.

Çfarë duhet të ketë parasysh qeveria e re në sektorin e gjeologji-minierave?

Meqë qeveria me bazë të gjerë socialiste dhe mbështetje plebishitare ka ndërmarrë reforma, që synojnë ta nxjerrin përfundimisht ekonominë shqiptare nga kolapsi i trashëguar, si njohës i vjetër dhe me përvojë të gjatë pune në sektorin e gjeologji-minierave, dua të ngre disa probleme që do të ishte në nderin e kësaj qeverie t’i  bënte pjesë të strategjisë së saj, për një ridimensionim të sektorit jetik të gjeologji-minierave në Shqipëri. Problemet e këtij sektori, vënia në efiçencë të plotë të së cilit, do të sillte një bum ekonomik në vend, mendoj të bëhen objekt analize dhe shqyrtimi të hollësishëm, në një forum të shpejtë të Shërbimit Gjeo-minerar, ku të ftohen specialistët më të mirë në këtë fushë, si dhe specialistë të huaj, si dhe biznesmenë vendas dhe të huaj, të cilët mund të ishin donatorë dhe koncesionarë të projekteve të fuqishme në këtë sektor të lënë padrejtësisht pas dore të ekonomisë sonë kombëtare. Ky forum lipset të organizohet nga ministria e linjës, nën drejtimin e Universitetit Politeknik të Tiranës, studimet e të cilit në këtë fushë kanë qenë dhe mbeten prioritare, me shumë efektivitet ekonomik, por për fat të keq, deri tani vetëm në letër. Materiali studimor i paraqitur në këtë studim, lidhet kryesisht me trajtimin e pasurisë kombëtare të reflektuar në rezervat natyrore-minerare përpunuese që ndodhen në Shqipëri. Lidhur me rezervat dhe lidhjet minerare ato janë rezultat i punës gati 70 vjeçare të bërë nga gjeologë dhe inxhinierë, vendas e të huaj, që kanë pasur rastin të punojnë në Shqipëri dhe që me kontributin e tyre kanë arritur të përcaktojnë njësitë dhe llojet e mineraleve, nëpërmjet investimeve që janë bërë nga shteti shqiptar në vitet 1998-2000, ku rezervat gjeologjike i përkasin kësaj periudhe kohore. Drejtimet kryesore kanë qenë: 1. Prodhimi i Metalurgjisë dhe të mineraleve metalorë dhe jo metalorë. 2. Problemet e përcaktimit të rezervave në zonat kryesore naftë-gazmbajtëse. 3. Problemet e Gjeologjisë Inxhinierike që lidhen me Hidrogjeologjinë për furnizimin me ujë të pijshëm dhe problemet e strukturës së tokës në përgjithësi. 4. Vëmendje parësore t’i kushtohet nga qeveria problemit të hekur-nikelit e nikel-silikat-kobaltit, qymyrgurit e torfave si burime alternative energjie.

 Cilat janë problemet e organizmit të gjeoshkencave minerare?

Studimet gjeologjike dhe minerare janë produkt i një pune gati tetëdhjetëvjeçare, për të mos thënë njëqind vjeçare të kryer nga specialistët shqiptarë dhe të huaj. Mjafton të themi se rezultat i kësaj pune sidomos mbas viteve 40-90 rezulton se vendi ynë në kuadrin e strukturave albanide, helenide, italide dhe tauride, në aspektin metalogjinik dhe gjeologo-strukturor sidomos për albanidet konsiderohet një nga vendet me pasuri minerare të madhe. Falë kësaj pune, sot në Shqipëri gjenden gati 50 minerare të reja, si në fushën minerare, gjeologjike, ujit të pijshëm dhe naftës. Në këtë aspekt, Shqipëria, e krahasuar me vendet kufizuese për nga sipërfaqja që ka prej 28 mijë kilometra katror, metalogjenikisht konsiderohet një vend me pasuri minerare potenciale, aktualisht edhe të shfrytëzueshme, por edhe të pashfrytëzueshme. Mjafton të përmendim se në Shqipëri gjenden mbi 80 objekte të kromit të pasur dhe të varfër, ku vlen të përmendim si vendburimi gjigand i Bulqizës dhe Batrës, vendburimet e masivit ultrabazik të Bulqizës, të vendburimeve të zonës së Kukësit, Tropojës dhe Pogradecit. Një i tillë, ndërmjet tyre mund të përmendim vendburimin të Bulqizë/Batrës, që konsiderohet një vendburim unikal për nga origjina dhe struktura, i vetmi në botë. Sot në Shqipëri, falë punës gati gjashtëdhjetëvjeçare është e garantuar për gati më shumë se 35-40 vjet me krom të pasur dhe të varfër.

