Prof. As. Dr. Idriz Metani: Studenti sot, duhet vlerësuar si një “pishtar që duhet ndezur”

1635
Idriz Metani ka lindur në Skrapar, më 23 qershor 1956. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë e Letërsi shqipe në Universitetin e Elbasanit, ndërsa studimet pasuniversitare për gjuhësi i përfundoi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Për më shumë se 20 vjet ka punuar si metodist dhe specialist në organet drejtuese të arsimit parauniversitar, kurse që nga viti 2002 është pedagog për lëndën e Leksikologjisë e të Historisë së Gjuhësisë në departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mban gradën doktor i shkencave dhe titullin prof. as. Është autor i dhjetëra artikujve gjuhësorë të botuar brenda dhe jashtë vendit, bashkëpunëtor në disa projekte shkencore për studime në fushë të shqipes të ndërmarra nga departamenti i gjuhësisë. Ka hartuar në bashkautorësi disa tekste shkollore të gjuhës shqipe. Është anëtar i grupit të punës për vlerësimin e kurrikulës së gjuhës shqipe në arsimin parauniversitar dhe për mësimin e shqipes në shkollë, ngritur nga Këshilli Ndërakademik. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore dhe seminare ndërkombëtare për çështje të gjuhës shqipe. 
-Si ka ndryshuar gjuha shqipe pas viteve ’90? Si i shihni ju këto ndryshime, kryesisht në leksik?
Gjuhëtari i madh gjerman i shekullit XIX dhe njëri prej figurave më të spikatura të gjuhësisë historiko-krahasuese, me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e mendimit gjuhësor, Vilhelm Humboldi, duke folur për natyrën e gjuhës, si një mjet universal komunikimi ndërmjet njerëzve, pohonte gati dy shekuj më parë, se gjuha njerëzore nuk është një ergon d.m.th një diçka e ngurtë e dhënë njëherë e përgjithmonë, që nuk ndryshon, por një energia, pra diçka që është në ndryshim të pandërprerë. Të gjitha gjuhët e botës, pra edhe shqipja, për të përmbushur sa më mirë funksionin komunikativ pësojnë ndryshime në rrjedhë të viteve. Këto ndryshime janë më të mëdha e më të dukshme sidomos kur ndërrohen sistemet ekonomiko-shoqërore. Kështu ka ndodhur edhe me gjuhën shqipe. Pas vitit 1990, kur në Shqipëri u përmbysën marrëdhëniet socialiste dhe shoqëria shqiptare kaloi në një shoqëri të organizuar në mënyrë kapitaliste, shqipja u fut në një hulli ndryshimi, sidomos në leksik, i cili dihet, që është pjesa më e lëvizshme e çdo gjuhe: mjaft fjalë,si arëz, brigadier, internoj, kooperativë, kooperative e bashkuar, plan pesëvjeçar, i qarkulluar etj. që i përkisnin sistemit të përmbysur tashmë filluan të mos përdoreshin, kurse, nga ana tjetër, një mori fjalësh të tjera, si ankand, avokat, informatikë, kambial, kambizëm, kompjuter, kompjuterizo, skaner, tender etj. që lidhen kryesisht me të rejat në fushën e shkencës e të prodhimit vërshuan në leksikun e gjuhës shqipe, por, për fat të keq, bashkë me fjalët e huaja të domosdoshme për të cilat gjuha shqipe kishte nevojë që të mbushte “kutitë” bosh të leksikut të saj, u futën dhe u përdorën sidomos nga media e shkruar dhe ajo elektronike, edhe një lumë po themi fjalë të huaja të panevojshme, si adaptoj, adoptoj, afarist, afeksion, anoncoj, atacment, azhurnoj etj. për të cilat shqipja nuk ka nevojë, sepse ka fjalët gjegjëse të saj: përshtat, bijësoj ose birësoj, sipërmarrës, dashuri (ndjenjë, përzemërsi), lajmëroj(shpall), bashkëlidhje(bashkëngjitje), përditësoj. Shkaqet e përdorimit të këtyre fjalëve në media janë disa, por ne po përmendim dy syresh: snobizmin gjuhësor, pra pranimin e të huajës vetëm se është e tillë dhe padituria. 
-Ç’mendim keni për gjuhën e folur dhe për atë të shkruar, që përdoret në auditorë nga studentët. Sa afër dhe sa larg standardit është? 
Po e them që në fillim si pedagog, si prind e si qytetar se ne duhet të gëzohemi që fëmijët tanë dinë shumë gjuhë të huaja, por, nga ana tjetër, me brengë në zemër e më shqetësim jo të vogël, duhet të pohojmë se fëmijët tanë dinë shumë pak shqip. Provoni t’i vendosni mikrofonin një nxënësi a studenti shqiptar e ta ftoni atë t’u përgjigjet disa pyetjeve për një çështje të caktuar ose vëreni fëmijën shqiptar të shkruajë fjala vjen një ese, shumë shpejt do të vësh re ‘memecllëkun’ në të folur d.m.th në ligjërim, si dhe pazotësinë e tij për të shkruar si duhet gjuhën e nënës së tij. Që në orën e parë të leksionit me studentët e vitit të parë bashkëbisedoj me ta për sfidën që ata kanë përpara, pasi shumica e tyre vijnë në universitet me njohuritë që nuk shkojnë përtej nëntëvjeçares dhe ato njohuri kanë katër vjet që i kanë harruar. Nuk është asesi faji i studentëve që kanë një formim gjuhësor të cekët apo që ligjërimi shqip i tyre është i gjymtë. Faji natyrisht bie mbi politikat arsimore që ndjek shteti shqiptar, që për shumë e shumë vite hoqi gjuhën shqipe si lëndë mësimore në shkollën e mesme, kur vendet e tjera rreth nesh e më tutje, e kanë futur gjuhën amtare edhe në programet e shkollave të larta.

