Kujtim Gjonaj: Liri Lubonja ndryshoi jetën time, Mehmet Shehu më dha një mësim të mirë

731
Sigal

INTERVISTA/Flet regjisori dhe skenaristi Kujtim Gjonaj:Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti, regjisorët që më hapën shumë dritare

Mbi 40 vjet punë me filmin dokumentar si regjisor dhe skenarist, ndoshta ai përbën një rekord me 150 filma të realizuar. Në rininë e tij ishte i dhënë pas gazetarisë ku gazeta “Zëri i Rinisë” mbetet dashuria e tij e parë për të cilën desh sakrifikoi dhe shkollën. Ishte Liri Lubonja ajo që ndikoi në kursin e jetës duke i dhënë një orientim prindëror.  Jeta si skenarist dhe regjisor është e mbushur me surpriza, realizime, ankth, gëzime, shërbime, debate, sakrifica, vështirësi, arritje, stepje por që në fund të fundit në emër të një diçkaje të shenjtë që mban emrin e pazëvendësueshëm për të, FILM. Në gjithë këto lëvizje dhe realizime ai ka pasur dhe takime spontane me ish udhëheqësit komunist, për të cilët ka dhe përshtypjet e tij. Në bisedë është objektiv, racional, asnjëherë nuk e mbivlerëson veten, por sigurisht përcjell mesazhe konkrete. Në moshën që është deklaron, se magjia e filmit dokumentar e ka mbërthyer të tërin dhe ai i përulet kësaj magjie, pasi e dashuron marrëzisht dhe nuk do ta ndryshonte me asnjë profesion në botë, sado shuma të mëdha t’i dhuronin. Ky është Kujtim Gjonaj, tepelenasi i shtruar, i cili kur realizon filma dokumentar kthehet në një “luftëtar heroik”  që realizimin profesional e kthen në detyrë  atdhetare.

 -Cilat kanë qenë pasionet e viteve të rinisë?

Pasioni im ka qenë gazetaria. Unë kam mbaruar studimet për gjuhë letërsi dhe për gazetari. Në vitin 1968 gazetaria ishte kurs 2-vjeçar ku merreshin studentë nga degët e tjera që e kishin pasion  letërsinë dhe u krijua kursi i gazetarisë.

Kam  botuar shkrime që në rininë time të hershme apo në adoleshencë në gazetat e kohës si: Zëri i Rinisë, Pionieri, gazeta Puna dhe në gazeta të tjera. -Kush ju ka nxitur që të shkruani  në atë kohë?

Mund të jetë dëshirë e brendshme, pasi kam qenë me shumë dhunti në hartime  qysh në shtatëvjeçare. Kam marrë pjesë në një konkurs për hartimet (isha në  klasë të shtatë) me të gjithë shollat e Tiranës, ku unë kam zënë vend të parë. Kam qenë në  shkollën 7-vjeçare “Hoxha Tasim”. Kjo ndikoi dhe më stimuloi që të vazhdoja të  shkruaja. Ngjarjet e luftës Nacional Çlirimtare mbeten më të dashurat për mua. Lufta e Mezhgoranit ishte një tregim i babait tim për heroin e popullit Asim Zeneli që më ka pëlqyer shumë dhe qysh në atë kohë u ngjiz kjo dashuri për luftën, ku edhe sot  unë e vlerësoj shumë si momentin më të rëndësishëm të këtij vendi. Fakti që partizanët shqiptarë u radhitën në Krahn e Frontit antifashist është një fat i madh për Shqipërinë  dhe për të  gjithë  brezat që erdhën më pas. Më vonë shkrimet e para përkojnë në gazetën Pionieri në vitet 1964-1965. Nga viti 1966 e mbrapa jam angazhuar fuqimisht në gazetën “Zëri i Rinisë” që ishte gazeta më moderne e kohës, ku botoja tregime, reportazhe, skica. Në atë kohë shkonim me shërbim në të gjithë  Shqipërinë. Mësuesit e parë të mitë që më kanë ndihmuar në rrugën e bukur të letërsisë kanë qenë Vath Koreshi, Luan Dibra, Zef Gurakuqi që më kanë shikuar me një sy  miqësor dhe dashamirës.  Ata me thjeshtësinë e tyre, me përgatitjen e lartë, më frymëzuan dhe më ngjizën atë dashuri të veçantë për të shkruar.

-Po në  shkollën e lartë kush kanë qenë pedagogët e gazetarisë që mbahen me emër sot?

