Prof.as.Dr. Dine Merja/ Profesor Niko Thomo “enciklopedi e gjallë” e shkencave të fizikës

1022
1
PROFESOR NIKO THOMO “ENCIKLOPEDI E GJALLË”
E SHKENCAVE TË FIZIKËS
Rreth 54 vjetë më parë,kur isha student ne Fakultetin e Shkencave të Natyrës,u njoha për herë të parë me Prof. Nikon,pedagogun tim të fizikës,atëhere ai një djalë i ri shtatë gjatë,fisnik,me trup sportiv, shumë modest dhe i edukuar,i cili qyshë ne leksionin e parë la një respekt të veçant tek të gjithë studentët e kursit tonë të kimisë.Megjithë vështirësinë e lëndës,leksionet e Prof.Nikos na u bënë të këndëshme,të kuptueshme dhe tërheqëse. Pjesëmarrja jonë në to ishte e plotë dhe sistematike.Midis nesh ai sillej si shokë,i predispozuar për t’na ndihmuar e plotësuar çdo boshllë eventual nga lënda e fizikës pse jo edhe e matematikës,ai njëhe-razi ishte një fizikant dhe matematicien i shkëlqyer. Më pas,me mbarimin e fakultetit dhe emrimin tim gjithashtu pedagog në këtë fakultet, njohja dhe bashkëpunimi shkencor me Prof. Nikon u zgjeruan dhe u thelluan më shumë. Ne ndërtuam midis nesh jo vetëm një marrëdhënie të sinqertë shoqërore por edhe një bashkëpunim të ngusht shkencor me interes të ndërsjellt,i cili mua do t’më shërbente më pas në kualifikimin tim pasuniversitar jashtë shtetit(1966-68) në fushën e fizikës dhe të kimisë bërthamore. Prof. Nikua lindi në qytetin e Korçës më 24 nëntor 1933,arësimin parauniversitar e kreu në qytetin e lindjes dhe në Tiranë ndërsa arësimin e lartë në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik 4-vjeçar në Tiranë për matematikë-fizikë gjatë viteve 1951-55 me rezultate të shkëlqyera dhe po atë vit(1955),emrohet pedagog i fizikës në ish-Institutin e Lartë 
Politeknik Tiranë.Me themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1957,emrohet pedagog në Katedrën e Fizikës të porsakrijuar pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të universitetit.Si një nga pedagogët e parë të fizikës në universitet,ai ka vënë themelet e mjaft lëndëve të reja moderne në fushën e shkencave të fizikës teorike dhe eksperimentale,të domozdoshme për ngritjen e nivelit shkencor të shkollës së lartë.Firmën e tij mbajnë leksionet e para në kristalografi,në fizikën e atmosferës,në mekanikën e lëngjeve,në fizikën e trupit të ngurtë,ne elektrodinamikë dhe në disa disiplina të tjera të fizikës teorike si në mekanikën kuantike, teoritë e fushës etj. Në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe në vitet e parë të krijimit të universitetit,ai punoi krahas profeso- rëve të shquar të Universitetit “Lomonosov” të Moskës,të cilët vinin periodikisht për të dhënë leksione në disa disipilina të fizikës,kimisë-fizike dhe matematikës në institucionet tona të sipërpërmëndura.
Me aktivitetin e shumëanshëm pedagogjiko-shkencorë gjatë gjysëm-shekulli Prof. Nikua,ka kontribuar në përgatitjen universitare dhe pasuniversitare të brezave të tërë specialistësh si dhe në udhëheqien, kualifikimin dhe diplomimin pauniversitare të shumë fizikantëve,shumë prej të cilëve u bënë pedagogë të arsimit të mesëm e të lartë,doktorë shkencash, profesorë ose i hynë politikës dhe u bënë drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore,deputetë,ministra, akademikë e kryeakademikë e deri kryetar parlamenti e president të republikës. Madje,është për tu theksuar se ish-studentë të Prof. Nikos,që me të drejtë flisnin me aq superlativa për pedagogun e tyre,morën funksione të rëndësishme politike e shtetërorë,ndërkohë që për ishpedagogun e tyre që i rriti,i orientoi dhe i kualifikoi,nuk u kujtuan që së pari në interes të
vëndit dhe në respekt ndaj tij ta propozonin së paku për anëtar të Akademisë së Shkencave.Por shkencëtarët dhe specialistët e aftë,dinjituozë dhe me integritet njerëzor nuk bëhen kurrësesi jesmenë të politikanëve apo pushtetarëve sado të pushtetëshëm qofshin këta.Ata nuk i vardisen dhe nuk ja kanë nevojën akademive të politizuara, përkundrazi,një akademi e papolitizuar do të shkëlqente me ata. Mjaft e shquar është prodhimtaria shkencore e botuese e Prof. Niko Thomës. Ai është autor i 12 teksteve të reja universitare,2 monografive,20 artikujve shkencorë,15 studimeve të ndryshme shkencore,duke qënë një nga iniciatorët më të suksesëshëm në aplikimet e fizikës së
