Lidhja e Shkrimtarëve duhet të kthehet në dinjitetin e saj

657
Sigal

INTERVISTA/ Si duhet të jetë Lidhja e Shkrimtarëve: Flasin: Astrit Hajdini, Kristaq Pavli, Pali Shtëmbari, Ilmi Bani

Ndër të tjera, janë dhe disa pyetje për këtë temë dhe shkrimet e Albert Zholit te “Telegraf”, që na vijnë si ngacmim nga drita. Logjika e krijuesit na kërkon të shprehemi, se është domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës qytetare, (parë nga këndvështrimi ynë i identitetit, po ashtu edhe nga optika integrale universale) krijimi i fushës magnetike të nevojshme për të vënë në veprim funksional pozitiv shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të Shqipërizës tonë të dashur. Në bazë të shumë intervistave në “Telegraf” me personalitet të krijuesve dhe artistëve, e ngritëm këtë shqetësim me krijues të qytetit të Vlorës dhe, për të bërë  të ditur lexuesit tonë artdashës opinionin e tyre, intervistuam disa shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, skulptorë etj., nga të cilët përzgjodhëm për botim këta autorë:

Astrit Hajdini

 Astrit Hajdini, na tregon se është lindur më 05.01.1954, shkrimtar, poet, (ish – anëtar i LSHA, në kohën e Dritëro Agollit). Ka botuar këto libra: 1. Një hënë e madhe mbi kokën time, 1996, Athinë, 2. Milioner prej brumi, 2004, Neraida, Tiranë, 3. Letër Adinës, 2013, Pavarësia, Vlorë, si dhe, 4. librin me poezi Vdekja me kordele, 2000. Krijimtaria e tij, e paktë në sasi, por e pëlqyeshme për vlerat e mirëfillta artistike dhe estetike, është përfshirë edhe në: antologjinë me tregime: “Stina e gonxheve”, 1990, në antologjinë e prozës shqiptare në Athinë, në antologjinë e poezisë shqiptare në Athinë, 2002,  në antologjinë e tregimit të zgjedhur vlonjat, 2006 etj..

Ç’është për ju  LSHA?

Shiko, unë jam me origjinë nga Tepelena, lindur në Fier, por jeta ime identifikohet në Vlorë, ku banoj. Kam qenë naftëtar në Gorisht, mësues në Llakatund, kam qenë në mërgim në Pire e Athinë. Plot 15 vjet emigrant në Greqi. Njoh mirë greqishten e vjetër, flas italisht dhe greqisht. Ndjej dhe shprehem se, LSHA ishte dhe mbetet një ëndërr e bukur. Të kuptohemi, ajo e kohës së Dritëro Agollit, që dhe ti e njeh jo pak, se je përpjekur dhe ke botuar. Ai filtër, matematikisht i saktë për artin e fjalës së shkruar, nuk përsëritet më. Ndoshta, dashtë Zoti, vjen një ditë hyjnore, që ajo ëndrra e bukur të rikthehet në realitet për krijuesit.

Po godina e saj?