Pedagogët e mia kanë qenë ajka e gazetarisë dhe e poetëve shqiptarë. Këtu mund të përmend  Dritëro Agollin,Vangjush Gambetan, Gëzim Reson, Skënder Begeja. Atëherë ka dalë një brez pedagogësh me shumë, shumë të përgatitur, me shumë bagazh, me shumë dhunti që kanë  lënë gjurmë në  kulturën e këtij vendi. Ata kanë nxjerrë studentë që më vonë u bënë po me aq emër si: Faik Ballanca, Zija Çela, Koço Kosta, Petro Lati, Floresha Haxhiu, Rami Memushaj etj. Në fushën e kinematografisë ka qenë  Halil Kamberi që ka qenë  regjisor në  kinostudio dhe më pas kaloi në televizion.

-Po nga udhëheqësit  e kohës a kanë ardhur ndonjëherë në shollë ku keni qenë student?

Ahere udhëheqësit vinin shpesh nëpër shkolla. Ndoshta ishte politika e partisë ajo. Mbaj mend se, si nxënës i dalluar në klasën e tretë kam qenë i ftuar në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Atë ditë në pallat do të vinte vetë Enver Hoxha. Ishte viti 1953. Ne mezi e prisnim. E cili fëmijë nuk do të donte ahere të shikonte apo të takonte Enver Hoxhën. Ahere për çdo fëmijë ai ishte një gjeni. Kur erdhi ai ne shpërthyem në duartrokitje. Gëzonim pa masë. Ishte një ndër ditët më të bukura të mijat si nxënës i dalluar. Ahere na ndanë dhe nga një pako të vogël. Kur e hapa brenda pakos gjeta një top llastiku të zi të vogël. Sa u gëzova. Ku kishte ahere topa në dyqan. Ishin vitet e një skamje të madhe.

-Po diplomën  me çfarë teme e ke mbrojtur?  

Diplomën e kam mbrojtur me  temën “Publicistika në ekran”, pra ishin mendime për publicistikën e kranit. Po me këtë temë 2-3 vjet rresht kam dhënë  mësime në Fakultetin e Gazetarisë,  mbas përfundimit të fakultetit. Më caktuan ta jepja këtë lëndë si pedagog i jashtëm dhe pastaj si pedagog në kurset pasuniversitare që organizonte kinostudio. Këtë lloj mësimdhënie e kam dhënë për afër 8-9 vjet.

 Kur mbaruat shkollën kërkuat për të punuar në Kinostudio?

Pasioni  im ishte të punoja në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe kur isha në vit të katërt kryeredaktori gazetës (në atë kohë ka qenë Dhimitër Berli dhe Liri Lubonja e shoqja e Todi Lubonja. Të gjithë gazetarët  e mëvonshëm të  gazetave “Zëri i të Popullit“, gazetës “Bashkimi” dhe të “Dritës” kanë kaluar nëpërmjet Spiro Dede, Xhevahir Spahiu dhe shumë të tjerë. Pra unë në atë kohë kisha lidhje shumë të forta me gazetën “Zëri i Rinisë”. Më propozojnë që të filloj punë në gazetë kur isha në vitin e katër të Fakultetit.  U gëzova pa masë. Ishte një ëndërr e imja. Por Liri Lubonja, një grua zonjë, me vizion, e përgatitur, korrekte, mbajti një qëndrim prej nëne dhe nuk më lejoi të bëja një gabim momental, nisur nga pasioni i çastit ndërhyrje apo sqarim që sot e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ajo më tha, vazhdo shkollën, bëje rregullisht, mos e bë me korrespodencë se mund të të marrin dhe ushtar. Ke kohë për të punuar dhe në gazetë dhe gjetiu. Ato fjalë të thëna me aq dashuri e ndryshuan mendimin tim. Nuk shkova gazetar tek “Zëri Rinisë”, por vazhdova shkollën. Kur mbarova studimet më kërkuan disa institucione kulturore si radio, ATSH, Kinostudio, por shteti vendosi që unë të shkoja në Kinostudio. Kjo erdhi befasi. Nuk doja të rrija në Kinostudio. Doja që të shkoja në gazetë se atje unë kisha dashuri më të madhe.

 Si ka qenë dita e parë e punës në Kinostudio?

Ah..Një moment i bukur. Ishim disa që sapo kishim mbaruar studimet dhe ishim emëruar në Kinostudio. I pari që na doli përpara ishte roja i Kinostudios një polic i armatosur. Ai na priti gjithë seriozitet dhe mbasi na pyeti përse kishim ardhur, fryu gjoksin, kruajti zërin dhe na tha: Ky është institucion i rëndësishëm. Ka disiplinë. Në punë vihet në orë 7 pa pesë dhe iket në 3 e pesë. Kaq!-dhe na drejtoi tek Drejtoria e kuadrit.

 Kush ishte ahere drejtor i Kinostudios?

