Nikolin Gurakuqi: Ermonela Jaho u tregua padrone e sigurt e skenës

478
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori i TKOB, Nikolin Gurakuqi: “Madam Batterfly” një sukses i paparashikuar!

Ermonela Jaho shkel në skenën e TKOB-it pas shtatë vjetësh. Shfaqja e fundit në TKOB e operës “Madam Batterfly” shënoi një sukses të paimagjinueshëm. Është hera e parë në historinë e TKOB-it që biletat shiten të gjitha ditët e shfaqjeve madje kërkesat ishin për më shumë, pasi kishin ardhur dashamirës të operës nga Kosova, Maqedonia madje edhe nga Italia.

 Një shfaqje e re që solli shumë komente, si do ta komentonit ju si regjisor këtë shfaqje?

 Opera “Madam Batterfly” shënoi një ngjarje të madhe në jetën artistike  shqiptare, jo vetëm për TKOB, por të gjithë Shqipërisë, kryesisht  me ardhjen për të dalë në skenën tonë të sopranos së madhe me famë botërore që luajti rolin e Madam Batterfly,  Ermonela Jaho. Fakti që Ermonela erdhi në vazhdën e një karriere të madhe ndërkombëtare, pas një mungese të konsiderueshme, prej 7 vjetësh, ndaj kjo ardhje ngjalli një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku i gjerë shqiptar, deri tek shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Madje, mund të them se në shfaqjen e së shtunës, kishin ardhur dhe shumë dashamirës së operës nga Italia për të parë shfaqjen direkt në sallë. Suksesi ishte ai që u pa, një sallë e elektrizuar, një spektator i rrallë pro dhe një paraqitje e denjë ndoshta më e rralla në historinë e TKOB. Ishte diçka që i kaloi parashikimet tona, pasi interpretimi i Ermonelës ishte i shkëlqyer. Por jo vetëm i saj, por edhe i gjithë trupës, pasi teatri me të gjithë artistët u mobilizuan në maksimum për të ardhur në këtë ditë. Por unë do të veçoj provat, të cilat i drejtova. Aty pashë një punë të madhe dhe them se u zhvilluan me një kualitet shumë të madh. Ishte një disiplinë  për t’u admiruar si në skenë, edhe në prova. Kjo disiplinë është një dukuri e muajve të fundit në TKOB, në skenën tonë, ku shihet një disiplinë e mirë administrative dhe disiplinë e mirë artistike, e cila lidhet me frymën e re që ka sjellë Drejtori i ri Ilir Kerni, i cili po e drejton TOB-in me shumë profesionalizëm dhe me shumë përgjegjësi. Dhe kjo mënyrë pune po jep frytet e veta, pasi rezultati i mirë nuk arrihet me disiplinë të keqe administrative dhe disiplinë të keqe artistike. Me harmoninë e këtyre elementëve rezultati është i dukshëm dhe nga shfaqja në shfaqje, nga opera në Opera,  nga baleti në balet, cilësia po rritet po ashtu dhe numri i spektatorëve/

Unë do të desha të ndalesha tek provat e Ermonelës. A ishte ajo e dëgjueshme në udhëzimet tuaja?

Di të them këtë që më shumë se të tjerët më ka bërë përshtypje Ermonela. Ajo më thoshte vetë, më kërko, më oriento, më jep detaje artistike dhe kur nuk thoshte u lodha apo të shfaqte shenja deliri. Dua të them se dikur ajo kishte një eksperiencë negative me TKOB, me disiplinën e saj. Ne arritëm ta presim Ermonelën me këto kërkesa të reja dhe brenda një kohe të shkurtër, relativisht një javë, arritëm të shkojmë tek objektivi.

 Çfarë të bëri më shumë përshtypje tek Ermonela?

Më bëri përshtypje impenjimi i saj. Një ditë përpara se të fillonte provat, ajo u fut në skenë duke e parë atë me dashuri sikur të ishte në Paris, apo në Verona. Që atë moment ajo e trajtoi TKOB si një teatër profesionist të madh. Kjo mënyrë veprimi ndikoi shumë psikologjikisht tek trupa dhe ajo i mobilizoi të gjithë kolegët për të dhënë maksimumin.

 Cila ishte risia e Ermonelës në këtë shfaqje?

Në radhë të parë dua të them se ajo po e vinte për herë të parë në skenën tonë këtë vepër operistike, por duhet thënë se ajo e ka dhënë me dhjetëra herë në skenat më të mëdha të botës. Për të ishte premierë në Tiranë.

 Krahas saj ishte dhe Marjana Leka, a e justifikoi dhe Marjana rolin?

Këtë rol Marjana e kishte luajtur rreth 10 vjet më parë, pra kur ishte shumë më e re dhe mund të them se dhe Marjana e realizoi shumë mirë rolin, secila me veçantitë e veta, ku duhet  të them se edhe Marjana është një këngëtare specifike në mënyrën e saj të të interpretuarit që ja doli me sukses shfaqjes, pasi kjo u pa tek publiku. Por sigurisht Ermonela ka një karakter shpërthyes, ndërsa Marjana është pak më e butë. Pra secila ka individualitetin e vet.