Një familje letrare për krijuesit e vërtetë, ata cilësorët, në kuptimin më të mirë të fjalës, jo thjeshtë si metaforë. Një LSHA, (e tipit Dritëro Agolli) është funksionale dhe e dobishme për shoqërinë. Ajo nuk mund të kuptohet pa shtëpinë e saj. Ajo godinë është pronë e shkrimtarëve, poetëve, kompozitorëve, piktorëve, e krijuesve shqiptarë. Një LSHA qendrore, me selinë e saj në Tiranë, atje ku e ka patur shtëpinë, (në qendër e jo në periferi), do të ndikojë në puritanizimin e krijuesve dhe të krijimtarisë së vërtetë, duke i prerë rrugën hordhive të “çinçiskanëve” në letërsi, art e pikturë, si dhe rikthimit të autoritetit të kësaj organizate. Ç’LSHA, (apo unione, si i thonë sot) janë këto? Vetëquhet kryetar, për vete punon e zgjedh e rizgjedh veten, me ca manarë që i bëjnë pas iso të çjerrë. Atëherë LSHA të jepte leje krijuese, nëse e meritoje, të jepte shkollë, të jepte shtëpi, të jepte dinjitet. Dua të ringrihet mbi bazat e dinjitetit të cilësisë artistike dhe personalitetit krijues e njerëzor (kuptohet, sot, duke respektuar parimet dhe kriteret, që rezonojnë me kohën që jetojmë) . Edhe pse e shikoj si një ëndërr  LSHA – në, mendoj se, edhe “tufëzat” le të jenë, sipas dëshirave që kanë të interesuarit, me klube a shoqata; nuk i prishin punë. Veçse, për mua, LSHA është personalitet, institucion bazal, autoritet serioz, që duhet të rikthehet në shtëpinë, që ka patur dhe që i takon dhe me ligj. Pastaj, s’jemi aq shtet i madh ne, që të kemi e të ndahemi në 200 principata. Të kujtojmë dhe porosinë e Skënderbeut, ç’u tha princave, në atë takim, që njihet si Lidhja e Lezhës, mars 1444…

 Kristaq Pavli, i njohur më tepër si piktor i peizazhit e i akuarelit; lindur në Vlorë, më 1954, me origjinë nga Vunoi i njohur për histori e kulturë, autor i 11 ekspozitave; sot me aktivitet krijues në STUDIO ART, VLORË.

 Kristaq Pavli

Ç’është për ju  LSHA?

Përgjigje: Është gjëja më  e bukur për krijuesit, gati ideale, shumë njerëzore, shumë fisnike dhe serioze, që letrarët të jenë së bashku me muzikantët, aktorët, artistët figurativë. Kemi bërë jetë artistike të gjallë, me aktivitete të bukura e mbresëlënëse në të gjithë sektorët. Artistët kanë nevojë për njeri – tjetrin, veçanërisht nëpër rrethe  e ndjejmë këtë nevojë. Me letra, me kërcënime, me prapaskena, me miklime, me vogëlsira të tjera të pështira, u prish gjithë ajo bukuri shpirtërore e shqiptarëve, që mbahet mend me emrin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Vlen të jemi të bashkuar si forca krijuese, jo në aspektin e krijimit artistik, se secili krijon individualisht, por në aspektin e promovimit, të mbështetjes, të nevojës së një kritike të mirë. Jo të jap unë 100 mijë lekë dhe tit ë më bësh një artikull që të më mburrësh mua dhe kot fare, siç ka ndodhur jo në pak raste, madje edhe nga kritikë me emër,që dikur ishin seriozë. Ah, paraja! Ç’të bëka! Mungesa e kritikës na ka dëmtuar, po ne, ose s’e kuptojmë, ose bëjmë sikur s’e kuptojmë

Po godina e saj?

Godina e LSHA është identiteti material i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve, i kompozitorëve, i skulptorëve, kompozitorëve, i aktorëve krijues, i këngëtarëve krijues,  kritikëve të letërsisë dhe të artit, i përkthyesve, i redaktorëve e korrektorëve, pse jo i botuesve, normalisht i i forcave krijuese të vendit dhe logjistikës përkatëse. Ku do të bëhet diskutimi krijues i një vepre, promovimi i saj, pa frymën e kritikës së vërtetë, pa rrahur mendimin dhe pa  ndezur debatin për shëndetin tonë letraro – artistik? Është për të ardhur keq, po kështu jemi sinqerisht informalë. Po nuk e ktheu shteti fytyrën nga krijuesit e vendit të tij, ne do të jemi të palegalizuar tërë jetën. Mëkat!

 Pali Shtëmbari

Pali Shtëmbari, prozator, autor i 17 njësive bibliografike, të regjistruara në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, nga të cilat kanë bërë jehonë vëllimet e viteve 1976 – ’80 dhe, mbas viteve turbulluese, në klikim për kërkim të demokracisë, sidomos me vëllimin me tregime “Idil arbëror” , Tiranë, ADA, 2013.