Për këtë arsye, është shumë e domosdoshme që të evidentohet kjo pasuri, pasi Shqipëria ka zënë vendin e tretë në botë për prodhimin absolut të kromit për frymë të popullsisë. Kemi mendimin dhe rekomandojmë që duhet të kihet të parasysh:

1-Shfrytëzimi në thellësi i vendburimit të Bulqizës ku ka krom të pasur.

      2-Rikonstruksioni i Fabrikës së Pasurimit të Bulqizës e Batrës.

3-Rivënia në punë e Fabrikës së Ferrokromit të Burrelit, për prodhimin e ferrokromit.

4-Riaktivizimi dhe hapja e vendburimeve të reja në zonën e Tropojës, ku ndodhen mbi 60 objekte kromi.

5-Ndërtimi i një fabrike pasurimi për kromin dhe bakrin për zonën e Kukësit, (Kalimashit dhe Perolljat) është një domosdoshmëri për të vënë në  efiçencë resurset e këtyre pasurive minerare në këto zona mineralmbajtëse.

Sasia e përgjithshme e rezervave gjeologo-minerare është rreth disa dhjetëra qindra milionë tonë, (mbi 50 lloje minerale industriale dhe joindustriale) që do t’i specifikojmë me zërat përkatës. Një kontribut të veçantë në këtë fushë të veçantë kanë dhënë studimet e bëra nga inxhinierët gjeologë të tillë të talentuar si Koço Gushi, Jorgo Kola, Gudar Toto, Namik Mytrezai, Gjyze Myrtezai, Irakli Premti, Bashkim Lleshi etj. Ndërtimi i dy uzinave të ferrokromit  në zonën e Kukësit, (Kalimash) jo vetëm për mineralin e kromit por dhe për hekurnikelin, për të cilat do të flasim më tej, mund të themi se nuk duhet vonuar. Punimet e këtyre specialistëve hapën perspektivën e kërkimit dhe zbulimit të pasurive gjigande të vendburimit unikal të Bulqizës, ku falë kësaj pune, prodhimi i kromit në këto masive ka qenë mbi 400 mijë ton në vit. Përveç kësaj në masivin Bulqizë-Batër është ndërtuar për herë të parë aksonometria ose përmasa tredimensionale. E njëjta gjë duhet thënë edhe për vendburimet dhe objektet e masiveve mineralmbajtëse të Tropojës, ku është domosdoshmëri ndërtimi i një ose dy fabrikave portative, sipas përvojës turke,  pasurimi të kromit, mbasi në këtë zonë ndodhen krome të varfra, por dhe të pasura.

Çfarë duhet pasur në konsideratë për mineralin e sulfureve të bakrit, të arit dhe polimetaleve të tjerë?

Për mineralin e bakrit ku futen vendburimet e sulfureve polimetalorë si plumb, zink, ar, argjend dhe bakër, Shqipëria, metalogjenikisht konsiderohet një zonë shumë e pasur. Në zonën e Mirditës qendrore gjenden mbi 70 objekte dhe vendburime dhe dalje të mineralizuara, që potencialisht përfaqësojnë një zonë të veçantë metalogjenike. Është e rëndësishme, e theksojmë, vënia në efiçencë dhe rishikimi i të gjitha objekteve të bakrit dhe sidomos arit dhe argjendit, galiumit dhe germaniumit, që urgjentisht duhet të studiohen për hapjen e perspektivës së tyre.

