Musa Kraja/ Thoma Deliana, ministri i suksesshëm i Arsimit, që përfundoi në internim

1506
Sigal

U shua një nga ministrat më afatgjatë të Arsimit dhe  kulturës shqiptare, Thoma Deliana. Arsimi, kultura dhe sportet, si një nga  grup-fushat  më masive të veprimtarive sociale, kanë pasur në krye përgjithësisht  burra e gra të përkushtuara në punë, por edhe në bazë armata e madhe e punonjësve të këtyre sektorëve, kanë pasur e kanë mësues e pedagogë, artistë e sportistë të thjeshtë e të mëdhenj njëkohësisht, të cilët i kanë parë, vëzhguar e njohur më saktë, ato që kishin “sipër”, ministrat dhe hierarkitë e tjera të këtyre fushave. Ka prej atyre që, kanë lënë emër, duke filluar nga Luigj Gurakuqi e më pas të tjerë, siç ka edhe nga ato, që kanë hyrë e dalë në atë derë  pa lënë asnjë gjurme, të cilëve as emrin  nuk ua mësoi njëri. Thoma Deliana është nga ato drejtues që bëri emër me personalitetin e tij, të formuar në familjen arsimore “Deliana”, në Elbasan, në vatrën më të njohur të përgatitjes së mësuesve në ato vite: në Normalen e  qytetit, në mjedisin Elbasanas, nxënës i pedagogut të shquar shqiptar, Aleksandër Xhuvani, pasardhës e zëvendësues i  të birit të Profesorit të madh, Ptolemeut, detyrën luftarake, të të cilit, sapo ra dëshmor në Luftën e madhe për çlirim, e mori Thomai, detyrë që  e kreu me guximin djaloshar e ndjesitë atdhetare. Kur Dhimitër Shuteriqi, atëherë mësues në Normale, shkruante “Klasa bosh”, ishte fjala për ngjarjen në Normale, 1 Maj, 1943, kur të gjithë nxënësit qenë larguar, shumica në mal, në Luftën për Çlirim, e një pjese ndër rrethet e tyre, ndër të cilët më aktive ishte Thoma Deliana. Pas lufte, do të përfundonte studimet e larta dhe në vitet 1963-1976 do të ishte Ministër i Arsimit  dhe i Kulturës. Sigurisht, si çdo ministër shteti atëherë dhe sot, ishte së pari njëri politik. Por, Thomai nuk ishte vetëm i tillë. U shqua për modestinë karakteristike, për aftësinë e shkëlqyer komunikuese, aftësitë organizative, përkushtimin në punë, zemërgjerësinë dhe njërzillëkun shembullor. E kam njohur në pozitën e një djali që interesohej për studime dhe ndodhesha në zyrën e ministrit, të parit ministër që i shkoja në zyrë dhe mbeta me bindje se më kuptoi drejtë dhe bëri atë që duhej me kompetencë të plotë, duke thirrur një nga varësit e tij, kur prisnin dhjetëra të tjerë jashtë, verifikoi në vend çfarë duhej dhe e vendosi në çast. Aty u binda se drejtuesi duhet të ketë qartësi, guxim, mbajtje përgjegjësie dhe ishte tërësisht i shkëputur nga  burokratizmi e zvarritja. Pra, dola nga zyra e tij me një mësim për të nesërmen. E njoha në Shkodër, kur isha një nga drejtuesit e pedagogjikes dyvjeçare dhe në një takim pune në auditor të gjerë, kur ai deklaroi: “Kam ardhur në Shkodër që të mësoi”, pra larg prepotencës intelektuale dhe administrative. Interesohej për përvojën e përparuar, që Shkodrës nuk  i mungonte. Të kapesh pas përvojës pozitive, do të thotë të realizosh një aspekt të drejtimit shkencor të sektorit që drejton. E njoha në konferencat  pedagogjike, por jo nga afër. Nga afër e njoha si rrallë kush, kur më emëruan zëvendës të tij, në fakt zëvendës i parë. Pas shumë bashkëpunimesh, situatash emergjente dhe perspektive krijova bindje se, me një opinion që po krijohej nga lart, sidomos nëpërmjet buletineve të brendshme, po gabonin me ‘të, sepse po qarkullonin fjalë se po e çonin në filan rreth apo në atë apo këtë detyrë, jo për mirë. Por, kur erdhën në ministri, nëpërmjet një nënkryeministri  dhe shfaqen mendime për pikëpamje liberale, oportuniste, madje dhe armiqësore, u befasova për këtë super tejskajshmëri, për mua të pavërtetë. Folën disa që, duke e parë “që i rrëshqiti këmba ministrit”, kërkonin të përfitonin ndonjë kockë. Nuk fola fare. Duke marrë zyrën e tij në dorëzim, si i ngarkuar për disa muaj, deri sa vendosën për titullarin, u binda absolutisht se Thomai ishte ai që njihja dhe njëkohësisht u krijua një “plasaritje” në botëkuptimin tim, për kohën, sepse njerëzit mund të shkonin edhe për asgjë. Kjo do të më ndodhte pas një viti e gjysmë edhe mua, kur më pushuan për një studim që kisha kryer për sistemin arsimor, në përgjigje të kërkesës që të jepnim mendime pa rezerva. Dhe unë me kolegë, duke qenë përgjegjës i grupit të punës, i dhamë mendimin për ta shtrirë arsimin dhjetëvjeçar masiv në të gjithë vendin,pikëpamje që më vonë u quajt “Pikëpamje borgjezo-revizioniste”, çka nuk mjaftonte për të groposur. Njëri nga lart, për ta përforcuar këtë  ide, shtoi edhe: “Nuk ka ngritur probleme për Thoma Delianën”. Nga njohja ime e drejtpërdrejtë, po nënvizoj disa fusha, në të cilat ka spikatur Thoma Deliana: Së pari, ai luajti rolin e një drejtuesi  shumë të suksesshëm në masivizimin e arsimit 7-8 vjeçar, duke i njohur drejtpërdrejtë shumë prej  veprimtareve të rretheve.  Së dyti, nxiti e punoi në zbatimin e politikës arsimore të kohës  për përgatitjen e kuadrit të fushës së arsimit në rrugë normale, përmes shkollave pedagogjike, të kulturës, sporteve dhe të Universitetit  të Tiranës, Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, filialeve të tyre, etj.. Njëkohësisht, nxiti format e shpejtuara të kuadrit, si pedagogjikët 2-vjeçarë për mësuesit e filloreve, kryesisht për zonat rurale, për përgatitjen  e mësuesve përmes  shkollave të larta me program të ngjeshur, njëvjeçar për gjuhë-letërsi, matematikë-fizike, të biokimisë, etj., si dhe  me program trevjeçar, duke zhvilluar jo 9 muaj mësim, por njëmbëdhjetë  muaj, duke i përjashtuar punën në prodhim  dhe edukimin fiziko-ushtarak, me programin e plotë të universitetit, ku dërgoheshin drejtor shkollash të dalluar apo inspektor arsimi  përmes një kurrikule shumë të studiuar në formimin  shkencor-pedagogjik të tyre.