Ç’është për ju  LSHA?

Është shpirti dhe fryma e krijuesit. Ne kemi nevojë të jemi të organizuar, jo të shkërmoqur, siç na katandisën, si mos më keq. Krijimet e mirëfillta nuk vlerësohen. Vlerësohet paraja. Ke para, boton, s’ke para, rri, si…,thotë mirë ai i humorit (na fal për shprehjen, si shit në shi…) po me tërë mend them. Pse kështu?  Pse? Na lanë, na shpërfillën, sikur jemi pjesa  vulgare e shoqërisë, jo pjesa më e bukur, më hyjnore, më fisnike. Duhet të rimëkëmbemi, se s’ndodh kund si te ne.

Po godina e saj?

Godina. Godina është shtëpia jonë, identiteti ynë. Po do të vijë një delegacion me krijues të huaj. Ku do ta presësh, kush do ta pres, kë do të përfaqësojë, ç’do të bisedojë, me ç’ funksion artistik dhe estetik dhe në ç’masë është në shërbim të qytetërimit të shoqërisë shqiptare?

 

Mendimi im sipas pyetjeve të “Telegraf”

Albert Habazaj, poet, bibliograf, kritik letrar, sekretar i LSHA për Vlorën

Albert Habazaj

Për  pyetjen: ç’është LSHA, kemi këtë përgjigje, thënë shqip dhe jo vetëm metaforikisht, por sidomos në kuptimin funksional jetësor shpirtëror. Lidhja (sa bukur, sa shqip, që më kujton, në një trajtë tjetër, Lidhjen e famshme të Lezhës, së Epokës Skënderbejane), pra LSHA është si ajo pema e gjelbër, me rrënjë të thella, me trung të shëndetshëm, me degë të gjelbra, që prodhon fruta të shijshëm. Është mirë ta kemi pemën, ta ruajmë, ta mbamë, ta ujitim, ta krasitim, t’i shërbejmë, se na e shpërblen me prodhime të mira, të dobishme, të bukura artistikisht dhe estetikisht. Është keq ta thyejmë degën e freskët të pemës, se venitet, vyshket, zbehet, thahet, humbet njomësinë, bukurinë, forcën, gjallërinë, ngjyrën, shkëlqimin, shëndetin e saj, që e ka në shërbim të bashkësisë njerëzore, e cila e mbjell dhe të cilës i shërben. Për vlerën e LSHA – së, do të thosha që është tempulli i hierarkisë së vlerave kombëtare, letraro – artistike, pozitivisht i dallueshëm dhe i duhur për krijuesit shqiptarë. Ndërkohë më kujtohet edhe thënia e njohur e estetit të famshëm italian, Benedeto Croçe, se arti është ai që të gjithë e dinë se  çfarë është. Të organizuar dhe bashkë, secili sipas mënyrës së vetë, në seksionet ku  shfaq dhe aplikon talentin, vlen të kemi një rezonim të harmonishëm të strukturave vertikale të drejtimit, mbështetjes dhe orientimit me strukturat horizontale të talenteve në letërsi dhe art, që zbukurojnë Hyjninë e Krijimit në funksion të njerëzimit, në rastin konkret, të shoqërisë së civilizuar shqiptare, për t’u ballafaquar, krahasuar e konkurruar cilësisht me  krijuesit e Ballkanit, të Mesdheut, të Europës, të cilës i përkasim e të botës njerëzore, që banon në planetin Tokë. Më tërhoqi vëmendjen shkrimtarja dhe studiuesja Violeta Allmuça me shprehjen: “Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në Europë, ku nuk ekziston asnjë institucion i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. është një apel për forcat krijuese të vendit tonë, që s’mungojnë, por gufosen nga maskat letraro – artistike, se dhe pseudo-hierarkia e vlerave bëhet moçaleve, nëpër ishujt apo shpellat e parave  dhe jo atje ku Lumi Shqiptar i Krijimit rrjedh i kulluar e derdhet në Detin e Artit, Letërsisë dhe Kulturës Ballkanike, Mesdhetare, Europiane e Globale