 Nevoja për ngritjen e sektorit të kartografimit të hartave regjionale

Ka ardhur koha që nën shembullin e vendeve me përvojë në menaxhimin e resurseve mineralmbajtëse që vendi ynë t’i rikthehet edhe një herë asaj tradite të vyer të para viteve ’90, në drejtim të kartografimit të hartave të Shqipërisë, traditë e cila për fat të keq, ka humbur. Të gjitha hartat duhen rinovuar me pikëpamjet më të reja, p.sh hartat tona janë të vjetruara deri në vitet ’90, për shembull na mungon harta hidrogjeologjike e Shqipërisë, e ndërtuar 15 vjet përpara, harta gjeologjike, harta tektonike, të cilat është domosdoshmëri të rinovohen. Për këtë duhet të krijohet sektori i gjeologjisë krahinore, në kuadrin e gjeo-shkencës së Shqipërisë. Ka ardhur koha që në vendin tonë të krijohet një disiplinë shkencore në drejtim të unifikimit dhe të klasifikimit të zonave tektonike, në të cilat Shqipëria është e avancuar, por për të qenë më të avancuar duhet në aspektin organizativ të krijohet një strukturë e centralizuar në kuptimin e përgjegjësisë, por e hapur në kuptimin e ballafaqimit shkencor, ku të gjithë specialistët të japin mendimet e tyre dhe të kontribuojnë në këto fusha për të gjitha problemet. Dhe për këtë mendojmë që:

Në organikën e Këshillit të Ministrave të ngrihet një strukturë nën drejtimin e zv/kryeministrit ose në mungesë të një ministri fuqiplotë. Kjo nën shembullin e gjithë shteteve që trajtojnë pasuritë minerare. Një gjë e tillë i jep fund kaosit dhe anarkisë, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit dhe shmang veprimin e monopoleve në këtë sektor jetik të ekonomisë kombëtare. Në këtë organizëm duhet të jenë anëtarë të gjithë ministrat kryesorë: ministri i Ekonomisë, Financave, Tregtisë, Drejtësisë etj, të cilët  duhet të bëjnë pjesë në bërthamën e një këshilli administrativ, që të marrë vendime në këtë drejtim. Ky këshill duhet të varet direkt nga Kryeministri. Në këtë këshill duhet të bëjnë pjesë drejtorët si drejtori i Shërbimit Gjeologjik dhe nëndrejtori, drejtori i AKBN-së, Dekani i Fakultetit të Gjeologji Minierave, profesorët, doktorët, specialistët më të aftë në fushën e gjeologjisë, minierave, teknologjisë dhe të gjitha shkencave ekzakte. Duhen afruar në këtë strukturë specialistë të rinj, që kanë mbaruar studimet brenda e jashtë vendit, të cilët njohin teknologjinë bashkëkohore dhe i japin një frymë të re, sipas përvojës së vendeve me traditë të pasur në këtë drejtim. Të thirren të gjithë specialistët e aftë në këtë sektor që punojnë jashtë vendit, jo vetëm t’u merret mendimi dhe të thithet përvoja e tyre, por të aktivizohen në projekte, për të punuar në vendin e tyre, duke iu krijuar kushte pune e shpërblimi. Është e domosdoshme që të riaktivizohen bashkëpunimi i specialistëve shqiptarë me ato të huaj që kanë punuar në Shqipëri ose në vende të tjera si Francë, Itali, etj, ku në këtë drejtim vlen të theksojmë se këto njëzet vitet e tranzicionit ky bashkëpunim, në vend që të thellohej nga hapja e Shqipërisë, për fat të keq, është zbehur, për të mos thënë që ka humbur. Duhet të rikthehet tradita e vazhdimësisë së profesionit të minatorit në Shqipëri, siç ka qenë dikur, që babai ia linte këtë profesion djalit, duke bërë kështu që të rritej fuqia punëtore në gjeologji-miniera dhe industri nxjerrëse e përpunuese.

Të krijohet shërbimi shtetëror i kontrollit të rezervave gjeologjike për naftë, gaz e ujë

Është e domosdoshme që në këtë kuadër, brenda gjeo-shkencës, të krijohet një sektor i kontrollit shtetëror të menaxhimit të bilancit të rezervave gjeo-minerare në kohë dhe të perspektivës. Të njihet me humbjet minerare, me problematikën e gjithë pasurive minerare, naftë, gaz, etj; nxjerrjen, përpunimin, pasurimin e tyre etj. Ky organizëm ndryshe mund të quhet dega e ruajtjes së nëntokës.  Grupi i gjeo-shkencës duhet të përpilojë projekte pesëvjeçare, dhjetëvjeçare të zhvillimit të ekonomisë etj.

Albert Z. ZHOLI