Një figurë e njohur e pylltarisë shqiptare

657
Sigal

 INTERVISTË/ Me inxhinierin e pyjeve, Prof. Dr. Maxhun Dida, në Toronto të Kanadasë

Kur pashë se gazeta “Telegraf” kishte një rubrikë të veçantë, me titull kuptim plot “Dritare e intelektualit” e aq më tepër kur drejtori i saj ishte aq i gatshëm për bashkëpunim, po nis këtë material të përgatitur pas një bisede me një specialist, që mund të radhitet krahas figurave më të njohura të pylltarisë shqiptare, me Prof. Dr. Maxhun Dida, i cili punon në Bashkinë e Torontos, më saktë në sektorin e parqeve të shumta të këtij qyteti.

Profesor Maxhuni, do t’u pyes për atë pjesë të rëndësishme dhe kualitative të jetës suaj. Si e nisët punën shkencore?

Punën shkencore e nisa, pasi mendoja se do të më ndihmonte për të kuptuar më mirë problematikën dhe zhvillimin e pyjeve dhe për të kontribuar sado pak për zhvillimin e pylltarisë, pa harruar edhe pagën, që aq shumë na duhej. Të qenit anëtar i Katedrës se pyllëzimit në Fakultet më dha mundësi të dëgjoj diskutime e kumtesa për projektet që bënin pedagogët, si dhe punën e tyre shkencore. Pastaj, gjatë viteve të punës, dilnin e shtroheshin probleme të shumta, zgjidhja e të cilave kërkonte studime shkencore. Pra, si të thuash, “isha i detyruar” të merrja pjesë në mjaft studime e njëherësh të studioja edhe të dhënat e shkencës botërore. Si rrjedhojë e kësaj pune shkencore, në vitin 1994-1995 mora gradën shkencore Doktor i Shkencave Pyjore, në vitin 1999 titullin Mjeshtër Kërkimesh/Asistent profesor dhe në vitin 2004 Drejtues Kërkimesh/Profesor.

Diçka për publikimin e arritjeve shkencore …

Punën shkencore dhe studimet e kryera, i kam parë gjithmonë të lidhura me publikimin e të dhënave, në mënyrë që të viheshin në shërbim të zhvillimit të pyjeve e kullotave, përndryshe ato do të mbeteshin pa asnjë vlerë. Prandaj, krahas artikujve problemorë e teknikë, kam publikuar edhe rezultate të studimeve të kryera. Të tillë kanë qenë artikujt për mbarështimin dhe rehabilitimin e dushkajave, për zonat e mbrojtura, për rehabilitimin e tokave të abandonuara, për agro-pylltarinë, për diversitetin biologjik dhe përdorimin e tij, për impaktet mjedisore të ndërhyrjeve në pyje, etj. Po ashtu, kam prezantuar në seminare e takime brenda e jashtë vendit për menaxhimin e qëndrueshëm, për politikat e strategjitë për një përdorim të qëndrueshëm të resurseve natyrore. Ndër botimet kryesore, i vetëm ose me bashkautorë, mund të përmend: “Pyjet e Virgjër të Shqipërisë”, “Strategjia e Zhvillimit të Pyjeve e Kullotave”, “Strategjia dhe Plani i Veprimit për Biodiversitetin”, “Dushqet, “Zonat e Mbrojtura Natyrore”, “Parqet Kombëtare të Shqipërisë”, “Qarku i Kukësit”, etj.

Shpesh kemi dëgjuar që kurbetit t’i këndohen vetëm këngë prekëse e malli. Ju, ç’mendim keni?