Për godinën. Ajo është kujtesë materiale e shenjtë për krijuesit. Po e thjeshtëzoj: Ajo është si puna e furrikut për zogjtë e klloçkës, ajo ka kenë shtëpiza jonë, ajo duhet të jetë strehëza jonë. “Strehëz, moj strehëz…”, ligështohet dhe Dritëroi i madh. Forcat krijuese të vendit duhet ta kërkojnë pronën e tyre, shtëpinë e tyre, se kështu, kur njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, sikur nuk shkon. Me terma dhe veprime folklorizante deformofet, metamorfozizohet negativisht dhe shndërrohet në specie në zhdukje arti dhe letërsia e vërtetë. Si duket, ndaj po përparojmë me hapa kaq galopante, lart e më lart, nga moli në mol…

Hilmi Bani, piktor, kritik arti, kryetar i LSHA për Vlorën, është një emër publik.

 Ilmi Bani

Është i njohur jo vetëm në Vlorë, jo vetëm nga çmimet kombëtare të fituara përgjatë kohës, jo vetëm se, bashkë me Nestor Jonuzin, Skënder Kamberin, Agron Dinen, edhe me Rakip Shabanin, Petrit Cenon etj., është ndër themeluesit e Ndërtesës Artistike të Shkollës Vlonjate të Pikturës, të mbarënjohur kombëtarisht, e cila u vijua nga Fate Velaj, Edi Kojani, Artan Shabani etj., por sidomos, është vlerësuar qytetarisht, për mirënjohjen dhe nderimin që i bën të parit piktor që hapi ekspozitën e parë në Vlorë, Vasil Talos, i cili njihet edhe si Profesori i Shkollës Vlonjate të Pikturës. Bani ka botuar librin “Përtej mjegullës: biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos”.

 Ç’është për ju  LSHA?

Së pari, koha u turbullua, krijuesit s’u orientuan mirë dhe u ndanë në prishës dhe ringritës. Të parët u evidentuan të fortë, me muskujt e parave etj., të dytët nuk patën krahë, por u mbajtën, aq sa, ashtu si, me dinjitet. Prishësit bënë gjithçka, për t’i lënë shqiptarët pa identitet. Prishën veprat e artit, kushtuar LANÇ, prishën veprat e artit në institucionet mesjetare, prishën sheshin “Skënderbej”, e sa e sa të tjera të planifikuar dhe me hosanna, i reklamuan për t’i prishur. Një nga institucionet që  prishën ishte edhe LSHA, fillimisht, duke vënë në krye të saj hajdutë dhe drogaxhinj, pastaj shkatërruan pasuritë e saj dhe e shndërruan godinën në ministri për “kurvërinë”…, për ta lënë Shqipërinë e ardhme pa traditat, pa rrugët, pa jetën e kaluar, pa kujtesën e vërtetë kulturore.

Po për godinën e saj, ç’mendim keni?

E domosdoshme godina, sado modeste të jetë. I domosdoshëm riorganizimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve, për t’u menaxhuar veprimtaritë artistike, për të garantuar lidhjet me shtetin, aq të nevojshme për brezin e ri të artistëve dhe shkrimtarëve tanë.

Edhe dy nga emrat më të dëgjuar të letrave, që banojnë në Vlorë, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, si dhe poeti i shquar Hiqmet Meçaj, mendojnë se është i nevojshëm e serioz një organizim vertikal dhe horizontal i mbarë forcave krijuese, duke ndjekur shembullin më të mirë, të kohës kur vërtet Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë qe “sitë” artistike, kuptohet, kjo e aplikueshme për kushtet bashkëkohore.