– Cilët janë studentët që mbeten më tepër në kujtesën e një pedagogu? 
Kam një përvojë pune gati 35-vjeçare në arsim, nga të cilat më tepër se gjysma e tyre si pedagog në departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në auditorët e të cilit janë ulur me mijëra studentë, por, sigurisht që pak prej tyre mbeten në kujtesën e një pedagogu. Si të tillë mund të përmendim, fjala vjen, studentët që kanë përgatitur nën drejtimin shkencor të një pedagogu, tema diplome, punime masteri apo teza doktorature me nivel të lartë. Po kështu, unë ruaj në kujtesën time edhe studentët që shfaqin në seminare, konferenca apo tubime të tjera shkencore, mendime kritike të pavarura dhe të argumentuara. 

-Cila është metoda që duhet të zgjedhë një pedagog për të tërhequr vëmendjen e studentëve, pa i lodhur ata?
Çdo pedagog ka metodat e veta të mësimdhënies në universitet, por, unë kam bindjen se, cilado qoftë metoda që mund të zgjedhim, nëse studentin e trajtojmë vetëm si një “enë që duhet mbushur”, duke e detyruar atë të “gëlltisë” pa u menduar informacionin shkencor që i jep leksioni apo ndonjë burim tjetër literature, duke e detyruar, gjithashtu, “të recitojë” përmendësh paradigma lakimesh e zgjedhimesh e duke vlerësuar me notën më të lartë studentin që reciton më mirë, atëherë mund të themi se e kemi bërë detyrën ashtu siç duhet. Studenti sot duhet vlerësuar si një “pishtar që duhet ndezur”, që do të thotë ta vendosësh atë në qendër të orës së mësimit e t’i krijosh mjedisin e përshtatshëm që të shprehë mendimin e vet kritik, në lidhje me ato që studion. Kjo arrihet nëse pedagogu e njeh filozofinë e të menduarit kritik, nëse bën përpjekje për ta bërë mësimdhënien universitare sa më ndërvepruese, duke përdorur teknika të reja mësimdhënieje.

-Çfarë ju pëlqen ? 
Më pëlqen futbolli dhe natyra. 

-Çfarë ju bezdis më tepër? 
Bezdisem deri në mërzi, kur studentët në seminare heshtin, rrinë gojëkyçur si ata murgjit e mesjetës.

Hermes Nikaj
Sigal