Prof. Dr. Ilir Gjipali/ Prof. Korkuti është shndërruar në një model për arkeologët

598
Sigal

 Botimi “Studime Arkeologjike” të Akademik Korkutit kontribut i shquar për arkeologjinë shqiptare

Botimi Studime Arkeologjike në prehistorinë e Shqipërisë i Akademik Muzafer Korkuti përmban 34 artikuj që përfshijnë të gjitha periudhat e prehistorisë së Shqipërisë në një vëllim prej 550 faqesh, të cilat janë dhënë në gjuhët origjinale në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht të botimit të tyre në organe të ndryshme të fushës së arkeologjisë si Akte Kongresesh, Simpoziumesh, revista të vendeve të ndryshme, revista me karakter nacional, rajonal, revista të specializuara etj., pra gjithë kontributin e Akademik Muzafer Korkuti për botimet jashtë vendit.  Tematika e shtrirë në të gjitha periudhat, pasqyron jo vetëm veprimtarinë reale të kërkimeve e studimeve të autorit në një hark kohor prej gjashtë dekadash, por në to ndien edhe kontribute që lidhen me drejtime të tjera të veprimtarisë së tij si pedagog e drejtues.  Ky botim u vjen në ndihmë gjithë studiuesve të fushës por edhe atyre që kanë hyrë e do të hyjnë në këtë rrugë. Të përmbledhura nga një numër i madh revistash e botimesh jashtë vendit, punimet e Akademik Muzafer Korkuti do të qarkullojnë tashmë edhe në rrethet shkencore brenda vendit.

Duke hedhur një vështrim prapa (nga viti 1962, kur u emërua në Sektorin e Arkeologjisë, të Institutit të Histori – Gjuhësisë e deri më sot në krye të Akademisë së Shkencave), në të gjithë veprimtarinë e tij kërkimore studimore 60-vjeçare spikat kontributi i shquar për zhvillimin e arkeologjisë shqiptare në tërësi dhe në veçanti për fushën e prehistorisë. Ndihmesa të veçanta që lidhen me veprimtarinë e tij studimore kanë të bëjnë me përcaktimin kulturor të epokës së gurit të ri në vendin tonë, praninë e tre varianteve të tij të lidhura me rajonet e Ballkanit, krijimin e një sistemi të periodizimit dhe kronologjisë për neolitin dhe eneolitin dhe dallimin në studimet e tij të një bashkësie të gjerë etno-kulturore gjatë epokës eneolitike me një rol të rëndësishëm në formimin e popullsive të mëvonshme ilire. Këto të gjitha janë të prezantuara edhe në botimin e fundit.

Si kërkues…

Si kërkues Prof. Korkuti është shndërruar në një model për arkeologët për përkushtimin e treguar në realizimin e kërkimeve në terren, për studimin e botimin tyre dhe për transmetimin e kësaj përvoje të gjerë edhe tek kërkuesit e rinj. Kështu materialet e botuara në këtë vëllim, flasin për një sërë kërkimesh e studimesh që mishërohen në mbi 60 ekspedita në terren me objekt epokat prehistorike nga ato të gurit të vjetër deri në  fillim të epokës historike (si paleolit, mezolit, neolit, eneolit, bronz e hekur) duke e bërë Akademik Muzafer Korkuti një referencë të pa zëvendësueshme për arkeologjinë dhe sitet prehistorike shqiptare. Edhe në botimin e fundit dalin në pah disa dukuri që karakterizojnë veprimtarinë e Profesor Korkutit. Kështu del qartë angazhimi i madh i autorit në  gërmimet arkeologjike të shumë vendbanime të rëndësishme pre e protohistorike (20 të tilla) në të gjithë Shqipërinë si në Tren, Vashtmi, Dunavec, Burimas, Podgorie (Korçë), Cakran e Patos (Fier), Kolsh (Kukës), Cetush e Gradec (Dibër), Katundas (Berat), Bënjë (Përmet), Konispol (Sarandë), Mallakastër, Finiq etj.. Gjithashtu, nëpërmjet ekspeditave përnjohëse të kryera në pjesën më të madhe të territorit të vendit, ka mundur të vjelë një informacion të gjerë e me shumë interes për kërkimet  prehistorike. Ato pasqyrohen në një varg punimesh e botimesh origjinale dhe vepra përgjithësuese. Në këtë prodhimtari të shumanshme bëjnë pjesë 45 artikuj të botuar në revistat tona shkencore periodike, 34 artikuj në revista të huaja të kësaj fushe, që plotësojnë vëllimin që po përurojmë sot, si dhe bashkautor i teksteve si “Arkeologjia” 1972, 1993, i tekstit të Historisë së Shqipërisë  “Les Illyriens” 1985, dhe i “Historisë së Popullit Shqiptar” 2003. Është autor i monografisë “Neolithicum und Chalkolithikum in Albanien” Mainz 1999, botuar nga Akademia e Shkencave e Heidelbergut (Gjermani), i librit “Parailirët – Ilirët – Arbërit një sintezë e kërkimeve dhe studimeve për etnogjenezën e popullit shqiptar, punimi i veçantë “Pikturat shkëmbore në Shqipëri” si dhe Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri (2010).

Pjesëmarrja

Botimi i realizuar së fundi tregon edhe për pjesëmarrjen e gjerë të tij në simpoziume e kongrese ndërkombëtare në Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, Zvicër, Kroaci, Turqi, Rusi, Afrikë e Jugut etj. si dhe mbajtjen e shumë leksioneve në Universitete si në Universitetin Paris I, në atë të Berlinit, Heidelbergut e Munsterit në Gjermani, në Romë, Pizë, Bari, Leçe, Bolonjë të Italisë, në Athinë e Selanik, Greqi, Vjenë – Austri dhe Cincinati në SHBA.

Si specialist me shumë përvojë, ka kontribuar që arritjet e shkencës arkeologjike shqiptare dhe trashëgimia shumë e pasur e grumbulluar nga kërkimet arkeologjike në të gjithë Shqipërinë, të bëhen të njohura brenda e jashtë vendit nëpërmjet ngritjes së ekspozitave (Francë, Itali, Gjermani, Austri) dhe muzeve arkeologjik (Tiranë, Durrës, Apoloni, Butrint e Korçë) për të cilat ka përgatitur artikuj, tekste e interpretime disa prej të cilave janë pjesë e këtij botimi.

serioziteti e këmbëngulja 

Puna plot pasion dhe e pandërprerë për arkeologjinë, serioziteti e këmbëngulja për arritjen e rezultateve gjithnjë e më të mira, kërkues ndaj vetes, janë cilësitë që i kanë garantuar suksesin e vazhdueshëm të Akademik Muzafer Korkutit, por edhe vlerësimin e respektin maksimal të kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij në vite. Kushdo që është marrë me punë kërkimore  dhe drejtuese, të gjatë, do të ndihej mirë kur kolegët e tij të vjetër edhe të rinj do t’i adresoheshin shpesh përvojës së tij në kërkim, botim, drejtim, marrëdhënieve e bashkëpunimeve me studiuesit e tjerë vendas e të huaj. Vlerësime të tilla janë të vazhdueshme nga anëtarët në Institutin e Arkeologjisë për profesor Muzaferin. E thënë më shkurt, veprimtaria dhe kontributi i Prof. Korkutit në fushën e arkeologjisë është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe historisë së shkencës arkeologjike shqiptare.

      

(Titulli origjinal i botimit: Archaeological Studies on the Prehistory of Albania, Tiranë 2013)