Majlinda Keta: Filozofia dhe të filozofuarit për shqiptarët, përtej sistemit të edukimit në Shqipëri

1328
Rrugëtimin çerekshekullor të shqiptarëve drejt perëndimit e nisëm me urrejtjen për filozofinë dhe procesin e të filozofuarit, pasi nënkuptonim pas tyre “Lindjen”, të cilën donim ta linim pas. Në fakt sa më shumë thellohet procesi i kalimit nga “Lindja në Perëndim” shfaqet nevoja për filozofinë dhe filozofimin, jashtë dhe pavarësisht mundësive që krijon vetë sistemi i edukimit në vend. Kërkesa për to mbështetet në nevojën që kishim dhe kemi të gjithë për të menduar ndryshe, për të rimenduar, për të rijetësuar, për të rigjykuar të shkuarën, rithemeluar njohuritë për jetën dhe suksesin në të, për aftësitë që na duhen, për sistemin e vlerave ku do mbështeteshim dhe të tjerave që do të ridimensiononim, duke respektuar rregullat e logjikës në argument e gjykim, për pyetje dhe çështje të mëdha dhe të rëndësishme të jetës së gjithë secilit apo të zhvillimit të vendit në tërësi. Këto procese në shumësi i japin kuptim dhe sens jetës së gjithsecilit prej nesh, të grupit ku bëjmë pjesë, por edhe të komuniteteve tona po aq sa edhe të shtetit në rrugëtimin e tij, drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, integrimi evropian i shqiptarëve kërkon ndërtimin e një filozofie të integrimit po aq sa edhe të filozofuarin mbi procesin. Brenda kësaj filozofie të integrimit nuk kërkohet vetëm pjesëmarrja e shqiptarëve që jetojnë në kufijtë zyrtarë të Shqipërisë, por të çdo shqiptari me kombësi shqiptare, pavarësisht shtetit ku jeton. Tiranës zyrtare, zyrtarisht institucioneve të akademizmit dhe fidanishtes akademike studentore i duhet t’i paraprijë procesit të të filozofuarit mbi këtë proces integrues të shqiptarëve në shekullin e 21, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe faktorin Diasporë. Ky proces nuk mund të vazhdojë me “Unë” shqiptari i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Diasporës e tjerë, por do të duhet të prodhojë “Ne” shqiptarët për integrimin evropian të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë pasi vetë historia jonë është prodhuar përtej të konceptuarit të izoluar. Nuk ka qenë rastësi që mendimin shoqëror, politik e filozofik të viteve para themelimit të shtetit të pavarur shqiptar, shqiptarin e ri që i duhej të përbënte veten e ideuan dhe debatuan, ato jetuan në këto adresime hapësinore të mësipërme. Në fillesë të këtij procesi filozofues, fundshekulli i kaluar dhe ky shekull i XXI. NE, të gjithë duhet të ishim përfshirë e të vijonim me ideimet dhe debatet tona mendore dhe sociale se, “Cilët jemi NE shqiptarët?”, nën një fill mendimi kritik dhe risor. Kjo do të na shtronte piketa edukimi që do i vlenin dhe do t’i vlejnë edukimit me veten dhe për veten. Kjo përgjegjësi i kalon kufijtë e akademizmit dhe kërkonte aleatë edhe mbështetës në Shoqërinë Civile, median, faktorin ndërkombëtar.Një diskurs filozofik tjetër me dimension po sa i pari, e që vlen ende për “NE” është ai mbi raportet nacionalizëm kombëtar dhe procese integruese evropiane. Në shkrimin e tij, “ Shqiptarët dhe nacionalizmi” në 1995-ën, Fatos Lubonja, ndërsa pohon “ndjenjën e ekzaltuar kombëtare” të trajtimit të disa ngjarjeve tona historike nga shtypi i përditshëm, periodikët, historiografia komuniste tërheq vëmendjen se kjo mendësi po shfaqej edhe në vitet e para të demokracisë dhe ndërkohë ndërton një pyetje kuptimplote, që ishte sa ekzistencialiste, kulturore, shpirtërore, terapeutike, politike, sociale aq edhe intelektuale: “Çështja shtrohet, a i duhet sot shqiptarëve një nacionalizëm etnik, i kuptuar si motivim përbashkimi për shkak të frikës apo urrejtjes ndaj etnisë tjetër, apo duhen gjetur rrugë të tjera? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është shumë e vështirë. Sidoqoftë ndaj alternativës së frikës dhe urrejtjes është më lehtë të thuash: Jo! Kurse kërkimi i alternativave pozitive vjen i vështirë, jo vetëm pse ato nuk mund të jenë të njëllojta për të gjithë shqiptarët në të gjitha treva ku banojnë, por edhe pse ato nuk varen vetëm nga vullneti i tyre, por edhe nga qëndrimet e fqinjëve ndaj shqiptarëve. Nuk pretendojmë të japim përgjigje nëpërmjet këtij shkrimi ku më shumë jemi rrekur të shtrojmë problemin”.Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm mbetet sfida e shqiptarit të ri, kritik me kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës në epokën e informacionit dhe teknologjisë. Mbi të gjithë këtë proces filozofik edukimi, nisja dhe suksesi mbetet tek të mësuarit se si duhet të mësojmë( Learning to learn). Ky lloj të menduari rreth dijes mbetet sfidë e të konceptuarit të mendësive që udhëheqin reformat për zhvillimin në vend, të reformës në arsim e drejtësi në veçanti, standarde këto që i sigurojnë qëndrueshmëri zhvillimeve tona përmes cilësisë së burimeve njerëzore. Ky proces filozofimi, si teori dhe metodë e të mësuarit, do të na mundësojë shmangien nga përsëritja e gabimeve të së kaluarës në përballjen e ‘NE’, shqiptarëve, cilësitë e shtetbërjes dhe rolin e misionin në ndërvarësitë rajonale dhe globale. Po kush do ta drejtojë këtë proces? Individi apo shoqëria? Së pari le ta nisim me ndryshimin e mendësive politikbërëse mbi statusin e Filozofisë dhe të filozofuarit për shqiptarët në edukimit në Shqipëri. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Filozofisë (nga UNESCO), 19 nëntorin! Për të gjithë miqtë, mbështetësit dhe kontributorët e progresimit të “NE”, shqiptarëve bazuar në filozofi të qarta zhvillimi të qëndrueshëm dhe për mirëqenien mendore të shqiptarëve kudo që janë. Duhet ushqyer truri dhe mendësitë tona që të prodhojmë veprime e ndërveprime të përgjegjshme për sot dhe gjeneratat që do jetojnë në këtë tokë.
Sigal