Kurbeti ka qenë dhe mbetet një plage e madhe, sidomos për vendin tonë, si për brezat përpara, po do të na shoqërojë gjatë, me sa duken bathët, siç thotë populli. Vërtet kurbetit i këndohen këngë prekëse dhe malli, megjithëse sot, kanë ndryshuar kohët. Mjetet e komunikimet kanë bërë që njerëzit ta ndjejnë veten më pranë njëri – tjetrit, pavarësisht nga largësia gjeografike. Pra, jo se kurbeti nuk është i prekshëm dhe nuk ka mall, por tani kushtet janë ndryshe. Në këtë vështrim, mendoj se tani njerëzit që emigrojnë për arsye të ndryshme e bëjnë këtë për të gjetur një dëshirë të plotësuar dhe të jetojnë më mirë, po nëse atë nuk e gjejnë, kthimi është kurdoherë i mirëpritur.

U bënë vite që punoni në Kanada e, si të thuash, përvojës e dijeve tuaja u keni shtuar edhe ato që fitoni atje. Ç’mund të thoni për të ardhmen e bujqësisë shqiptare, po sidomos për sektorin e pyjeve?

 Po, është e vërtetë, u benë shumë vite që jam larguar nga Shqipëria dhe punoj në Kanada. Dijet e fituara dhe përvoja rreth 25 vjeçare nuk mund të them se vihen në zbatim direkt tani, por prapë mund të them që ajo punë, lodhje dhe përpjekje e asaj kohe më ka ndihmuar jashtë mase edhe këtu ku jam. Më është dashur të shikoj me sy shumë kritik çfarë di dhe mund të ofroj në këtë mjedis të ri. Se pari, këtu të pyesin dhe të intervistojnë se çfarë di të besh e jo çfarë ke qenë. Për shembull, sa i njeh llojet/speciet e drurëve, shkurreve, dëmtuesit e pyjeve dhe sëmundjet, fidanët që mund të mbillen në kushte të ndryshme, përgatitjen e projekteve dhe konsulencës për toka private e publike, legjislacionin dhe, mbi të gjitha, të komunikosh me njerëzit, etj. Në një farë mënyre, njohuritë, ndjenja e përgjegjësisë, këmbëngulja për ta bërë punën në kohë e me cilësi, kanë qenë në themel të ndihmës dhe përpjekjeve të mia për t’u integruar në vendin e ri.

Para se gjithash, për të ardhmen e bujqësisë shqiptare e sidomos të pyjeve, mendoj se lypset të shtohen përpjekjet në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe shoqërisë civile, që jo vetëm të deklarohen pyjet “prioritet i të gjithëve”, por vërtet të merren masa dhe të tregojmë në praktike sa dhe si implementohen planet, strategjitë, reformat, etj., duke u bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera, por edhe në praktiken e vendit tonë. Mendoj se na duhet të nxjerrim mësime nga arritjet, po edhe nga gabimet e bëra. Në këtë vështrim, mendoj se pyjet kanë nevojë të rikonsiderohen, në kuptimin më të plotë të fjalës, sa kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve, faunës, mjedisit, mbrojtjes së tokës dhe ujërave, etj. Dhe ky kontribut të vlerësohet edhe në të ardhurat e përgjithshme për frymë të popullsisë e, në përputhje me këtë nivel, të planifikohen / shtohen investimet dhe kujdesi për pyjet.

A keni ndonjë mesazh për ish-bashkëpunëtorët e kolegët në Shqipëri?

Bashkëpunëtorëve dhe kolegeve të mi në Shqipëri do t’iu sugjeroja të shtojnë përpjekjet individuale e kolektive për ta prezantuar sa më mirë Shërbimin Pyjor dhe punën që bëjnë për mbarështimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore. Më shumë se kurrë, pylltarët nevojitet të krijojnë lobin e tyre dhe të kenë përfaqësues sa më shumë të jetë e mundur në të gjitha instancat e qeverisjes dhe politikës. Vetëndërgjegjësimi i punonjësve të Shërbimit Pyjor për punën që bëjnë dhe rolin që kanë, mendoj se ka rendësi të veçantë për të gjetur mbështetje tek instancat përkatëse.

Veli HOXHA