Se treti: U kujdes në mënyrë të veçantë për tekstografinë shkollore, duke përballuar zbrastësinë që ishte krijuar në këtë fushë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, nga një vend, i cili patën përkthyer  apo adoptuar shumë tituj tekstesh shkollorë, për të gjitha ciklet e sistemit arsimor, ndryshe trajtoheshin si  “Pikëpamje borgjezo-revizioniste”. Së katërti, përballoi me sukses disa aksione të mëdha shkencore, kulturore e sportive, në mënyrë të veçantë problemin madhor të gjuhës amtare, si Kryetar i grupit të punës  për përgatitjen e Kongresit të Drejtshkrimit, 1972, vit që krijohet edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, probleme që i ndoqi drejtpërdrejtë. Duke nxitur e motivuar punën kërkimore  shkencore, u kujdes për zgjerimin e  konsolidimin e institucioneve të rëndësishme, në varësi të ministrisë që drejtonte, sidomos Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, produkte të të cilave ishin edhe dy konferenca kombëtare të Studimeve Pedagogjike, gjallërimin e kabineteve pedagogjike në rrethe dhe forcimin e drejtimit shkencor të shkollave. Ministri masovik Thoma Deliana, u shqua për kontaktin e drejtpërdrejtë me mësues e pedagogë të të gjitha niveleve. Për këto e shërbime të tjera, Thoma Deliana u “vlerësua” me internim me 16 vite, stacioni i parë në Tepelenë, si drejtor shkolle dhe më pas në një fshat të thellë si bujk a lopçar, një shpërdorim i çdo ndjesie njerëzore, palë profesionale, pa asgjë konkrete. Shkruesi i këtyre rreshtave “in memorium”, ka shënime kujtimesh shumë më të zgjeruara nga bashkëpunimi me Thomain, si zëvendës i parë i tij në ministri. Jemi thirrur së bashku në Kryeministri dhe u porosit që të më dorëzojë zyrën për disa muaj, deri sa të emërohej ministri. Kisha bindje të plotë për devotshmërinë e tij në punë dhe qëndrimin korrekt, si kuadër drejtues, prandaj edhe në mbledhjen demaskuese që u bë në ministri, në prani të zëvendëskryeministrit, nuk fola – heshtje që një vit e gjysmë më pas, kur për studimin e arsimit dhjetëvjeçar të  detyruar, që kishim bërë, ku unë isha kryetar i grupit të punës- më pushuan nga puna me motivacionin “Pikëpamje borgjezo- revizioniste”, duke shënuar emrin dhe mbiemrin tim, pas fjalës së fundit. Pas 16 viteve të internimit të Thomait, ditën që po përcillnim në varrim nga Akademia e Shkencave, Profesorin e shkëlqyer Aleks Buda, që kishte ndërruar jetë, takova Thomain, i cili mu drejtua plot dashuri dhe, që nga çasti i qëndrimit, sa ndenjëm aty, nuk ma lëshoi krahun. Kjo ishte e ndërsjellë. Siç e shënova edhe në rreshtat e para, Thomai ishte edhe partizan, madje jo i thjeshtë, por në masën e mbi 70 mijë luftëtarëve partizanë, trima e kryetrima, ishte e vështirë ta dalloje, ndërsa në arsim ai mbeti një “Gjeneral” i nderuar në armatën e mësuesve e pedagogëve, që ka hyrë me dinjitet në historinë arsimit dhe të shkollës shqipe. Nderim kujtimit dhe veprës së tij të pastër në fushën e arsimit e të kulturës!