Prof. Dr. Hysen MATOSHI*/ Gjuha standarde shqipe dhe njësia kombëtare

781
Sigal

Në jetën e secilit komb, në planin e ruajtjes së njësisë kombëtare, njëkohshëm ndikojnë faktorë konvergjentë dhe divergjentë. Të parët e ushqejnë njësinë e kombit, duke e mbajtur atë si një strukturë homogjene, ndërsa të dytët e vënë në sprovë strukturën e përbashkët kombëtare duke bërë që, në jo pak raste, si rezultat përfundimtar të krijohen edhe kombe të veçanta. Shqiptarët, ndonëse të përballur me mjaft faktorë divergjentë, sikurse janë përkatësitë e ndryshme fetare, krahinore me një trashëgimi të theksuar të organizimit përveçësues feudal, pastaj me pamundësinë e komunikimit të lirshëm ndërmjet viseve etnike shqiptare që rëndom ishin nën sisteme qeverisëse të huaja, ia dolën të ruajnë në pjesën më të madhe të pacenuar njësinë e tyre kombëtare. Kur them se e kanë ruajtur nënkuptoj faktin se nuk u krijuan asnjëherë dy kombe, ndonëse pati raste të asimilimit të shqiptarëve nën ndikimin e elementëve të kombeve fqinje. Si rezultat i kësaj vetëm gjatë shekullit XX kemi një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të boshnjakëzuar në trevat shqiptare të Malit të Zi (Tivar, Ulqin, Plavë, Guci) të Sanxhakut (që nga Rrafshnalta e Peshterit e deri te Novi Varoshi), janë sllavizuar shqiptarët ortodoksë të Rekës në Maqedoninë e sotme dhe janë greqizuar një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, po ashtu ortodoksë, në trojet etnike të Shqipërisë Jugore.

Pa u ndalur në elaborimin e këtyre faktorëve, që historikisht e kanë cenuar unitetin e njësisë kombëtare, shto këtu edhe veprimet e planifikuara të dhunës së pushtuesve, duhet thënë se po kështu fuqishëm kanë ndikuar edhe faktorët përbashkues, duke determinuar strukturën aktuale kombëtare të shqiptarëve si një realitet të veçantë në tërësinë e popujve të Evropës. Gjuha shqipe ka qenë faktori më përcaktues për ruajtjen e veçantive të shqiptarëve dhe madje vendimtar në fazën e parakrijimit të vetëdijes kombëtare. Shqipja i bënte të dallueshëm folësit e saj nga të gjithë pjesëtarët e popujve përreth. Pavarësisht nga dallimet e theksuara, dialektet e shqipes nuk afroheshin me gjuhët e popujve të tjerë më shumë se ç’largoheshin nga njëri-tjetri dhe ky ka qenë faktori më esencial i kohezionit tonë kombëtar. Nëse gjuha shqipe ka qenë faktori mbrojtës përballë identifikimit etnik me të tjerët, gjuha standarde shqipe në stadin e zhvillimit tonë kulturor kombëtar, përkatësisht në stadin e krijimit të vetëdijes kombëtare, shfaqet si domosdo për ecjen përpara me parametra modernë krahas kombeve të tjera të Evropës.

Megjithatë, gjuha standarde shqipe, për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë, ka vijuar të luajë rolin identifikues – të pjesës së shkëputur nga tërësia – me amën e saj, duke e pasur për një kohë, krahas dimensionit zhvillimor, kulturor e shoqëror, edhe funksionin e mbrojtjes së veçorive kombëtare. Shqipja standarde këtë funksion vijon ta ushtrojë madje edhe sot në pjesët tona kombëtare që kanë mbetur jashtë strukturave shtetërore shqiptare. Prandaj, gjuha standarde e krijuar para 40 vjetësh, përveçse e arritura më e madhe kombëtare në fushën e kulturës dhe komunikimit gjithëkombëtar, është hapi i parë, pas një varg procesesh të përimtësimit të qenies sonë etnike, në drejtim të konsolidimit të njësisë kombëtare në përmasën e saj objektive. Ndonëse ishte edhe shfaqje e vullnetit për të rikonstruktuar identitetin e cenuar kombëtar, Kongresi i Drejtshkrimit, në rend të parë, ishte produkt i nevojës që kërkonte niveli zhvillimor i njërit ndër kombet më të vjetra të Evropës. Madje, nevoja për standardizimin e shqipes ishte shfaqur paralelisht me krijimin e vetëdijes kombëtare te ne. Rilindësit tanë e kishin të qartë se për të krijuar njësinë funksionale kombëtare ishte e domosdoshme që të përdorej një alfabet unik dhe një gjuhë letrare a standarde për komunikim efektiv në mbarë hapësirën etnike shqiptare. Duke qenë një komb i veçantë, pa afrime të ndjeshme kulturore e gjuhësore me popuj të tjerë, ishte e natyrshme që në rastin e shqiptarëve të zbatohej formula një komb – një gjuhë standarde, duke marrë parasysh faktin që kemi edhe formulën tjetër, kur një gjuhë standarde përdoret nga disa kombe të veçanta, ose kur në funksion të gjuhës standarde, te disa popuj me zhvillim të vonuar shoqëror, përdoret ndonjëra nga gjuhët botërore, përkatësisht gjuha e kolonizatorëve të dikurshëm. Standardizimi i shqipes, përtej faktit se siguronte një funksion komunikues për mbarë hapësirën etnike shqiptare, pati edhe dimensionin e theksuar si simbol i identitetit kombëtar, sikurse edhe të rikonstruktimit të njësisë së cenuar kombëtare. Gjuha standarde shqipe, e njohur në të kaluarën me togfjalëshin gjuhë letrare shqipe, në mesin e shqiptarëve të papërfshirë brenda shtetit amë në jo pak raste do të shërbente si një vlerë identitare e kompensuese për mohimin e simboleve të identitetit kombëtar, sikundër ishin flamuri dhe himni kombëtar shqiptar. Zbatimi i gjuhës standarde shqipe në të gjitha hapësirat tona etnike dhe përgjithësisht në komunikimin publik të përdoruesve të shqipes ishte dhe mbetet njëra ndër format më të rëndësishme të ruajtjes e të zhvillimit të mëtejmë unik të njësisë kombëtare shqiptare, pa mohuar faktin se mbetet një kusht i domosdoshëm edhe për zhvillimin e të gjitha potencialeve kulturore e shoqërore në botën shqiptare. Gjuha standarde shqipe është forma më e pranueshme dhe më frytdhënëse edhe për komunikimin ndërkulturor të shqiptarëve me kombet e tjera.

Ideali kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me shpalljen e Pavarësisë para 100 vjetësh, u realizua pjesërisht, por jo për faktin se shqiptarëve u mungonte vullneti dhe projekti që të realizonin shtetin e tyre në kufijtë etnikë. Ishin interesat e të fuqishmëve ato që e cenuan njësinë territoriale, etnike e kulturore të shqiptarëve, që nuk e morën parasysh vullnetin e tyre për të jetuar të pavarur dhe në një shtet të përbashkët. Ky vullnet dhe kjo aspiratë u rishfaq fuqishëm në përpjekjet për të krijuar një trajtë bashkimi funksional gjuhësor, i cili, veç tjerash, do ta mbajë gjallë, do ta ushqejë e do ta zhvillojë idenë më të fuqishme në jetën e shqiptarëve – idenë e bashkimit kombëtar.

*Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës