Petraq Risto:Çmimet nuk pasqyrojnë të vërtetën letrare, por të vërtetën klanore

570
Sigal

Petraq Risto është lindur në Durrës më 9 qershor 1952. Shkollimin parauniveristar e kreu në vendlindje. Më 1971-1975, kryen studimet e larta për Gazetari në Universitetin e Tiranës e më vonë një vit pasuniversitar si kritik teatri në Akademinë e Arteve të Bukura. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Është autor i mbi njëzetë librave me poezi, romane, tregime etj., ku do të veçonim vëllimet poetike “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Zgjohu princesha ime”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”, “Miq të dyshimit”dhe këto ditë vëllimin “Udhëtar me pluhur ferri”; librat me tregime “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, si dhe romanet “Avioni Madam Baterflaj 9e11″,”Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”, “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Ka publikuar poezi dhe libra në vende të ndryshme të botës. Në Meksikë vëllimin poetik “Kujdestar i dallëndysheve”, në Rumani vëllimin “Gjuetia e kuajve të detit” dhe në Francë librin me poezi të zgjedhura “Mjalti i varreve është i hidhur”.

-Kjo është intervista jonë e dytë. Sot diskutohet shumë për çmimet në letërsi. Cili është mendimi juaj për zgjedhjen e Jurisë, po për krijimet e marra në konsideratë, mbi ç’baza bëhen?

– Përgjithësisht te ne çmimet nuk pasqyrojnë të vërtetën letrare, por të vërtetën klanore, madje, shpesh, veçanërisht nëpër rrethe, është arritur gjer në ekstrem: autori merr çmimin, juria merr paratë… Kjo është rrjedhojë e varfërisë së autorëve, qoftë edhe e babëzisë apo mungesës së integritetit të jurive (përgjithësisht të varfra).

-Cilat janë problemet e letërsisë shqiptare sot?

-Letërsia shqipe ka shumë probleme, por mendoj se problemi kryesor është përfaqësimi i saj në rrafshin botëror vetëm me Kadarenë. Natyrisht që shkrimtari ynë i shquar i meriton kurorat që ka marrë, por besoj se ka dhe autorë të tjerë në prozë dhe poezi që duhen përkthyer në gjuhë të huaja. Kjo duhet bërë në mënyrë të studiuar e të organizuar nga institucionet e specializuara.

-Këtu problem kryesor mbetet përkthimi. Mungojnë përkthyesit e mirëfilltë, apo ka vepra të dobëta? A duhet të kemi një shkollë përkthimi?…

– Mendoj se në fillim mungon vizioni. Ne kemi disa shkrimtar të rëndësishëm, të cilët duhen përkthyer. Përshembull Kasëm Trebeshina, Petro Marko, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Frederik Reshpja, Fatos Arapi, Koço Kosta, e të tjerë, por edhe më  të rinjtë si Roland Gjoza,  Bashkim Shehu, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Shpëtim Kelmendi, Luljeta Lleshanaku, etj.. Duhen përgatitur përkthyes të talentuar, që të përkushtohen në përkthimin e veprave serioze dhe jo në përkthimin me nisma individuale, në përpjekje për të nxjerrë bukën e gojës. Institucioni i përkthimit duhet të përbëhet nga mjeshtra të rinj dhe të drejtohet nga specialistë seriozë dhe njohës të mirë të letërsisë, jo vetëm kombëtare.

-Jeni poet dhe prozator, ku e gjen më mirë veten sot Petraq Risto?

– Edhe në prozë unë mbetem poet. Kam kryer shkollën për Gazetari, kam punuar dhjetë vjet si gazetar, pastaj si libretist, por gjithnjë kam qenë poet.

-Sot ka një boom botimesh, këto ndihmojnë apo pengojnë letërsinë shqiptare?

-Në të gjithë botën ka boom botimesh, por ka edhe kritikë serioze që evidentojnë vlerat elitare… Natyrisht, letërsia shumë e mirë, apo e madhe, mbase nuk bie në sy në këtë oqean të madh ku librat shfletohen si dallgët… Qëllon shpesh që një autor të madh ne e njohim vetëm pasi merr çmimin “Nobel”, apo një çmim tjetër letrar, sepse fatkeqësisht lexuesi është boombarduar me emra shpesh herë të rëndomtë që fatkeqësisht, ashtu si telenovelat braziliane apo turke, do të bëjnë ligjin e leximit te shumica, jo vetëm shqiptare.

-Atëherë ju kërkoni gjallërimin e një kritike serioze? Kam vënë re se disa studiues dhe kritikë seriozë janë marrë me krijimtarinë tuaj, veçanërisht poetike, mendoni se është e pamjaftueshme kjo?…

-Këtu nuk është problem vetëm analiza e krijimtarisë sime, por analiza e fenomeneve letrare të kohës, veçanërisht të këtyre dy dekadave të fundit. Duhen gjallëruar katedrat universitare. Nga sa di unë, në Nju Jork, për shembull, universitetet luajnë një rol të rëndësishëm në studimin e autorëve të ndryshëm që sjellin vlera cilësore me veprat e tyre. Por në universitetet tona shumë pedagogë ligjërojnë të njëjtat leksione, pa folur pastaj që ka dhe disa pedagogë që kanë kryer shkollën e lartë me “part time”!