trupit të ngurtë në prodhim.Studimi i tij në fushën e gjysëmpërçuesëve në vitin 1977 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.Pjesëmarrës në shume aktivitete shkencore për shkëmbim eksperience jashtë vëndit,në mjaft seminare,simpoziume dhe konferenca shkencore brënda dhe jashtë vëndit.Në drejtim të shkëmbimit të përvojës pedagogjike e shkencore dhe të bashkëpunimit me universitetet e huaja në fushën e shkencave të fizikës,Prof. Nikua ka vizituar mjaft universitete e institucione shkencore në ish-Bashkimin Sovjetik,në Hungari,në Francë,në Suedi,në Republikën Popullore të Kinës etj.Me nivelin e lartë shkencor,përvojën dhe eksperiencën e gjatë mësimore-shkencore në mjaft fusha të fizikës,ai ka përfaqesuar me dinjitet vendin tonë në këto aktivitete. Për veprimtari të shquar mësimore dhe shkencore është dekoruar dy herë me “Urdhërin Naim Frashëri”.Por mendoj se do të ishte në nderin e strukturave shtetërorë përkatëse të arësimit që Prof. Nikua të nderohej për merita të shquara në fushën e arësimit dhe të shkencës tonë së paku me titullin “Mjeshtër i madh i punës”,titull që është bërë thuajse rutinë për një numër relativisht të madh personash sidomos të sferës së artit,sportit dhe letërsisë.Prof. Nikua për vet natyrën e tij të qetë si thellësia shkencore ku lëvron,mendoj se njihet kryesisht nga kolegët dhe studentët e tij në të katër anët e vendit,ndërsa strukturat shtetërore dhe organet qeverisëse  të partive politike,mund të mos i njohin fare personalitete të tilla. Këtu do të theksoja se duhen nderuar e përjetësuar personalitete që kanë kontribuar dhe lënë gjurmë në themelimin dhe zhvillimin e arësimit dhe të shkencës shqiptare.Ky nderim mund të bëhet jo vetëm me tituj e dekorata të ndryshme por edhe me emrin e këtyre personaliteteve për dekorata,projekte, rrugë,institucione apo njësi të tyre  departamente, laboratorë, kabinete etj.), ashtu siç praktikohet shpesh tek ne për figura të shquara të artit,letërsisë,sportit dhe mjekësisë.Kështu,personalitete të tilla si të ndjerët:Prof.Kol Popa,Prof. Sotir Kuneshka,Prof. Minella Karajani,Prof.Lame Zeko,Ing.Dr. Ilia Mitrushi etj.,me kontribute të shquara në themelimin dhe zhvillimin e 
Fakultetit të Shkencave të Natyres të Universitetit të Tiranës,mendoj se janë lënë në harresë përnderimin dhe përjetësimin e tyre për sa ata kanë bërë për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës shqiptare në shkencat natyrore si themele të zhvillimit të gjithë arësimit dhe shkencës në tërësi,për kohën,vështirësitë dhe sistemin diktatorial që përjetuan si ish-intelektualë me edukim,shkollim dhe botëkuptim të vëndeve perndimore ku kishin studjuar.Aktiviteti studimor dhe mësimor, puna, serioziteti dhe stili i tyre lanë gjurmë dhe traditë që më pas ish-studentët e tyre, e zhvilluan dhe e ngritën më tej këtë fakultet,me programe të reja studimore dhe nivel të lartë shkencorë duke ruajtur rolin dhe pozitën qëndrore të tij në arsimin dhe shkencën shqiptare. Prof. Nikua nuk është shkëputur nga mësimdhënia,nga studentët e Universitetit Politeknik të
Tiranës edhe pas daljes në pension ku vazhdon edhe sot. Emri i Prof. Nikos lidhet me Shën Nikollën e botës kristiane.Sipas predikimeve religjioze,ky emër presupozon: mënçuri,zgjuarësi,thellësi mendimi,talent, krijimtari dhe sensibilitet,cilësi këto që në ra- stin e Prof. Nikos,natyra nuk ja ka kursyer,ndërsa ai i zhvilloi dhe i vuri ato në
shërbim të arsimit dhe të shkencës tonë. Me rastin e ditëlindjes dhe festës së emrit,i urojmë Prof. Nikos njëherazi gëzime,shëndet dhe një jete të qetë dhe të bardhë si vet natyra dhe shpirti i tij.
Sigal