 Kush ishte karakteristika e Ermonelës në këtë shfaqje?

Ajo tregoi edhe njëherë se mbetet padrone e skenës, diti ta zotërojë atë, ta bëjë spektatorin të mbërthehet pas saj, ta bëjë të heshtë, kur duhet dhe të duartrokasë në mënyrë frenetike në fund të shfaqjes. Ajo ishte padrone me të gjithë administrimin e personazhit në të gjitha dimensionet. Një personazh është shumë dimensional dhe ajo ja arriti që ta zotërojë të gjithë karakterin e tij me të gjitha dimensionet. Por e veçanta tjetër ishte se ajo diti t’i harmonizojë të gjitha dimensionet e personazhit të madamës. Jo të gjithë e arrijnë atë. Në shumë realizime të tilla këngëtari ngul këmbë tek një dimension i rolit, tek më i veçanti dhe aty këmbëngul, ndrysa Ermonela i kishte të gjithë dimensionet nën zotërim dhe me të njëjtin rëndësi. Pra ishte multidimensional. Në këtë rast nuk kuptohet nga vjen suksesi, nga cila shqisë, sepse ajo i rendit në mënyrë harmonike duke i dhënë me të gjitha fuqitë veçantitë e çdo dimensioni. Të jesh këngëtare në opera nuk do të thotë vetëm të dish të këndosh. Jo, aspak, duhet të dish të luash personazh, të zotërosh personazhin. Dhe Ermonela këtë cilësi e ka brenda vetes me të gjitha  ngjyrimet që kërkon skena. Ndaj nuk është e rastësishme që ajo është e kërkuar në tregun botëror. Kjo është kërkesa e tregut, modeli  i të qenit këngëtar i operës, në konkurrim të vazhdueshëm.

 Si regjisor, ku ishte momenti më i vështirë për vënien në skenë të kësaj vepre, duke pasur parasysh se është një operë e vështirë, por po kaq e madhe?

 Me thënë të drejtën këtë vepër e pata si autostradë. Ndryshe nga dhjetëra vepra të tjera që kam vënë në skenë. Kam punuar me qetësi dhe komoditetin më të madh, pa asnjë shqetësim dhe një lodhje shumë më të pakët se në çdo produksion tjetër.

Përse ky komoditet?

Sepse, e gjithë trupa funksiononte si makinë, në harmoni, të dëgjueshëm, të interesuar në maksimum për të dhënë maksimumin. Një disiplinë që lidhet me orarin, me kërkesat, me zgjatjen e provave, me  dëgjimin e fjalës. Një përkushtim dhe vëmendje që s’më ka ndodhur kurrë, ndaj besoja  në suksesin e veprës.

 Kur e merr suksesin një shfaqje?

Një shfaqje e merr suksesin apo jo, kur nuk duhet folur me diplomaci apo me rezerva as më aktorët, as me gazetarët, dhe kur sheh reagimin e spektatorit, që ën rastin konkret, vetë spektatorët thyen disa rregulla dhe u ngjitën në skenë dhe takuan artistët. Jo vetëm kaq, por tek të gjithë spektatorët u panë lot në sy. Ishte shfaqja e lotëve. Takime, përqafime, urime, lule, këto ishin ato që u panë si kurrë ndonjëherë në fund të shfaqjes.

 Përse e vlerësoni ndryshe këtë shfaqje?

Për edukatën e punës, një edukatë e re që shfaqën të gjithë artistët në këtë operë të madhe. Dhanë maksimalen në të gjitha elementët.

 Në të gjitha shfaqjet biletat të shitura, një risi kjo dhe përse në këtë moment. Mos vallë shqiptarët i kanë kthyer më shumë sytë nga opera?

 Risia apo çudia e kësaj shfaqjeje apo edhe e disa shfaqjeve më parë ishte publiku i ri. Pra të rinjtë 18 deri në 25 vjeç i janë shtuar publikut të TKOB për të parë koncerte, për të parë balet, apo opera. Kjo është një arritje e madhe, pasi ka ardhur jo në mënyrë të detyruar, por në mënyrë të vetëdijshme, se po shkel një institucion me vlera. Pra po shihet që të rinjtë tashmë preferojnë të blejnë një biletë për opera se sa të rijnë disa orë në kafene. Biletat ishin shitur disa ditë para shfaqjeve, pra për të pestë ditët, salla plot dhe asnjë biletë pa shitur.

 Ilir Kerrni-drejtor i TOB-it

Cila ishte risia e kësaj shfaqjeje?

E para që u shitën të gjitha biletat, e dyta se nuk kishte ftesa speciale pasi u hoq mendësia e ardhjes me ftesa, pa bileta. Së treti, ardhja e të rinjve. Edhe vetë Kryeministri erdhi si spektator i thjeshtë dhe u ul në radhën shtatë. Erdhi pa shumë zhurmë apo eskortë masive që të shqetësojë publikun.