 Ishte Vaska Aristidhi. Një burrë i mirë dhe inteligjent. Ai kishte dëgjuar për dëshirën time ndaj më mori veç dhe më tha: Unë e di se ti do të ikësh, po të them me bindje se ti duhet të rrish këtu. Filmi është diçka e bukur. Qëndro dhe do më kujtosh. Ndërrova mendje dhe qëndrova. Sot e kësaj dite atij njeriu të mirë i jam shumë mirënjohës. Në qoftë se gazetaria është e bukur dhe e magjishme unë mund të them se, bota e filmit është marramendëse. Emocionet që të jep filmi janë të pallogaritshme. Ishte krenari që të rrije me figura të shquara si: Viktor Gjika,  Dhimitër Anagnosti, Vath Koreshi, etj.. Mbas 4-5 ditëve që kisha filluar punë më thonë se duhet të bësh kinoditarin e parë. Kinoditari është një lloj teksti dhe për 7 minuta film me pjesëza të ndryshme jetësore ku duhet të bëja një tekst që ti lidhte të tëra. Bëra një tekst emocional. Doli bukur. Vlerësimin e parë e mora nga Viktor Gjika. Sa u emocionova. Për mua ai ishte një idhull që dikur ëndërroja ta takoja ndërsa tashmë thuajse ishim në një zyrë.  Ahere ai kishte bërë emër me filmat, si “Komisari i Dritës”,  “Horizontet e hapura” dhe kishte filluar “I teti në  bronz”.

 -Sa skenarë bëre deri sa arrite si regjisor?

Afërsisht mund të jenë 25 skenarë për filma dokumentarë dhe 4 skenarë për filma artistik.  Për filmat artistikë skenarët ishin tek filmat “Këshilltarët”, “Ata ishin katër”, “Thirrja”, “Cirku në fshat”, dhe katër të tjerë që nuk mundën të ekranizohen për arsye të ndryshme. Skenarët e filmave të mi i realizuan regjisorët, Hysen Hakani, Fehmi Oshafi, Esat Mysliu, Xhezair Dafa.

– Kur keni filluar punën si regjisor dhe kush është filmi i parë dokumentar si regjisor?

Unë kam filluar të realizoj filma si regjisor shumë shpejt që në vitin 1974.

Filmi i parë si regjisor ka qenë “U mbushën malet plot me partizanë” për Brigadën e 22 të Pezës. Në atë vit ishte 30- vjetori i çlirimit dhe u mor një vendim nga lart që për çdo brigadë partizane të bëhej nga një film dhe unë zgjodha brigadën e Pezës pasi si skenarist kisha bërë dy brigada të tjera, të VI-tën dhe të VII-tën Sulmuese.

Ky film u shfaq në kinematë e Tiranës. Në atë kohë para filmit artistik vendosej  filmi dokumentar. Pati sukses.

-A pati vlerësim nga udhëheqësit e  kohës?

Filmin e ka parë Myslym Peza, por nuk e di nëse ka dhënë prononcim. Vlerësimi ynë ka qenë në kolektiv dhe aty filmi u prit mirë. Gjatë filmit duhej të filmonim këngën “Ç’u mbushën malet plot me partizanë” dhe unë bëra një prolog të bukur. Dhashë idenë  e masivizimit të kësaj lufte. Gjithmonë operoj me mesazhe. Mesazhi ishte se po afrohej  fundi i luftës dhe malet me të vërtetë  u mbushën me partizanë. Ky film u vlerësua nga analiza vjetore nga shefja e redaksisë të filmit si filmi më i mirë dokumentar i vitit. Mbas këtij unë bëra 7-8 filma të tjerë derisa vjen viti 1980  kur unë përfundimisht kaloj në regjisor filmi dokumentar. Nga skenarist i filmit artistik, kaloj në regjisor i filmit dokumentar.

-Ndonjë  episod me Dhimitër Anagnostin dhe Viktor Gjikën?

Me Dhimitër Anagnostin kemi pasur një sukses në vitin 1973, ku unë kisha 3-4 vjet që kisha filluar punë dhe isha i ri akoma. Ishte një film dokumentar që pati një jehonë të madhe, filmi me titull “Motive nga dita e diel” me regjisor Dhimitër Anagnostin dhe unë si skenarist… Ishte film brenda kontureve të kohës me vlera të mëdha artistike. Në qendër të filmit ishte, jeta, dinamika, interpretimi i një dite të diel për një njeri të zakonshëm në Tiranë. Me Viktor Gjikën kemi bërë disa filma dokumentarë kryesisht filma politik si  “Vdekja  e Enverit”, “Protesta e 1 Majit”, por edhe për udhëheqës të kohës.

-Kur realizonit filma politikë me cilët udhëheqës të kohës jeni takuar?