– Ju jeni një poet, por edhe prozator, që jetoni me shqetësimet globale dhe kjo vihet re edhe në shumicën e titujve të librave: “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Apo-ka-lypsi”, “Miq të dyshimit”, etj. Mendoni se natyrat e poetëve lindin si të tillë, apo formohen?

-Natyrisht që lindin. Që në adoleshencë shkruaja pak a shumë në këtë frymë, gjë që u vu re nga redaktorët e gazetave “Zëri i Rinisë”, “Drita” apo të revistës “Nëntori”, ku unë botova në moshë tepër të re. Mbaj mend që mësuesi i poezisë në shtëpinë e pionierit në Durrës, latinisti i njohur Mark Dema, na lexonte fragmente nga “Eneida” e Virgjilit, përkthyer prej tij. Po kështu, lexoja Shekspirin e përkthyer nga Noli. Në kohën e rinisë u sollën në shqip dhe autorë të tjerë të mëdhenj si: Neruda, Majakovski, Uitmani, Ricosi, Gëte, Lorka, Gilen, Prever, Aragon, Elyar…e shumë të tjerë,  të cilët shërbyen edhe si modele për talentet e rinj. Pastaj, edhe disa nga autorët tanë ishin në një nivel të mirë cilësor për kohën. Po kështu, folklori ynë kishte një vizion dhe ndjesi gjeniu.

-Çfarë po shkruani dhe botoni tani?

– Sapo doli nga shtypi vëllimi i ri poetik “Udhëtar me pluhur ferri”, botuar nga “Neraida”, ku janë përmbledhur poezitë nga nëntori 2010 deri në shkurt të 2013. Vazhdoj punën për mbylljen e romanit “Salla me hijet prej letre”. Po këtë vit do të synoj publikimin në SHBA të romanit “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, përkthyer nga ime bijë, Sidorela.

– E kam lexuar këtë roman. Kam lexuar dhe disa ese dhe recensione rreth tij. Mendoni se kjo vepër e shkurtër dhe tepër dramatike, specifike për mjedisin e sotëm shqiptar, i përshtatet shijeve të lexuesit amerikan?

– Them se po. Vihet re se në ShBA shkrimtarët ekstra komunitarë pëlqehen qoftë për temat origjinale që sjellin, qoftë për këndvështrimet dhe ekzotikën që shpërfaqin, gjë që e shohim me shkrimtarë afganas, kinezë, japonezë, etj. Në rastin tim me modesti mund të shprehem se do të ishte ngjarje personale nëse do të botohesha dhe do të kisha sukses në këtë vend të madh, me letërsi të madhe.

-Çfarë keni botuar në SHBA?

-Një libër me poezi për sistemin elektronik Kindle ” Chess Match in XXI Century”(“Lojë shahu në shekullin XXI”), që shpërndahet dhe tregtohet në amazon.com bashkë me vëllimin poetik “Amer est le miel des tombes” (“I hidhur mjalti i varreve”) i botuar në Francë…Kam botuar dhe poezi te veçanta në disa revista të njohura letrare  në Neë Jersay, Colorado, etj..

– Tani që një pjesë të kohës vjetore e kaloni në SHBA, si ndjeheni atje?…

– Po të vini re në vëllimet e dekadës së fundit (për herë të parë unë shkela në ShBA në vitin 2003), më shumë se gjysma e krijimtarisë  poetike është shkruar në Nju Jork. Pra, si krijues jam përshtatur shpejt. Më pëlqen gjallëria njujorkeze. Gjithnjë kam reaguar ndaj udhëtimeve, tematika e letërsisë sime është pasuruar edhe me motive nga problematika globale, gjë që bie në sy dhe në vëllimin që sapo dritëbotova.

– Po Tirana?…

– Ah, Tirana, Durrësi!… Këtu mekem… (mekem është një folje shumë e bukur, mbase nga që ka në rrënjë Mekën). “Guri i rëndë në vend të vet”, thotë urtësia popullore. Po jemi të pafuqishëm ta kundërshtojmë fatin. Po ndonjëherë vetmia e pjek shkrimtarin…

– Pra, një poet e kërkon fatin dhe lutet për fatin?

– Poeti është si një anije lumore që duhet të përshtatet dhe me detin…

-A dyshoni në këtë botë! Nuk keni frikë nga stuhitë detare?

– Dyshoj shumë. Libri i vitit 2010 titullohet “Miq të dyshimit”. Dyshoj dhe kam frikë se kjo botë do bëhet më e mirë…Kam filluar të dyshoj dhe te sistemet shoqërore: qenkan shpikje të pakicës për të shtypur shumicën, prandaj edhe përmbysen…

– Më kujtohet një thënie e juaja se poeti ëndërron për një sistem të tretë apo të katërt…që të vijë pa gjak, por me gjakun e kaltër,të blertë apo të bardhë të metaforave. 

-Po, jam shprehur kështu, madje mund ta përsëris atë shprehje, fundja, poetit i lejohet të ëndërroj më shumë se të tjerët… Mbase nga ëndërrimi i tepërt i lindin  dhe zhgënjimet.

-Vazhdoni me idenë për ta përmbledhur krijimtarinë tuaj në kolanën “Enciklopedia e zhgënjimit?”.

-Po, një ide e vjetër dhe gjithnjë tunduese për mua.

– Ju faleminderit për intervistën.

-Edhe unë ju falënderoj!