Unë dua të sqaroj diçka. Asnjëherë s’kam takuar kokë më kokë ndonjë udhëheqës. I kam takuar në momente pune, në momente kur kam filmuar, apo realizuar filma. Pra, kanë qenë takime të detyruara, takime spontane, takime të rastësishme, apo thjesht për të bërë detyrën. S’mund të them që më kanë thirrur në veçanti, apo më kanë lenë takime speciale. Një ndër takimet e rastësishme ka qenë me Mehmet Shehun. Po xhironim inaugurimin e busteve të vëllezërve Frashëri. Pritej të vinte Enver Hoxha dhe ne po bënim gati kamerën. Shikonim kabllot, pajisjet dhe nuk shikonim ç’bëhej mbrapa. Ishim fokusuar andej nga do vinte Enver Hoxha. Kur po vinte Enveri, pas tij ishte Mehmeti, i cili po rregullonte rripin e pantallonave. Ne thuajse ishim disa metra larg tyre. Menjëherë Mehmeti i thotë Enverit: S’po na lenë të rregullojmë as pantallonat. Enveri qeshi dhe ja kthen: Lëri djemtë në punën e tyre. Kanë planin e tyre ata, ashtu si ne kemi planet tona. Qeshën të dy. Një rast tjetër ka qenë në vitin 1973. Po inaugurohej ekspozita “Shqipëria Sot”.  Për atë ekspozitë u bë një propagandë e madhe. Dhe në fakt shumë e mirë ishte. Aty gjeje çdo gjë që prodhohej në Shqipëri dhe arkitektura ishte shumë e kohës. Kishte mijëra njerëz në inaugurim pasi do vinte Enver Hoxha.  Vjen momenti që duket makina e tij. Po na shtynin njerëzit. Unë për t’i hapur rrugë Enver Hoxhës pa dashur  i shkel këmbën Mehmet Shehut. Kameramani filmonte ndërsa unë po shkruaja në fletore detaje nga takimi, nga çastet e ardhjes së Enverit. Mehmeti më kap për krahu dhe më thotë, pse nuk shkruani me konvencione. Nuk e kuptoni që ju lehtëson punën? Ne ngritëm supet. Vërtetë nuk kishim mësuar të shkruanim me konvencione që na e lehtësonte punën. Mirë, mirë vazhdoni-na tha, -ndiqni Komandantin.

Takimi me Ramiz Alinë

Rast tjetër ka qenë kur xhirohej një vizitë e Ramiz Alisë në verilindje të Shqipërisë dhe kam qenë bashkë me Viktor Gjikën. Gjatë takimit ne ishim në një tavolinë me të. Ai jepte direktiva dhe ne filmonim dhe shkruanim. Filmoni gjërat më kryesore- na tha, -profesioni juaj është i vështirë, por shumë i mirë. Ndërsa një rast tjetër më ka qëlluar me Muho Asllain kur ka qenë Sekretar i Parë në Shkodër. Unë lëvizja kudo për filmim dhe për shënime. Nuk kapesha. Ai më pa disa herë dhe më tha se qenke i shkathët nesër hajde në Komitetin e Partisë dhe më tako. Ai mendoi se unë isha ndonjë gazetar i Shkodrës. Duke buzëqeshur i them se unë jam nga Tirana. Ah, ç’më shpëtove,- më tha. Qeshëm të dy bashkë.

Me Mine Gurin

 Me të jam takuar njëherë kur po shkonim në një Festival Filmi në Zvicër. Ishte viti 1985 kur sapo kishte vdekur Enver Hoxha. Kishte filluar një farë liberalizmi. Dihet që udhëheqësit e kohës kishin privilegje. Në avion ata kishin vende të caktuara para. Unë isha bashkë me Gavrosh Haxhihysenin. Minia sa na pa na tha:Hajdeni të rrimë bashkë. Rruga me miq bëhet më e lehtë. U afruam. Na habiti thjeshtësia e saj. Rruga deri në Zvicër nuk na u duk fare. Disa herë ne i etiketonim vetë udhëheqësit, pasi me thënë të drejtën nuk ishin aq të sertë, aq të egër sa i diskutojmë. Por sigurisht çdo kohë ka udhëheqësit e vetë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne nuk duhet të paragjykojmë askënd n.q.s s’i takojmë, n.q.s nuk bisedojmë, n.q.s nuk ulemi me ta.

Jashtë shtetit kam qenë që në vitin 1977. Dëshira ime më e madhe është për të shëtitur dhe për të parë vende të  ndryshme. Edhe sot e kam qejf lëvizjen. Lëvizja më jep jetë, emocion, vizion dhe frymëzim.

Çfarë ka në dorë tani Kujtim Gjonaj?

Një film për Margarita Xhepën me skenar të Angjelina Xharës dhe operator njeriun e palodhur Kristaq Janushin. Për këtë film mendoj se duhet të flasim veç pasi ka detaje që vërtet të impresionojnë.